Nga: MARIGLEN MERTIRI*TIRANE-I përfolur prej kohësh për poste me rëndësi, sot i është besuar një sfidë jo pak e vështirë siç është kandidimi për postin e bashkisë më të madhe në vend, asaj të Tiranës. Ishte mësuar që të ngrihej i shqetësuar kur telefoni i binte orë e pa orë ndërsa sot, dita e tij ka ndryshuar, fle e zgjohet i shqetësuar se çfarë do të bëjë më mirë për të gjithë qytetarët.


Tashmë që fushata ka filluar Halim Kosovën e gjejmë në takime të vazhdueshme me qytetarë të ndryshëm të Tiranës. Komunikim i thjeshtë, pa gjuhën e drunjtë të politikës me qytetarët, e karakterizon këtë fushatë të tijën si babaxhane, një fushatë që ka ndezur motorët për të zgjuar shpresën dhe forcuar bindjen se, po, Tirana mund të bëhet edhe më e mirë. Fushatën e bën në mënyrën e tij, megjithëse këshillohet shumë, me aftësitë menaxheriale të sprovuara në kaq vite, i jep të drejtë, kur e cilëson vetveten, këshilltarin më të mirë.

Si nis dita në këtë prag fushate që sa vjen e intesfikohet ?
Dita nis, hap sytë shoh orën dhe shpejt bëj llogari kohën për tu bërë gati për mbledhjen e mëngjesit çdo ditë në orën 09:00. Bëj një farë parapërgatitje dhe pastaj me stafin mblidhemi dhe bëjmë pyetje përgjigje për zgjidhjet me të mira, pastaj nis itinerari në çdo cep të Tiranës.

Një karrierë e konsoliduar e juaja në mjekësi, përse vendosët ti hyni politikës tani ?
Kur një njeri vendos në vij punët e familjes, përse të mos e kthej kokën dhe të shoh për të përgjithshmen e cila nuk ka qenë aq e kënaqshme sa e mendonim. I bëj shërbim 30-40 vetëve, janë shumë të kënaqur, tani pse mos të jem në dispozicion te 300 vetëve kur dhashë një provë që mund të bëj diçka. Vinte ora 6-7 pasdite ishin bere 150 vizita me 6800 lekë të vjetra rrogë dhe një njeri nuk del të më thotë që unë kam përfituar nga këto.

Nuk preferon të merret me akuza por mundohet të njohë realitetin dhe bluan me mendjen e tij se kush duhet të jetë zgjidhja.

Ju njiheni në punë si administrator shumë i mirë dhe njerëzit besojnë se mund të këtë ndryshim nga kjo qasje juaj është e vërtet kjo ?
Kjo është edha jo që unë mora këtë rrugëtim, komunikimi me pacientët dhe familjarët për çdo gjë që ata shihnin që nuk shkonte në maternitet ka qenë një nga veprimet më të vyera për mua të cilën e bëra kur isha ministër. Shko në QSUT e ke tani “Vepro Tani” dhe numër falas por sot nuk punon linja dhe as nuk e heqin dhe as nuk e hapin linjën.

Në shumicë por korr frytet e punës në shëndetësi ku shumë gra deri në mallëngjim përbetohen për aktin human që një njeri si Halim Kosova ju gjend në një moment të vështirë në jetë.

Në shumë takime edhe sot ne ndoqëm, ka shumë gra që thonë na ke shpëtuar, si ndiheni ju kur profesioni dhe të mirat e profesionit tuaj ju ndjekin edhe në këtë fushatë ?

Nga profesioni im mbaj mend një gjë, që kurrë nuk do më hiqen nga mendja, rastet që nuk kane shkuar si kam dashur unë apo pacientët dhe megjithëse të pakta ato janë të rrënjosura dhe i di me adresa dhe emra atyre që u kanë ndodhur dhe jam munduar të shoh në gabimin e bërë, përgjegjësinë time dhe të sistemit shëndetësor. Analiza korrekte e gabimit, një tjetër sukses që kam pasur mundësi të rregullojë diçka. Konkulzioni që më shtyu për drejtimin e shëndetësisë shqiptare, sado mjek i mirë dhe me rezultate të mira, ajo që e mbron jetën e pacientit është sistemi shëndetësor në vend.

Nëse vini në Bashkinë e Tiranës, cila është diagnoza emergjente që do të bëni për Tiranën ?
Nuk kam një diagnozë, por nëse ma kërkon me një fjali e kam të qartë, “Punë dhe dinjitet”. Suksesi im do jetë përzgjedhja e njerëzve te motivuar për qytetarët, u them qytetarëve që bashkia është e juaja dhe jemi në shërbimin tuaj, shumë gjëra të mjekësisë që ishin të suksesshme në menaxhim do ti kthej për bashkinë. E bëja për 300 pacientë, tani për 1 milionë vetë.

Slogani juaj është ‘Pune dhe dinjitet”, si mendoni do ta ktheni punën për qytetarët në Tiranë ???
Nuk shoh e ka fajin qeveria apo të shoh t’ia kalojë politikës, për një situatë të papëlqyeshme marr përgjegjësitë e mia. Përgjegjësitë e mia, kam për borxh të bëj negociata në bisedime dhe ti trokas kujtdo politikani nga kryeministri e me radhë për të mirën e punës së qytetarëve. Sa vende pune do hapen po të nis bulevardi i ri, sa ndërtime do bëhen, sa njerëz do punësohen.

Këto projekte që nuk u realizuan në 4 vjeçarin e parë, do t’i vijoni apo rishikoni ?
Kjo nuk diskutohet, pasi këto kanë filluar dhe do vijojnë dhe do mendojmë për të tjera. Qeveria thotë do bëj më të mirat për qytetarët, por Shqipëria është e ndarë në menaxherë që kanë copa të ndryshme në këtë Shqipëri. Unë e quaj absurde që unë nesër si kryetar bashkie të dua të bëjm më të mirën ndaj qytetarëve dhe qeveria thotë kështu, përse të mos ti bashkojmë të dyja idetë që të bëjme me të mirat për qytetarët. Unë jam thjesht një menaxher dhe i jam futur kësaj pune për të thëne se ky vend bëhet, por ka një sekret, njeriu i duhur në vendin e duhur. Çdo institucion në vend ka marrë fytyrën e atij që e ka drejtuar.

Për të debati është një hall më shumë për qytetarët ndaj ai preferon të flasë dhe të premtojë punë konkrete.

Rivali juaj ju ka shtrire dorën për debat, a do ta kemi një debat pas kaq vitesh të munguara për kryeqytetin ?

Debati nuk është i munguar por është me tepri, kujto parlamentin çdo te enjte. Pyes qytetarët, debate ?! na ka ardhur në maj të hundës. Debat për debate nuk ka fryte konkrete. Çdo minutë të mendojmë diçka për të mirën e qytetit. Sa më shumë takoj njerëz sa me shumë vizitoj zona dhe komuna, 14 komuna dhe 115 fshatra, se kam ditur sa e madhe është Tirana. Të përqendrohemi që të gjejmë rrugën më të shpejtë për të kthyer besimin për të bërë ato që sheh.

Z. Kosova, erdhi data 22 maj, kur do ta kemi gati programin ?
Një grup ekspertësh që unë kam diskutuar po punon për programin dhe ne etapë pas etape konsultohemi bashkarisht dhe mendoj që do kemi një program me shtylla të qarta të perspektivës, i kuptueshëm dhe jo shumë i fryrë me premtime. Ideja ime, mos thuaj shumë por ato që ti thuash ti bësh. Kjo është gjeja më e rëndësishme që njerëzit të besojnë se një frymë tjetër por vjen në Tiranë që vërtetë atë që thotë e çon deri në fund. Çfarë nuk ka shkuar mirë që kam informacion edhe tani, do ti rregullojmë dhe do analizojmë çdo gjë që nuk ka ecur me ritmin e kohës.

Edhe fshatrat e Tiranës kanë vëmendjen e tij. Nga lagjet e vjetra te Tiranës në zonën e ‘Myslym Shyrit’, pasditja e gjen Halim Kosovën drejt Komunës së Petrelës dhe pikërisht në fshatin Ibë.

Si e mendoni, e rikonceptoni afrimin e fshatit me Tiranën pasi ajo është bërë shumë e gjerë ?

Çdo banor i kryeqytetit tashmë me këtë reformë duhet ta konsiderojë veten kryeqytetas kudo që të jetë. Çdo komunë dhe fshat, pse jo të mos konsiderohet nga bashkia dhe qytetarët si kopshtet personale për prodhimet bio shumë afër vendeve që ata banojnë.

A është zgjidhje krijimi i tregjeve dhe lehtësia e tyre për ti afruar pranë qendrës së kryeqytetit ?
Bashkia e Tiranës merr në dorë menaxhimin e këtyre mundësive që kemi përpara në mënyrë që të kordinojë dhe të krijojë mundësi si për prodhuesin dhe për atë që e merr në mënyrë që ai që e prodhon ta prodhojë me kosto sa më të mirë, duke i tepruar lekë në xhep për ta zhvilluar biznesin dhe të marrë njerëzit në punë ashtu edhe qytetarët e Tiranës ti vinë me çmime shumë të arsyeshme dhe të mos kemi qytetarë të Tiranës që kalojnë para domateve e kastravecave që shohin çmimet dhe vazhdojnë rrugën, por ti marrin ato.
Ne do bëjmë punën tonë edhe duke reduktuar akoma më shumë taksat që realisht bashkia ka në dorë.

Me zgjerimin e Tiranës, a keni menduar për një rikonceptim të transportit për të afruar sa më shumë këta qytetarë ?
Tiranës së madhe ti japin të gjitha mundësitë e komunikimit të përshtatshme dhe sa më afër qytetarët që jeta e tij të lehtësohet dhe të mos vështirësohet edhe në këtë pikë të jetës së përditshme të jetës së banorëve të kryeqytetit.

Në qytetin e studentëve ku gëlon rinia, Halim Kosova preferoi të shihte ndeshjen gjysmë finale Bajern-Juventus. Megjithëse natyrë sportive nuk preferoi të tregojë se për kë bënte tifozllëk, ai preferonte të ishte me qytetarët pa bërë dallim.
Sikundër goli kualifikues për skuadren e Juventusit, doktor Kosova por pret të bëjë golin e tij në sfidën e 21 qershorit.
Axhenda e tij vazhdon te jete po aq e ngjeshur edhe në ditët në vijim deri në përfundim të garës së madhe. Aq sa përkushtimi për qytetarët nuk i ka lënë kohë për të takuar mjaftueshëm familjen.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: