Ka nisur pasditen e sotme protesta e 13-të qytetare në kryeqytet, ku njerëzit janë mbledhur masivisht në sheshin “Skënderbej”. Prej andej, nën thirrjet e panumërta kundër qeverisë, protestuesit pritet të nisin marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u vendosur përpara godinës së Kryeministrisë.
Në një prononcim për News24, një qytetar nga zona e Astirit, i cili u shpreh se vjen në protestë direkt nga puna, ka rrëfyer vështirësitë e tmerrshme ekonomike me të cilat po përballet familja e tij dhe pamundësinë për të jetuar me dinjitet në një lagje që sipas tij është lënë tërësisht në harresë pa shkolla e kopshte.
Ai deklaroi se pensioni i mamasë së tij është vetëm 110 mijë lekë të vjetra dhe se pa ndihmën e 8 fëmijëve, prindërit e tij nuk do të kishin mundësi të jetonin as për bukë dhe as për ilaçe.
Më tej, ai ngriti alarmin se po bëhet e pamundur të rritë dy fëmijët e tij që ndjekin shkollën, pasi çmimet janë rritur aq shumë sa frutat arrijnë t’i shikojnë vetëm nga televizori dhe në supermarket nuk marrin dot asgjë.
Me tone të ashpra e të revoltuara, ai bëri thirrje për largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama duke u shprehur se në Europë pushteti kufizohet në dy mandate, ndërsa këtu nuk po i dalin as katër mandate.
