TIRANË

Një pjesë e pilotëve të ardhshëm ushtarakë të helikopterëve të Forcës Ajrore shqiptare do të formohen Brenda vendit. Në Bazën Ajrore të Farkës u çel Kursi Bazë i Oficerit në specialitetin Pilot Ushtarak Helikopteri, i cili do të ndiqet nga nëntogerë të përzgjedhur nga forca dhe reparte të ndryshme të Forcave të Armatosura. Në nisjen e këtij kursi ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj.

Ministri Peleshi e konsideroi nisjen e kursit të pilotit si një ngjarje të shënuar, jo vetëm për Forcën Ajrore por dhe për gjithë Forcat e Armatosura në përgjithësi dhe i siguroi kadetët për mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Sot ju do të filloni hapin e parë për tu bërë pjesë e gjeneratës së pilotëve të cilët jo vetëm e kanë dashuruar profesionin e tyre por vazhdimisht kanë kryer me sukses dhe profesionalizëm të gjitha detyrat e ngarkuara. Në rrugëtim që po nisni sot për tu përgatitur si pilot të ardhshëm ju do keni kurdoherë mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Unë jam besimplot se Forca jonë Ajrore do të zhvillohet e modernizohet me ritme të shpejta, do të ketë një vëmendje të veçantë dhe të merituar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Modernizmi teknik i bashkuar dhe kombinuar me pasionin dhe përkushtimin e vajzave dhe djemve kështu si jeni ju, janë siguria jonë për të pasur një Forcë Ajrore dinjitoze dhe te aftë për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe nevojave të vendit. Do mundësojmë që ato orë fluturimi të domosdoshme për t’u quajtur pilot, ju t’i plotësoni dhe të jeni me të vërtetë gjenerata e re e pilotëve dinjitozë e një Force Ajrore që sa më shumë kalon koha, po modernizohet dhe do të modernizohet.”- u shpreh ministri Peleshi, i cili përshëndeti në mënyrë të veçantë të vetmen vajzë pjesëmarrëse në këtë kurs.

“Do të dëshiroja të përfundoja urimin tim për ju duke e mbyllur në mënyrë të veçantë me Armelën që është një vajzë që do të përgatitet për të qenë pilotja e parë në FA.”

Kursi Bazë i Oficerit në specialitetin Pilot Ushtarak Helikopteri zgjat 49 javë mësimore-praktike dhe ndahet në dy faza; përgatitja Speciale-Helikopteri dhe Praktika Profesionale. Pjesë e kursit janë 12 kadetë, mes të cilëve edhe një vajzë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb