TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka treguar arsyet që e çuan t’i bashkohej protestës së shoqërisë civile për Parkun e Liqenit. Në një interviste me gazetaren Desada Metaj për “Opinion”, Presidenti NIshani i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet, pasi sipas tij për parkun po ndërhyn mafia e betonit.

“Kundërshtarët më të egër dhe më të ashpër të atyre djemve dhe vajzave janë rrogëtarët e mafies së betonit në Tiranë. A mundem unë që si President i Republikës të trembem, kompleksohem apo të tërhiqem nga këto relacione, angazhime? Kurrsesi, përndryshe nuk do ta meritoj asnjë ditë qëndrimin tim në zyrën e Presidentit të Republikës. Prokuroria duhet ta hetojë, unë e denoncoj dhe ju siguroj do të vazhdojë ta denoncoj, pavarësisht nëse jam President apo qytetar i thjeshtë.”- tha Nishani.

Gazetarja: Zoti Nishani ka pasur një reagim të fortë dje, një reagim tuajin ndaj deklaratave të Kryetarit të Bashkisë. Ka pasur një shkëmbim deklaratash, por fjalori i përdorur nga ju ka qenë krejtësisht i ndryshëm nga ai që ju keni përdorur herë të tjera. Çfarë ka ndodhur realisht që e ka bërë Presidentin e Republikës të ndryshojë mënyrën e komunikimit me publikun?

Presidenti Nishani: Jo, mënyra e komunikimit me publikun nuk ka ndryshuar, ka qenë absolutisht e njëjta, të cilën e kam ofruar gjatë gjithë kohës, karrierës sime publike dhe politike. Që nga ditët e para që kam hyrë në karrierën politike ka qenë e njëjta gjuhë, dhe nuk ka ndryshuar.

Gazetarja: Fjalori ka ndryshuar, le të themi…?
Presidenti Nishani: As fjalori nuk ka ndryshuar. Ka qenë një angazhim i Presidentit të Republikës para dy ditësh për të pritur me kërkesën e tyre në zyrën e Institucionit të Presidentit të Republikës një grup qytetarësh djem dhe vajzash të reja, të cilët protestojnë dhe kërkojnë të mbrojnë pikëpamjen e tyre ndaj një akti që po ushtrohet në Parkun natyror të Tiranës. Besoj se çdo qytetar normal i këtij vendi nuk mund të imagjinoj që Presidenti të refuzojë kërkesën e një grupi djemsh dhe vajzash për t’i pritur në Zyrën e tij, për të dëgjuar çështjet dhe shqetësimet e tyre dhe nëse do të ndodhte në një vend normal, Presidenti do të konsiderohej anormal. Prandaj, unë me shumë kënaqësi i kam pritur dhe dëgjuar dhe kam bërë prezent për opinionin publik qëndrimet e mia brenda një konteksti etik, institucional dhe ligjor. Me kërkesën e tyre gjithashtu m’u kërkua që të shkoja pranë tyre për shkak të situatën shumë të vështirë dhe të paimagjinueshme që ky grup qytetarësh, tërësisht me mendësi civile dhe emancipuese qëndron prej kohësh të gjata pranë vendit ku po dëmtohet në mënyrë të paimagjinueshme Parku natyror, i vetmi park natyror që ka Tirana, në fakt që është i populluar nga qytetarët dhe që shfrytëzohet nga qytetarët, të cilët janë ndeshur me injorimin total të institucionet e shtetit shqiptar, janë ndeshur me dhunën verbale dhe fizike të individëve të ndryshëm që funksionojnë dhe veprojnë brenda uniformës së shtetit, apo shfrytëzojnë uniformën dhe pozicionet e shtetit. Natyrisht që në këtë kontekst besoj që Presidenti i Republikës jo vetëm që është sjellë në mënyrë njerëzore, institucionale, qytetare, por edhe të përgjegjshme për të qenë pranë një grupi qytetarësh, që pavarësisht këndvështrimit të këndeve të ndryshme të shoqërisë që mund të kenë për misionin e tyre, por ama, mbi të gjitha ata shfaqin një qëndrim dinjitoz, njerëzor, paqësor, civil për të bërë prezent një shqetësim, i cili lidhet me një dimension shumë të madh. Unë besoj që këtu duhet të nisë analiza e të gjithë aktorëve të shoqërisë, tek çështja dhe thelbi i kauzës që këta qytetarë kërkojnë të mbrojnë dhe mënyra sesi po sillen aktorët e tjerë duke filluar nga institucionet e shtetit shqiptar.

Gazetarja: E keni fjalën këtu edhe për Prokurorinë e Përgjithshme, pasi ju keni pasur një takim pikërisht për këtë çështje? Keni marrë ndonjë të dhënë më shumë nga Prokuroria, e cila ka deklaruar që ka nisur dhe hetimet?

Presidenti Nishani: Do të vij edhe tek Prokuroria e Përgjithshme. Pra, thelbi i të gjithë kauzës është pikërisht: Përse ekziston ky shqetësim? Sa real është ky shqetësim? Si po sillet shteti në trajtimin e këtij shqetësimi që ngrihet nga qytetarët e vet? Vetëm për këtë akt dhe këtë sjellje institucionale, njerëzore, qytetare të Presidentit të Republikës, Presidenti fyet, ofendohet nga një zyrtar lokal në mënyrë publike. Shpifet për Presidentin e Republikës në mënyrë të paimagjinueshme për një mendje të shëndoshë, mendje normale qytetare, për një sens të një shoqërie, e cila kërkon të civilizohet dhe të prosperojë. Në kontekstin e takimit me këta qytetarë, ku në fakt për herë të parë u bëra dëshmitar vërtetë i një situate vandale në Parkun natyror të qytetit të Tiranës, mijëra metra katrorë sipërfaqe të gërmuara, qindra metra kub beton të hedhura, qindra metër kub hekur të instaluar. Pra, është një situatë, e cila realisht ka një shqetësim. Për fatin e keq, dimensioni tjetër që më bëri të jem pranë tyre dhe për të sensibilizuar shoqërinë ka të bëjë me një, pothuajse terr informativ të qytetarëve se ç’po ndodh në Parkun e qytetarëve të Tiranës. Ai është një Park publik, është pronë publike, është e vetmja zonë kreative që kemi dhe është e lidhur jo thjesht me estetikën, por është e lidhur në radhë të parë me shëndetin, me cilësinë e jetës. Me sa duket ana tjetër e medaljes është dimensioni korruptiv i administratës për shkak të pamundësisë, dhe për të mos lejuar përhapjen e informacionit se çfarë po ndodh pikërisht me këtë pasuri të qytetarëve të Tiranës .

Për sa u takon institucioneve të shtetit që ju përmendët dhe pa dyshim është e papranueshme dhe duke u nisur në radhë të parë nga Prokuroria. Institucioni i Prokurorisë ka detyrë kushtetuese të veprojë dhe reagojë dhe të japë qëndrimin e vet institucional ashtu siç ata e gjykojnë në bazë të referencave ligjore dhe të hapësirës dhe detyrës që Prokuroria ka. Unë kam pasur një takim me Prokurorin e Përgjithshëm por natyrisht nuk ka qenë kjo çështje, ka qenë një çështje e cila ka të bëjë me organizimin e Prokurorisë së Përgjithshme, çështjet e funksionimit dhe resurseve njerëzore të Prokurorisë. Natyrisht unë pres që Prokuroria, Qeveria shqiptare, Avokati i Popullit dhe shumë institucione të tjera të cilat janë të detyruar dhe të ngarkuara nga ligji për të mbrojtur interesin publik, për të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e qytetarëve shqiptarë, të veprojnë dhe të thonë fjalën e tyre. Mungesa e gjithë këtyre aktorëve bëri që Presidenti i Republikës të ofrojë gatishmërinë, Institucionin dhe angazhimin e tij për t’u ndodhur pranë qytetarëve të Tiranës dhe ne duhet të krijojmë një model, në gjykimin tij, mund të jetë i gabuar por ky është gjykimi dhe çka unë besoj dhe atë që unë besoj e prezantoj dhe e shpreh.

Presidenti i Republikës pa dyshim në aspektin protokollar është qytetari i parë i këtij vendi, është Kreu i Shtetit shqiptar, por duhet të jetë pranë çdo individi qoftë dhe ky i vetëm në një moment i cili këtë individ e detyron që në përballje me realitetin ndihet i pambrojtur nga shteti, e parespektuar e drejta e tij, të dhunuar të gjitha të drejtat dhe liritë e tij dhe Presidenti i Republikës duhet të jetë i pari i cili duhet të gjendet pranë tij për të inkurajuar ekzekutimin dhe realizimin e të drejtës së këtij qytetari dhe jo më të një grupi qytetarësh. Për më tepër, në gjykimin tim dhe njerëzor, personal dhe individual që ajo çka po ndodh tek Parku natyror tek Liqeni i Tiranës është tërësisht në dëm afatgjatë të jetës së qytetit të Tiranës, të kostos urbane, dhe të së drejtës në fund të fundit. Qytetarët delegojnë pa dyshim pushtetin e tyre tek të zgjedhurit lokalë për të administruar dhe menaxhuar punët e përditshme në qytetin e tyre dhe për të ofruar shërbimin, nuk delegojnë pronësinë e qytetit, nuk delegojnë të drejtat e tyre.

Gazetarja: Megjithatë zoti President kjo është një çështje e diskutueshme, pasi ka dhe nga ata që mendojnë se duhet një park, një vend ku të luajnë fëmijët le të themi mbi moshën 5 vjeç. Ju e cilësuat veten si qytetar i parë i Shqipërisë ndërkohë që edhe Erjon Veliaj mund ta cilësojë veten si qytetar i parë i Tiranës, pasi ai është votuar për këtë. Ndërkohë numri i atyre që protestojnë është le ta konsiderojmë shumë të vogël me numrin e atyre që e kanë votuar atë si Kryetar Bashkie. A mendoni se duke pasur votat si Kryetar Bashkie, Erjon Veliaj ka të drejtën e tij të vendosë dhe më pas të gjykohet po me anë të votës për një vendim që ai mendon se është i drejtë, sikundër ai paraardhësit e tij kanë vendosur për të bërë një shesh siç ishte Sheshi Skënderbej, siç e bëri ish-kryetari apo veprimet e tjera që kanë bërë ish-kryetarët e Bashkisë? Pra, a duhet lejuar një Kryetar Bashkie dhe duke mos u paragjykuar nga ana e Presidentit për të marrë një vendim që është në fakt kompetencë e tij?

Presidenti Nishani: Unë e thashë dhe pak më parë se zyrtarët votohen dhe u delegohet pushteti i qytetarëve përmes votës për të menaxhuar punët dhe për të ofruar shërbimet. Por, ka akt rregullator për mënyrën se si veprojnë të zgjedhurit, kushdo qofshin ata: që nga Presidenti i Republikës dhe deri tek Kryetari i Bashkisë. Është Kushtetuta, janë ligjet, të cilat jemi të detyruar t’i respektojmë dhe përmes zbatimit të tyre të ofrojmë këto shërbime dhe kontributet tona. Qytetarët nuk delegojnë lirinë e tyre, nuk delegojnë të drejtën e tyre as tek Presidenti, as tek Kryeministri, as tek Kryetari i Bashkisë. Qytetarët kanë të drejtë që në momentin që shohin që keqpërdoret pushteti, dhunohet e drejta e tyre, privohet liria e tyre, cenohet ambienti jo vetëm ambienti në kuptimin fizik të fjalës, por dhe modeli që kemi ndërtuar dhe modeli të cilin ne kemi deleguar këto pushtete tek njerëz të caktuar në momente të caktuara për mandate të caktuara. Atëherë është e drejta më elementare e qytetarëve të cilët ta kundërshtojnë në mënyrë paqësore, civile dhe ligjore. Këta djem dhe vajza që dikush i shikon dhe thotë që janë pak, unë besoj që ndoshta në numër është më i vogël nga votat që ka marrë një Kryetar Bashkie apo një Kryeministër, por asesi nuk mund të krahasohet ndoshta me ndjeshmërinë dhe perceptimin që mund të kenë mijëra dhe qindra mijëra të tjerë të cilët edhe për fakte dhe rrethana të tjera nuk ofrohen. Shikoni ju se çfarë kundërvënie i bëhet zërit të tyre, se çfarë sulmi i bëhet zërit dhe qëndrimit të tyre. Cilët janë sot kundërshtarët e atyre djemve dhe vajzave? Kundërshtarët më të egër dhe më të ashpër të atyre djemve dhe vajzave janë rrogëtarët e mafies së betonit në Tiranë. A mundem unë që si President i Republikës të trembem, kompleksohem apo të tërhiqem nga këto relacione, angazhime? Kurrsesi, përndryshe nuk do ta meritoj asnjë ditë qëndrimin tim në zyrën e Presidentit të Republikës.

Gazetarja: Por a e tejkaloni ju kompetencën tuaj duke folur për këtë mafie betoni ndërkohë që kjo është detyrë e Prokurorisë për të hetuar dhe marrë vendime?

Presidenti Nishani: Patjetër! Prokuroria duhet ta hetojë, unë e denoncoj dhe ju siguroj do të vazhdojë ta denoncoj, pavarësisht në se jam President apo qytetar i thjeshtë.

Gazetarja: Pavarësisht vendimit të Prokurorisë nëse Prokuroria do të vendosë në krahun që ju nuk e mbështesni, do të thotë që Presidenti dhe Prokuroria kanë qëndrime të kundërta për një çështje. Pra, ju e mbivendosni qëndrimin tuaj mbi atë të Prokurorisë që është institucioni që jep verdiktin për një ngjarje?

Presidenti Nishani: Ka dy gjëra të ndryshme mbi këtë. Së pari, Presidenti nuk mbivendoset tek Prokuroria, sepse Prokuroria nuk varet nga Presidenti i Republikës, është Parlamenti, i cili e monitoron dhe gjykon veprimtarinë e Prokurorisë. Pa dyshim që mospërputhja e mendimeve dhe gjykimeve midis Presidentit dhe Prokurorisë është normale nuk ka asgjë anormale në këtë rast. Në rastin konkret unë e quaj krejt të paarsyeshme mosveprimin dhe përgjumjen e Institucionit të Prokurorisë në raport me veprimtarinë që….

Gazetarja: Por, ju ndërkohë keni paragjykuar  vendimin, sepse ju keni mbështetur ndërkohë një nga palët pa dhënë Prokuroria ende vendimin e saj?

Presidenti Nishani: Unë nuk kam mbështetur dhe nuk kam folur për akuzën penale dhe ligjore që kanë bërë qytetarët në Prokurori. Unë kam mbështetur kauzën e tyre. Kauza e tyre shkon përtej aktit vandal që po ndodh tek Parku natyror i Liqenit. Me çfarë kam parë dhe reaguar unë, dhe ndihem mirë, në një situatë kur duket se shpresa ka humbur në Shqipëri, në një situatë kur duket se komuniteti dhe shoqëria është bërë inekzistente në Shqipëri, duket sikur fatalizmi po invadon çdo qelizë të mendjes dhe gjithë shpirtit shoqëror, tregoi që nuk është kështu, por ka vend për një lloj optimizmi, sepse pikërisht një grup djemsh dhe vajzash të reja absolutisht me vizion qytetar denoncuan një model, i cili është jo vetëm i vjetruar, por dhe një model banal, një model i cili mendon që do të imponohet përmes forcës së pushtetit, dhunës, instrumenteve, spekulimit, territ, asaj që ne kemi nevojë, emancipimit të shoqërisë. Ne kemi humbur shumë kohë në të shkuarën duke qenë një vend i izoluar dhe ndoshta do të na duhet shumë e shumë kohë për të krijuar impaktin e një shoqërie, e cila e prezanton problemin dhe shqetësimin e saj në mënyrë të civilizuar dhe ne kemi shumë nevojë të emancipojmë shoqërinë dhe të krijojmë një model të ri. Unë absolutisht nuk e shoh atë si një lëvizje të motivuar politikisht, por një lëvizje qytetare jo vetëm se vjen nga njerëz të painkuadruar në parti politike, por vjen nga njerëz të cilët janë pedagogë në universitete, juristë, veprimtarë të shoqërisë civile, arkitektë të organizuar dhe të lidhur me njëri-tjetrin vetëm për shkak të kauzën që atë po mbrojnë dhe ka nisur një lëvizje, e cila po krijon një model të ri, të reagimit qytetar ndaj padrejtësive dhe për t’i thënë që në qytet, në Shqipëri, në komunitetin tonë, në këtë vendin tonë ata që zotërojnë pushtet nuk mund të jenë kurrë më të fuqishëm dhe të dhunshëm ndaj shoqërisë në tërësi. Qytetarët janë shumë e shumë më tepër se pushtetarët. Ata që duan emancipimin dhe zhvillimin e vendit janë shumë e shumë më tepër se sa një grup i vogël njerëzish që përfiton nga betoni. Pra, në këtë kontekst, unë mendoj që ajo lëvizje në një afat të mesëm në këtë vend do ta orientojë shoqërinë dhe shoqëria ka nevojë për mendimin intelektual, për mendje të tilla, për njerëz me kurajë, me guxim, që mund të duken pak në numër në një moment të caktuar, por jam i bindur që në një moment tjetër i bashkëngjiten ata që janë me mendjen dhe zemër sot atje dhe fizikisht dhe e udhëheqin shoqërinë në një model të ri. Ne kemi nevojë për një model të ri, për një model të qytetarisë edhe tek mënyra e komunikimit.

A mundet që një i zgjedhur lokal t’i flasë Presidentit me një gjuhë të tillë të papranueshme?
Nuk ka ndodhur kurrë më parë në Shqipëri, nuk ka ndodhur. Natyrisht ajo është një çështje që reflekton formimin, kulturën, edukatën individuale, por reflekton nga ana tjetër edhe ambientin, i cili kultivon këtë mënyrë të sjelli dhe kontrasti i madh është me këtë pjesë tjetër të qytetarëve të Shqipërisë të cilët qëndrojnë atje pavarësisht dhunës verbale, padrejtësisë së madhe sociale dhe shoqërore që u bëhet, qëndrojnë atje me dinjitet dhe kërkojnë të diskutohet, kërkojnë të qëndrohet dhe sillet në mënyrë të civilizuar për mënyrën që shqetësojnë sot qytetin e Tiranës apo gjithë qytetet e tjera në vend.

Gazetarja: Megjithatë këta janë një grup i vetëquajtur dhe cilësuar si ambientalist, po dje në shtyp ka pasur le të themi akuza ndaj jush le të themi jeni në mbështetje të një grupi ambientalistësh ndërkohë që jetoni në një pjesë, banesë që ndodhte në Parkun për të cilin po bëhet edhe debati dhe eskorta juaja kalon pikërisht përditë brenda ambienteve të këtij Parku?

Presidenti Nishani: Ky është standardi ku ka degraduar mënyra e komunikimit, për fat të keq, dhe natyrisht mua më vjen shumë zor që të shpjegoj dhe të japë shpjegime dhe të përgënjeshtroj spekulime të këtij niveli krejtësisht vulgar.

Së pari, të gjithë Presidentët e Republikës, unë dhe ata që kanë qenë para meje, për shkak të natyrës dhe Protokollit të Shtetit jetojnë dhe funksionojnë, pra jo vetën jetojnë, por Presidenti edhe funksionon si Institucion në rezidencën presidenciale, e cila përfaqëson dinjitetin e shtetit, por edhe aktivitetin e shtetit, sepse Presidenti është 24 orë në aktivitet si Kreu i Shtetit shqiptar. Është një rezidencë, e cila është ndërtuar, në mos gaboj, rreth viteve ’60-të. Pas viteve ’90-të ka funksionuar si rezidenca presidenciale. Nuk ndodhet brenda Parkut të Tiranës. Ndodhet jashtë Parkut të Tiranës, por nuk ka rëndësi kjo. Akuza që bëhet është se ajo është vilë personale e Bujar Nishanit. Pra, që në këtë moment kuptohet vulgariteti i standardit me të cilin tentohet të spekulohet opinioni publik.

Së dyti, absolutisht në asnjë rast eskorta ime nuk ka kaluar dhe nuk kalon përmes Parkut, përkundrazi. Atëherë, unë thashë që më vjen shumë zor që merrem me detaje të tilla, por na detyrojnë standardet për të cilat tentohet të spekulohet me opinionin publik dhe në respekt të opinionit publik na duhet të japim edhe ne këto detaje. Udhëtimi im është në krahun e Saukut, përmes rrugës që shkon për tek Kopshti ‘Sos’, dal në kryqëzimin e Saukut, dhe vij në zyrë dhe ky është rrugë kalimi im. Natyrisht kur ka pasur aktivitete zyrtare, siç ishte rasti i nderimit të ushtarëve britanikë, vendprehjet e të cilëve ndodhen në kodrat e Liqenit, në raste të tilla Presidenti duhet të shkojë i eskortuar deri atje, sepse këto janë edhe rregullat e shtetit, por, spekulime të tilla, të këtij niveli në fakt, mua më bëjnë të ndihem keq. Për faktin që përdoret hapësira mediatike dhe komunikimit publik, që një individ e përfiton për shkak të pozicionit që ka për të deformuar perceptimin e qytetarëve shqiptarë dhe ne jemi të detyruar për të japim sqarime, në fakt për të mos i lënë vend pikërisht deformimit, deformimit të perceptimit tek qytetarët shqiptarë, dhe kjo reflekton kulturën dhe ne këtë kulturë duhet të ndryshojmë dhe këtë kulturë duhet ta izolojmë, kulturën e deformimit, kulturën e spekulimit, kulturën vulgare, kulturën e një sjellje banale. Ne duhet të shkojnë drejt një modeli këtyre të rinjve dhe të rejave dhe ata unë jam i bindur që e kanë marrë tashmë dhe kemi nevojë që brezi i ri të marrë dhe të ofrojë një kulturë, një model të ri dhe të bërjes politikë dhe të komunikimit publik dhe të përballjes me sfidat që ka shoqëria jonë dhe të adresimit të sfidave që neve kemi.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: