Bregu perëndimor i shtetit amerikan Florida po përgatitet për ardhjen të mërkurën e stuhisë tropikale “Elsa”, e cila solli reshje të rënda në Kubë dhe goditi ishujt Florida Keys.

Kushtet e përkeqësuara të motit në Floridan e jugut të krijuara nga “Elsa” po pengojnë kërkimin për të mbijetuarit e shembjes së pjesshme të një pallati që punëtorët shkatërruan plotësisht të dielën.

Qendra Kombëtare e Uraganeve (NHC) tha të martën vonë në mëngjes se “Elsa” pritet të “lëvizë pranë ose mbi pjesët e bregut perëndimor të Floridas gjatë natës së sotme”, përpara se të zbresë të mërkurën në mëngjes “përgjatë bregdetit verior të Gjirit të Floridas”.

NHC-ja njoftoi se një paralajmërim për rrezik uragani ishte në fuqi që të martën përgjatë një shtrirje prej 290 kilometrash të Bregut të Gjirit nga ishulli Egmont Key në rajonin e Gjirit Tampa deri në lumin Steinhatchee.

Metereologët parashikojnë që “Elsa” të forcohet ngadalë deri të martën në mbrëmje dhe do të marrë pothuajse forcën e një uragani përpara se të zbresë në Florida, pas së cilës pritet të dobësohet ndërsa lëviz më në brendësi. “Elsa” kishte erëra të qëndrueshme maksimale prej 95 kilometrash në orë të martën vonë në mëngjes.

Të martën priteshin reshje në qytetin bregdetar të Surfside, ku u shemb pallati më 24 qershor.

NHC gjithashtu paralajmëroi se “Elsa” mund të sjellë stuhi me rrezik për jetën, përmbytje dhe tornado të izoluara.

“Kombinimi i një stuhie dhe batice do të bëjë që zonat normalisht të thata pranë bregdetit të përmbyten nga ngritja e ujërave që zhvendosen në brendësi nga vija bregdetare”, tha NHC-ja./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb