(Në përditësim)
* Stuhi e reshje në Tiranë, bllokohen rrugët, vështirësi qarkullimi
* Përmbytet autostrada Tiranë-Durrës
* Fushe-Kruje, uji në banesa arrin 1 metër lartësi
* Rebeshi në veri, disa zona pa energji elektrike, rrëshqitje inertesh në rrugë
* Rrëzohet pema tek rruga e Barrikadave në Tiranë

TIRANË- Që prej mesnatës së të shtunës reshje të dendura shiu dhe erëra të forta kanë mbërthyer zonat në veri dhe jug të vendit. Për pasojë në disa rrugë ka prezencë të madhe uji, rrëshqitje inertesh por edhe përmbytje. Shirat e rrëmbyeshëm kanë krijuar probleme sidomos në qytetet e Vlorës, Durrësit, Fierit dhe po ashtu edhe në kryeqytet.

Moti i keq i mori jetën një peshkatari në Kune të Lezhës, ndërsa sot një 27-­vjeçar nga Dibra është shpallur i humbur, pasi ka humbur kontaktet me familjarët prej mbrëmjes së djeshme. Dyshohet se i riu Adil Vladi mund të jetë mbytur, pasi shkoi për të pastruar kanalet e HECE­-ve Lura 1 dhe 2. Shërbimet e policisë janë vënë në kërkim të tij.

Në veri të vendit, qytetet e Kukësit dhe Tropojës dhe disa fshatra nuk kanë energji elektrike. Disa segmente rrugore në Vlorë janë bllokuar nga niveli i lartë i ujit, dhe po ashtu edhe në Tiranë ku reshjet kanë sjellë probleme me qarkullimin në disa akse, madje dhe një pjesë e autostradës Tiranë-Durrës është mbuluar nga uji.

Në të njejtën situatë u zgjua sot edhe kryeqyteti, ku reshjet e dendura dhe erërat e forta përmbytën rrugët, lumi Lana doli nga shtrati duke përmbytur Bathoren, Paskuqanin dhe Laprakën, por jo vetëm. Probleme ka pasur edhe në rrugët ‘Siri Kodra’ deri tek tregu ‘5 Maji’, po ashtu edhe tek rruga ‘Ali Demi’. Vështirësi qarkullimi edhe tek ‘Zogu i Zi’ deri në Laprakë. Edhe banorët e rrugës ‘Karl Gega’ ankohen se uji iu ka hyrë në banesa. Përmbytje ka patur edhe tek zona e Inxhinierisë së Ndërtimit, Komuna e Parisit, Unaza e Re. Raportohehet se uji ka hyrë edhe brenda bizneseve apo lokaleve në cep të rrugës.

Situata më e rënduar ka qenë në zonat rurale, ku ka pasur rrëshqitje dherash dhe gurësh, duke çuar edhe në bllokimin e disa rrugëve. Reshjet e dendura të shiut kanë kufizuar në minimum rrezen e shikimit për drejtuesit e automjeteve, duke vështirësuar trafikun dhe shtuar rrezikun nga aksidentet.
Në Vlorë, rruga për në Orikum kalohet me vështirësi për shkak të rrëshqitjes së dherave. Ndërsa në Fier, lumi Gjanica ka dalë sërish nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa. Situata është më kritike në lagjen “1 Maji”. Edhe në Sheq të Madh dhe Sheq të Vogël gjendja është rënduar. Në qarkun e Durrësit shirat e rrëmbyer të shoqëruar me erë të fortë lanë pa energji elektrike Sukthin, Thumanën, Gjirin e Lalzit, Xhafzotajn, Spitallën, Dervenën, Borizanin dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Po ashtu mësohet se në Durrës tragetet kanë vështirësi në ankorim, teksa njëri prej tyre ka arritur të ankorohet vetëm 24 orë pas mbërritjes.

ARRSH: ASNJË AKS KOMBËTAR ME PROBLEME NË QARKULLIM
Ora 19:17- Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se aktualisht nuk ka asnjë aks kombëtar me probleme në qarkullim. Gjatë ditës si pasojë e rreshjeve dhe prurjeve ka patur probleme në pjesën e Ibës, në rrugën Tiranë- Elbasan, por grupi i punës ka ndërhyrë duke pastruar rrugën nga mbetje të ndryshme të sjella nga rreshjet e dëndura, si dhera e gurë. Ky aks rrugor është i kalueshëm dhe nuk paraqet probleme në qarkullim.

Në rrugët, Skuraj- Burrel, Burrel- Qafa Buallit dhe Kubije- Vasie ka patur probleme si rënie gurësh e dherash, por pas ndërhyrjes së grupeve të punës, rruga është e kalueshme dhe nuk paraqet probleme në qarkullim. Rruga e Kombit, gjithashtu nuk paraqet probleme në qarkullim. Në pjesë e Kasharit në autostradën Tiranë -Durrës, ka patur bllokim për disa orë si pasojë e rreshjeve gjatë orëve të paradites, por pas ndërhyrjes situata është normalizuar. Dhe aktualisht nuk ka probleme.

ARRSH, ju bën thirrje drejtuesve të automjeteve të jenë të kujdesshëm, për shkak  se priten rreshje të dendura në gjithë vendin edhe në ditët në vazhdim. Ndërkohë grupet e punës janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën.

SITUATË E RËNDË NË KUKËS, MBLIDHET SHTABI I EMERGJENCAVE
Ora 18:30- Situatë e rënduar në Kukës për shkak të motit të keq! Shtabi i Emergjencave është mbledhur në mbrëmje për të diskutuar masat për zhbllokimin e rrugëve dhe normalizimin e situatës. Kjo, pasi në rrugët që lidhin Kukësin me Bushtricën dhe Shishtavecin ka rrëshqitje gurësh e dherash. Ndërkohë mësohet se në Tropojë janë dëmtuar 16 banesa dhe në Has 2 objekte biznesi. Gjithashtu ka probleme me energjinë elektrike në 5 njësi administrative.

PËRMBYTJE NË DALJE TË QYTETIT TË BURRELIT
Këto foto janë bërë 2 km nga qendra e Burrelit në aksin që lidh qytetin me Milotin. Vendi ku janë bërë njihet si zona e “Ish-bazës së asfaltimit”. Për shkak të gurëve dhe ujit, mjetet kanë patur vështirësi për të qarkulluar.

Burrel 4Burrel 3

DALJA E LUMIT, EVAKUOHEN 11 FAMILJE NË TIRANË
Ora 18:00- Policia e Tiranës, shërbimet e patrullës së përgjithshme të Komisariatit Nr.5, njoftojnë se tek “Ura e Institutit Bujqësor”, në drejtim të Paskuqan 1, është duke dalë nga shtrati lumit dhe rrezikohen banesat.
Zonat e prekura nga përmbytjet janë Bathore, Paskuqan, Frutikulturë dhe Valias. Policia është në vendngjarje dhe deri me tani janë evakuuar 4 familje.
Gjithashtu njoftohet se edhe nga shërbimet e Komisariatit Nr.4, janë evakuuar nga zona “Kafja e Rremës” 6 familje dhe 1 nga zona “Ura e Babrroit” dhe janë vendosur te qendra e Romëve.
Policia e Kryeqytetit është në gatishmëri të plotë për situatën e krijuar nga përmbytjet.

PREFEKTI I TIRANËS: PO MARRIM MASAT PËR PËRMBYTJET
Ora 15:40- Prefekti i Qarkut të Tiranës, Sadi Vorpsi deklaroi në një lidhje me telefon se situata në Tiranë është drejt përmirësimit, pasi ka tërheqje të ujit. Vorpsi u shpreh se prioritet mbetet jeta e qytetarëve dhe se janë marrë masat për parandalimin e katastrofave. Gjithashtu ai nxori në pah problematikën në Paskuqan në zonën e Bregut të lumit, ku aktualisht po ndërhyhet për largimin e ujit.
“Problem në zonën e Bregut të Lumit, ku FNSH e zjarrfikësit po monitorojnë procesin për largimin e ujit. Pati një situatë në autostradën Tiranë-Durrës, ku është ndërhyrë gjithashtu nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve dhe situata është përmirësuar. Nuk ka vend për panik, qytetarët të jenë të qetë. Koordinuam edhe punën mes institucioneve”, tha Vorpsi.

PËRMBYTJET NË TIRANË, MB: PO NDËRHYJMË ME MOTOPOMPA
Ora 15:35- Ministria e Brendshme pohon se ka ndërhyrë me motopompa në kryeqytet për largimin e ujit. Bëhet fjalë për zonat më problematike, si Paskuqani. Në operacion për largimin e ujit, kanë marrë pjesë edhe forcat e ushtrisë.

PROBLEME NË QARKUN E GJIROKASTRËS, NË PËRMET NGORDHIN 30 KRERË BAGËTI
Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme dhe në Qarkun e Gjirokastrës. Mësohet se në Petran të Përmetit rrezikohet një stallë bagëtish, ndërsa që kanë ngordhur rreth 30 krerë bagëtish të imëta. Ndërkohë, situata është vështirësuar dhe në qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë.

PLAGOSET ELEKTRICISTI NË KUKËS, RA NGA SHTYLLA TEKSA RIPARONTE DEFEKTIN
Riparonte defektet për rikthimin e energjisë elektrike në zonën e Kukësit, bie nga shtylla e plagoset elektricisti. Nga të dhënat paraprake, mësohet se Mexhit Muja, pasi ka mbetu ri plagosur është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore. Fatmirësisht elektricisti ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Prej dy ditësh shumë zona në qarkun e Kukësit vijojnë të jenë pa energji elektrike, për shkak të motit të keq që ka përfshirë mbarë vendin.

PERMBYTET AUTOSTRADA TIRANË-DURRËS, PËRMBYTEN DISA BANESA NË VORË
Prezencë e madhe uji është vërejtur edhe në autostradën Tiranë-Durrës, duke detyruar mjetet të reduktojnë shpejtësinë e qarkullimit. Raportohet për disa familje të përmbytura edhe në Vorë. Po ashtu edhe në Laprakë, rruga që të çon për në hyrje të autostradës, ka prezencë uji, lartësia e të cilit ka arritur deri në nivelin e trotuareve. Qarkullimi i mjeteve mësohet se është bllokuar në Kashar, siç raportoi nga vendngjarja gazetari Mariglen Mërtiri.

RREZOHET PEMA TEK RRUGA E BARRIKADAVE
Stuhia dhe reshjet e dendura kanë rrëzuar edhe pemë tek rruga e “Barrikadave”. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale pasi pema ka rënë mbi disa mjete të parkuara anës rrugës.

PËRMBYTEN BANESAT NË FUSHË-KRUJË, UJI ARRIN NË 1 M LARTËSI
Përmbytjet nuk kanë kursyer as Fushë-Krujën. Mësohet se dhjetra banesa janë rrethuar nga uji. Raportohet se lartësia e ujit arrin deri në 1 metër, ndërkohë nuk dihet ende se sa është numri i banesave të prekura.

BANORËT E BATHORES: JEMI PËRMBYTUR, S’NA KA ARDHUR NJERI PËR NDIHMË
Një banor i Bathores, në kryeqytet, Nazim Ndreu, deklaroi sot në një lidhje telefonike për News24 se rruga “Azem Hajdari” është përmbytur. Sipas tij, tubacionet e ujërave të zeza kanë shpërthyer, ndërsa shumë banesa dhe automjete janë përfshirë nga uji. “Janë shumë banesa të prekura nga përmbytjet deri tani. Kemi njoftuar policinë, por deri më tani nuk ka ardhur asnjë.”, tha banori.

DËMTOHEN ÇATITË E MBI 150 SHTËPIVE NË MAT
Sakaq, nga raportimet në terren të gazetarin të News24, Enver Doçi bëhet e ditur se në rrethin e Matit janë dëmtuar rreth 150 çati të disa banesave. Problematike sipas tij ngelet situata dhe në akset rrugore, ndërsa mësohet se një urë është shembur.

ZHDUKET PUNONJËSI I HECIT NË DIBËR, DYSHOHET SE ËSHTË MBYTUR
Një 27-vjeçar nga Dibra është shpallur i humbur, pasi ka nderprere kontaktet me familjarët prej mbrëmjes së djeshme. Dyshohet se i riu Arif Vladi mund të jetë mbytur, pasi shkoi për të pastruar kanalet e HEC-ve Lura 1 dhe 2. Por që nga ai moment familjarët kanë humbur kontaktet me 27-vjeçarin. Menjëherë shërbimet e policisë janë vënë në kërkim të punonjësit të një HEC privat.

NJË I VDEKUR NË AKSIN ELBASAN-LIBRAZHD
Një i ri ka humbur jetën mëngjesin e sotëm si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 tek vendi i quajtur “Kthesat e Murrashit”. Drejtuesi i mjetit, shtetasi R.Karai, 27 vjeç, ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit, e më pas është përplasur me bordurën. Si pasojë e goditjes 27-vjeçari është aksidentuar rëndë, duke ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

RRËSHQITJE INERTESH NË SHKOPET TË BURRELIT
Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme dhe në aksin rrugor Burrel-Milot. Sakaq, në Shkopet ka pasur rrëshqitje të vazhdueshme inertesh.

SITUATA NE JUG TE VENDIT
Moti i keq ka përfshirë dhe jugun e vendit. Në Vlorë një pjesë e qytetit por dhe në Orikum, Dukat, si dhe disa fshatra të lumit të Vlorës, Mifol, fshati Fitore dhe komuna Novoselë raportohet se janë pa energji elektrike. Ndërkohë, në Fier, raportohet se lumi Gjanica ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa. Situatë kritike thuhet se është në lagjen “1 maji”. Në qarkun e Durrësit shirat e rrëmbyer dhe me erëra të forta kanë ndërprerë energjinë elektrike për Sukthin, Thumanën, Gjirin e Lalzit, Xhafzotajn, Spitallën, Dervenën, Borizanin dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës.

REBESH EDHE NË VERI, DISA ZONA PA ENERGJI, RËSHQITJE INERTESH NË RRUGË
Një rebesh i fuqishëm shiu dhe ere ka përfshirë edhe veriun e vendit. Për pasojë pa energji elektrike që prej mbrëmjes së të shtunës kanë mbetur Puka, Kukësi, Hasi e Tropoja.

Si pasojë e e reshjeve të dendura ka pasur edhe rëshqitje inertesh në disa akse rrugore. Në Dibër 70 shtëpive iu janë dëmtuar çatitë nga fortuna.

OSHEE NË GATISHMËRI: JA SITUATA E FURNIZIMIT ME ENERGJI ELEKTRIKE NE VEND
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve nëpërmjet rrjetit shpërndarës te energjisë elektrike. Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, brigadat e OSHEE po bëjnë maksimumin për riparimin e defekteve brenda kohe të shkurtër. Gjithashtu, shoqëria thekson se ndërhyrjet në rrjet kanë minimizuar defektet, megjithatë problem vijojnë të mbeten zonat rurale.

Në një njoftim për mediat, OSHEE pohoi se në 10 Drejtoritë Rajonale dhe ne terren po punon një personel prej 1200 punonjësish për riparimin e defekteve, të ndara në 16 grupe për ndjekjen e regjimit të punes dhe 20 inxhinierë të sigurisë në punë.

Nga avaritë të Tensioni i Lartë janë prekur këto zona:
-Linja L 30-5 Shkozet – Mali Robit
-Linja 30-3/1 Shijak – Ndroq
-Pa energji Nst Durrës dhe N/st Porto Romano për shkak të demtimit të linjave 35 kV
– N/st Shkozet vazhdon puna për zëvendësimin e transformatorit të dëmtuar në linjat TM 20 kV, 10 kV, 6 kV

Nga avaritë në Tensionin e Mesëm, janë prekur këto zona:
Gjirokastra
Ka në avari 12 fidra si pasoje e erës së forte dhe kohës së keqe me shi gjate natës e në vazhdim. Zonat e mbetura pa energji janë: Ballaban, Piskovë, Sukë, Lekli, Lunxheri/ Kelcyrë; Zagori, Lazarat Gjirokastër, Kosine Petran/ Permet

Kukës
Ka në avari 9 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë: Rexhepaj, Kalimash, Cahan, Qytet Kukes; Lekbibaj, Fierzë, Rragam, Valbonë, Bujan Pac në Bajram Curri

Burrel
Ka në avari 14 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë: zonat Shupenzë, Kraste, Komsi, Klos, Cerrunje, Sllove, Zall Dardhe

Durrës
Ka në avari 19 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë zonat Xhafzotaj, Spitallë, Romanat, Koxhas dhe ish Kenete

PËRMBYTJET, VORPSI MBLEDH EMERGJENCAT: PRIORITET JETA E QYTETARËVE
Nisur nga situata e rreshjeve të rëna me intensitet orët e fundit në shumë zona të vendit dhe ndërprerjes së energjisë elektrike si pasojë e kushteve të motit, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri urdheroi mbledhjen urgjente të gjithë Shtabeve të Emergjencave Civile në çdo qark, nga Prefektët.

“Janë angazhuar të gjitha strukturat e Emergjencave për të përballur çdo situatë të vështirë dhe ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët i ftojmë të telefonojnë në numrin falas të Policisv së Shtetit 129”, thuhet në njoftimin e MPB.

Pas kësaj Prefekti Sadi Vorpsi ka mbledhur në mesditë Shtabin e Emergjencave. Mbledhja po zhvillohet për koordinimin e punës në terren dhe rritjen e gatishmërisë.

Prefekti Vorpsi shprehet se prioritet mbetet jeta e qytetarëve dhe parandalimi i katastrofave.

“Prioriteti ynë është jeta e qytetareve dhe parandalimi i katastrofave. Synojmë që të garantohet kalueshmëria rrugore. Një rëndësi e veçantë duhet t’ju jepet ujëmbledhësve”,- tha ai.

PANARITI: HIDROVORET PUNOJNË, SITUATA E BASENEVE NËN KONTROLL
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti deklaroi sot se deri në orën 12:00 nga verifikimet në terren, hidrovoret kanë qenë në punë. Sakaq, ministri bëri me dije se nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa theksoi se po punohet për mbajtjen nën kontroll të baseneve. Ai shtoi se deri më tani basenet janë nën kontroll dhe monitorim. Reshjet e shiut në mbarë vendin kanë shkaktuar dëme të mëdha, që nga banesat dhe rrugët.

OLLI: VELIAJ TË HEQ DORË NGA ROLI I METEOROLOGUT, POR TË MARRË MASA
Leonard Olli, këshilltari i djathë në Këshillin bashkiak të Tiranës në një status në rrjetin social “Facebook” ka komentua situatën e rënduar nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të shiut. Ai akuzoi kryetarin e bashkisë, Erion Veliajn se nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e situatës.

“Situatë alarmante në Tiranë nga reshjet e shiut. Zona të tëra nga qendra e deri në periferi janë përmbytur dhe banorët janë tërësisht në dore të shiut. I kërkojmë kryetarit të bashkisë Tiranë që në vend që të luajë rolin e meteorologut të marrë masa urgjente e të nxjerrë ekipet e punës në terren për të mbrojtur jetën dhe pronën e çdo banori, ku ne këshilltarët e djathtë jemi të gatshëm të japim ndihmë dhe kontributin tonë. Për fat të keq, mungesa e vizionit në drejtimin e qytetit në këto 3-4 muaj të fundit, betonizimi pa kriter gjatë 11 viteve të Rames si kryebashkiak kanë sjellë këto pasoja. Është koha për reagim te menjëhershëm ne terren dhe jo për justifikime boshe ne rrjetet sociale e nr. shërbimesh jashtë funksioni.”, citohet në mesazhin e Ollit.

RESHJET, HAJDARMATAJ: BANORËVE NË KUKËS U JANË DËMTUAR ÇATITË, NË DISA ZONA RREZIKOJNË TË MBETEN PA USHQIM
Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj, ka reaguar ditën e sotme për situatën e krijuar në zonat verilindore të vendit si pasojë e reshjeve të shiut dhe stuhisë. Duke folur për “News 24” është shprehur se situata në Kukës është e rënduar, si pasojë e dëmeve të mëdha që kanë shkaktuar erërat e forta.

Hajdarmataj u shpreh se reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash, duke lënë të bllokuara disa zona.

“Atyre u janë dëmtuar çatitë e banesave, dhe disa prej tyre kanë rrezikuar t’u shemben banesa. Disa banorë do të ngelen pa ushqim si pasojë e situatës së reshjeve, pasi kanë ngelur të bllokuar. Po kështu mungon energjia elektrike”, tha deputetja Mimoza Hajdarmataj.

MBLIDHET SHTABI I EMERGJENCAVE NË ELBASAN, KAMAMI: VIJON PUNA PËR TË MBAJTUR HAPUR AKSET RRUGORE
Reshjet e dendurave të shirave dhe moti i keq kanë shkaktuar një situatë të rënduar edhe në zonën e Elbasanit, me përmbytje nga uji, mungesë energjie elektrike, dëmtime të urave, bllokime rrugësh për shkak të inerteve, etj. Nisur nga kjo situatë, me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, janë mbledhur Shtabet e Emergjencave në çdo Prefekturë, të cilat po ndjekin dhe monitorojnë situatën në vazhdimësi.

Gjatë mbledhjes së Shtabit të Emergjencave për Elbasanit, prefekti Arben Kamami tha se në terren janë organizuar dhjetëra punonjës për të mbajtur hapur të gjitha akset rrugore.

“Ka rënie inertesh në disa akse rrugore, si në rrugën Elbasan-Peqin në Derven, te Kthesa e Murrashit, dhe në Qukës. Po kështu ka vështirësi qarkullimi në aksin Cërrik-Gramsh”, tha prefekti Kamami.

(ma.ar/ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: