“Dola te Ola” për të dytin vit radhazi solli çdo të diel personazhe nga të gjitha fushat, të cilët me rrëfimet e tyre të sinqerta erdhën pranë publikut ndryshe nga sa jemi mësuar t’i shohim.

Ata larguan petkun e profesionit të tyre dhe ndanë ndjenjat, dëshirat, pendesat apo edhe pengjet, me sinqeritet, si rrallëherë ndodh në emisionet televizive shqiptare.

Figura të rëndësishme u ulën edhe këtë sezon në poltronin e verdhë të “Dola te Ola”, duke filluar nga artistë të mëdhenj, si Aleksandër Gjoka, Aurela Gaçe, Myfarete Laze, Liljana Kodakçi, Bujar Kapexhiu, Saimir Kumbaro, Ema Andrea, Genc Fuga Bujar Qamili, e duke vijuar me politikanë si Bamir Topi, Sali Shehu, Taulant Balla, Agron Duka, Nard Ndoka dhe shumë e shumë të tjerë.

Pjesë e pandarë e programit kanë qenë edhe këngëtarët e njohur korçarë Endri dhe Stefi Prifti, të cilët përveçse kanë kënduar gjatë gjithë programeve, kanë bërë edhe pyetjet e tyre të veçanta për gjithë të ftuarit.

Çdo të diel për të ftuarit nuk kanë munguar mesazhet surprizë nga njerëzit e tyre të zemrës.

Edhe këtë herë autorja dhe moderatorja Ola Bruko dhe kryeredaktorja Anila Jole, sollën te publiku një program të punuar me shumë dashuri, si një dhuratë të bukur për të gjithë teleshikuesit e News24.

Në këtë puntatë të fundit moderatoja Ola Bruko teksa i falënderoi të gjithë ata që punuan për këtë program, ftoi të gjithë stafin në studio duke e mbyllur këtë sezon në mënyrën më të bukur të mundshme.

Ola bëri edhe një postim në rrjetet e saj sociale, ku falënderoi stafin që përgatit emisionin. “Faleminderit nga zemra të gjithëve ju kolegë të dashur që punuat pa u lodhur e mes një mijë vështirësive duke garantuar një tjetër sezon të suksesshëm të programit aq shumë të dashur të shqiptarëve kudo që janë”, shkroi ndër të tjera Ola në Fb, duke paralajmëruar një takim të përbashkët për të diskutuar projektet e reja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: