TIRANE- Duke filluar nga dita e nesërme, 1 Shtator, do të nisë procesi i rivlerësimit të pasurisë. Kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ilirjan Muho, ka shpjeguar hapat që duhet të ndjekin qytetarët për rivlerësimin e banesave dhe pronave të tyre. Muho sqaron se qytetarët duhet të paraqiten në zyrat e Hipotekës me një dokument pronësie, e më pas të plotësojnë formularin e rivlerësimit.

Kryeregjistruesi Muho, tha se rivlerësimi i pasurisë sjell përfitim për qytetarët, pasi e vlerëson pronën në përputhje me vlerat e tregut imobiliar.

“Qytetarët duhet t’i drejtohen zyrave të aplikimit. Duke filluar nga nesër ata mund të tërheqin një formular me dy kopje. Pikën 1 dhe 2 e plotësojnë qytetarët, ndërsa pikën 3 dhe 4 e plotësojnë punonjësit e Zyrave të Regjistrimit. Ky formular më pas dorëzohet në Zyrën e Regjistrimit. Pasi llogaritet vlera, qytetari e merr këtë formular dhe pas bërjes së pagesës do të bëjë edhe regjistrimin e pronës”, tha Muho.

Muho tha se me realizimin e këtij procesi do të ketë edhe një zhvillim pozitiv të tregut imobiliar.

Ky proces i rivlerësimit të pasurisë mund të bëhet ose në Zyrat e Regjistrimit, ose nga ekspertë privatë, në varësi të zgjidhjes nga vetë qytetarët.

Zoti Muho tha se tarifa e shërbimit për rivlerësimin e pasurisë do të jetë 7 mijë lekë të vjetra. Ai shtoi se vlera e pasurisë së qytetarëve pas rivlerësimit merr vlerën e tregut. “Tarifa e shërbimit është simbolike, 7 mijë lekë të vjetra. Vlera e pasurisë nga rivlerësimi do marrë vlerën e tregut”.

Sipas Muhos, në bazë të vlerës së pasurisë do të tatohen edhe qytetarët. “Rivlerësimi i pasurisë do ndikojë në tatimet që do paguajnë qytetarët. Vlera e tatimit bazohet në vlerën që ka pasuria. Përllogaritja e tatimit është 2% vlerës së përcaktuar’,- sqaroi ai.

“Ne shpresojmë që të përfitojnë të gjithë qytetarët t’i drejtohen zyrave të regjistrimit. Ka kohë, nuk ka pse të dynden, është proces i thjeshtë. Kemi marrë masat të përmbyllet brenda 48 orësh”,- vijoi Muho.

(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: