TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në një tryezë me biznesin të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë. Kryefjala e takimit ka qenë sërish lufta kundër informalitetit. Rama tha se ka nisur faza e dytë e këtij operacioni dhe se qeveria është në gjendje lufte në organizimin e ekonomisë që vuan nga informaliteti. Kreu i qeverisë ka paralajmëruar penalitete edhe më të larta për ata që shkelin ligjin që nuk japin kuponin tatimor deri në burg.

“Nuk fillojmë nga zero, është një operacion që përkon me një fazë të dytë të një kundërveprimi agresiv për ta fituar këtë luftë. Në fazën e  parë kemi bërë atë që duhej për të stabilizuar financat publike, shlyerja e borxheve. I kemi nxjerrë nga koma financat e këtij vendi. Kjo nuk është gjendje lufte mes qeverisë dhe biznesit, kjo është gjendje lufte në organizmin e ekonomisë sonë që gërryhet prej 25 vitesh nga ky kancer që quhet informalitetet. Kjo kërkon radikalizëm. Penalitetet do të jenë më të lartat që mund të ketë imagjinuar në fantazinë e vet ai që vjedh. 5 mln lekë të vjetra do të paguajë çdo pikë fundore tregtimi nëse kapet në kushtet e mosdhënies së kuponit tatimor. 100 mijë dollarë çdo tregtar. Është hera e parë kjo mundësi, herën e dytë do paguani avokat. Nuk keni më punë me ne”, theksoi kreu i ekzekutivit.

Rama paralajmëroi edhe luftë kundër skllavërisë dhe punëtorëve që punojnë në të zezë.

“Në gjendje lufte jemi edhe me skllavërinë në Shqipëri. Në Shqipëri mijëra skllevër, që i mbani me një copë bukë. Skllevër, njerëz që nuk kanë sigurime dhe që nuk ekzistojnë, njerëz gri. Burra, gra, vajza, djem që janë fantazmë. Penalitetet për këtë edhe më të rënda. Kush do të kapet në kushtet e financimit të një turpi që bota e ka bërë të qartë se çfarë turpi është do të trajtohet si pronar skllevërish. Punëtorë në të zezë mund të ketë, por nëse do identifikohen do të jetë e zeza e atyre që i mbajnë në të zezë. 25 vjet janë mjaft për çdo justifikim. Janë boll për detyrimin që ne u kemi si qeveri të gjitha atyre qenieve njerëzore që votojnë por që nuk ekzistojnë. Inspektorati Kombëtar i Punës, ka bërë një punë sa të shkëlqyer aq edhe të suksesshme për ne. Mijëra njerëz brenda një viti të nxjerrë nga kthetrat e skllavërisë. Inspektorati do të jetë shumë më intensivisht në terren për të llogaritur metastazat e këtij kanceri”, deklaroi Rama.

Gjithashtu kryeministri është ndalur edhe tek informaliteti në import duke kërkuar bashkëpunim nga bizneset.

“Ne kemi të qartë edhe një gjë tjetër. E dimë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo betejë për ata që importojnë brenda rregullave. Kjo betejë për ata që importojnë jashtë rregullave. Kërkojmë bashkëpunim me ju. Na duhet një bashkëpunim shumë i fortë edhe për të zmbrapsur dhe për të nxjerrë jashtë sistemit, çdo lloj personazhi që nuk është në lartësinë e duhur që shfaqet në derën tuaj si ata kambistët e dikurshëm. Që shkel syrin dhe thotë o kaq për shtetin, o kaq për të dy bashkë. Që vepron në mënyrë injorante dokumentacionin. Sa më shumë të bashkëpunoni me të, aq më të mbyllur e keni rrugën e biznesit. Grupet e kontrollit do të operojnë me zona të caktuara. Ne sot larg kushteve për të pasur një rend ligjor ekonomik. Ne jemi në këmishën e forcës që na e mban të shtrënguar informaliteti”, u shpreh ai.

Rama tha se deri në marsin e vitit të ardhshëm do ti jepet fund edhe operimit të bizneseve të mëdha, grosistëve me kasa fiskale.

“Ne do ti japim fund me një afat absurditetit që kompanitë e mëdha punojnë me kasa fiskale. 70% ka raste. Kjo ka ardhur si rezultat i nënshtrimit të detyruar nga zinxhirit të informalitetit. Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, e kundërta. Vetëm 10% me kasë fiskale deri në 31 mars të 2016. Vetëm me kupon tatimor. Dhe më pas asnjë”, tha kryeministri.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: