TIRANE – Të afërmit e Ida Dervishit, gruas së vrarë nga burri i saj tri ditë më parë, thonë se viktima kishte zbuluar se i shoqi e tradhtonte. Daja i viktimës, Arjan Mancaku, tregon se mbesa e tij kishte zbuluar se i shoqi kishte të dashur.

Mancaku thotë se mbesa e tij i kishte gjetur burrit në portofol foton e një femre, por nuk kishte guxuar t’i thoshte asgjë apo të pyeste nga frika e dhunës. Ndërkohë, një ditë para se dhëndri t’i vriste vajzën, Feride Spahia i ishte lutur asaj që të mos shkonte më tek i shoqi, por të qëndronte në shtëpinë e nënës.

Nëna e Ida Dervishit kishte ditëlindjen dhe e bija bashkë me fëmijët kishte qenë për drekë tek ajo. Por e ëma s’e ka mbajtur dot. Vajza i ka thënë se i shoqi do ta vriste edhe po të rrinte tek ajo, edhe po të kthehej në shtëpi.

Nëna e 29¬vjeçares tregon edhe bisedën me dhëndrin, Admir Dervishi, të cilit i ka kërkuar që të divorcohej me vajzën e saj, por ai nuk ka pranuar. Ndërsa gati një muaj para vrasjes, ai e kishte rrahur aq keq, sa i kishte thyer dhëmbët.

Kur e keni takuar Idën për herë të fundit?
Një ditë para se ta vriste ai. Erdhi këtu bashkë me fëmijët, sepse unë kisha ditëlindjen. Ndenji për drekë, përgatitëm drekën bashkë dhe iu luta që të mos shkonte. Kisha një parandjenjë, sepse një natë më përpara ishte zënë keq me të. Mos shko, i thosha, se ai do të të vrasë. “Ai do të më vrasë, si këtu, si atje”, më tha dhe u largua. Kështu më thoshte gjithmonë. Ai çfarë nuk sajon. Për xhelozi thotë. Kur ishte xheloz, pse i mori dyqan? Por i donte lekët sepse ia merrte çdo ditë. Edhe dy ditë para se ta vriste i kishte shkuar te dyqani, sepse ia bënte xhaketat që shiste me shenjë.

Kjo ishte arsyeja pse kishin debatuar?
Po. “Ku është kjo xhaketa që ishte këtu? Apo e ke shitur?”, i ka thënë. Më pas i kishte kontrolluar sirtarin dhe shitjet që kishte bërë dhe i kishte thënë: “Këtu mungojnë 100 mijë lekë. Ku i ke, apo ia ke dhënë nënës tënde?”. Nëna ku ta ndihmonte, t’i jepte ndonjë gjë, jo t’i merrte. Ata vuanin për bukën e gojës. Atë ditë që erdhi, pra, një ditë para vrasjes, Ida më tha që nuk kishte këpucë për të veshur. Ia dhashë lekët, i thashë të shkonte të blinte një palë atlete. Ai zihej dhe e rrihte për një fjalë goje. Nuk di çfarë të them për atë njeri.

Po me dhëndrin kishit biseduar ndonjëherë? Ju kishte dhënë ndonjë shpjegim pse e rrihte vajzën tuaj?
Po, si me djalin tim. E kam marrë veç vajzës. E mora në telefon, dhe Idës nuk i kam treguar gjë. I kam thënë që Ida nuk ka dijeni për këtë. I kam kërkuar që të ndahet. I kam thënë që nëse do ndonjë tjetër, divorcohu nga vajza ime, martohu me atë tjetrën dhe të jesh i lumtur. Nëse Gjykata do të vendosë që ti t’i takosh fëmijët 2 herë në muaj, unë do të të lejoj t’i shohësh çdo ditë. Vetëm vajzën time ma lër të qetë, se po ma vret, ma ke shkatërruar. “Jo, nëna Rita. Unë vajzën tuaj e dashuroj, nuk ndahem nga ajo”, më tha. “Po si e dashuron dikë kur e gjakos dhe e nxin për ditë”, i thashë. Nuk dija si ta zgjidhja ndryshe. I kisha provuar të gjitha format. Nuk kisha përfshirë njeri tjetër në këtë histori. As djalit, as vëllezërve të mi nuk u kisha treguar asgjë.

(Ndërhyn daja i Idës, Arjan Mancaku).
Ai akuzon mbesën time dhe thotë që ishte xheloz, kur ai vetë kishte një të dashur. Ka qenë vetë Ida që i ka gjetur fotografinë e saj në portofol. Nuk i ka thënë asgjë, se nuk guxonte. Po t’ia kishte thënë, do ta kishte vrarë me kohë. Ashtu ishte ai. Edhe për pisllëqet e veta dhunonte gruan. Ida ka ardhur këtu dhe ia ka thënë nënës së saj. “Mami, ai ka një tjetër, se ia gjeta fotografinë e saj në portofol”, i ka thënë.

Na thatë se deri vonë, ditën e ngjarjes, keni menduar se vajza juaj ishte gjallë. Kur e morët vesh se kishte ndërruar jetë, kur shkuat të merrnit fëmijët?
Jo, as kur shkova aty nuk e dija që ajo kishte vdekur. Fillimisht mezi i gjeta shtëpinë. Kam shkuar te rajoni i Policisë që kam pyetur, sepse aty kishin pak kohë që kishin shkuar dhe unë nuk kisha qenë ndonjëherë. Fillimisht i kam telefonuar një punonjësi policie, që ishte në dijeni të problemeve mes vajzës sime dhe të shoqit. Më kishte thënë vetë që ta telefonoja për gjithçka, sepse ishte shefi i asaj zone, sipas tij. Por kur e mora unë në telefon, më tha që nuk është më i asaj zone. Dhe ky është një dyshim e një pikëpyetje e madhe. Megjithatë e gjeta shtëpinë. Pastaj nuk po gjeja fëmijët, sepse ai, pasi kishte vrarë vajzën, i kishte çuar te një komshie. Aty kishin mbërritur edhe motrat e tij. I morëm fëmijët bashkë me ato dhe i kam sjellë në shtëpinë time, bashkë me fëmijët. Gjithnjë duke menduar se vajza ime ishte gjallë, sepse nuk më tregoi askush. Po ta dija se ai më kishte vrarë vajzën, unë do t’i kisha vrarë motrën e tij. Kokë për kokë.

Kur e mësuat se kishte vdekur?
Nga televizori e kam marrë vesh që vajza më kishte vdekur, ma kishte vrarë ai maskarai. Por atëherë motrat e tij kishin ikur. Mund ta kenë marrë vesh para meje, në ndonjë formë tjetër. Unë e kam varrosur vajzën 29 vjeçe me protezë në gojë. Ia kishte thyer dhëmbët duke e rrahur. Nuk i kishte lënë dhëmb në gojë para një muaji. Ida ishte sëmurur. Kishte raste që i binte të fikët dhe rrinte 15 minuta sikur ishte në gjendje kome. Askush nuk bëri asgjë për të parandaluar këtë ngjarje, edhe pse të gjithë ishin në dijeni. (panorama)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb