I ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, ish-kryeparlamentari Kastriot Islami, u ndal të komentojë 100 vitet e parlamentarizmit shqiptar. Islami tha se në këto 100 vite më pak se 1/3 e kësaj periudhe Shqipëria ka pasur një demokraci parlamentare pluraliste. Ndërsa komentoi parlamentin e sotëm, ish-kryeparlamentari u shpreh se sot modeli i së keqes është kthyer në model suksesi.

“Po të analizohet me kujdes 100 vjet dhe më tepër duke u analizuar çfarë u tha në aktivitetin e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, shikojmë që në 100 vjet, periudha më e gjatë ku Shqipëria ka pasur një parlament pluralist, është kjo pas 1991. Ka pasur në fillimet e veta një parlament që ka tentuar të jetë pluralist, ka pasur pastaj një periudhë që Shqipëria ka qenë në luftë, më pas një periudhë e gjatë, rreth 45-vjeçare në komunizëm, pra nga 100 vjet, më pak se 1/3 janë një demokraci parlamentare pluraliste, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Historianët mundohen të gjejnë gjurmë edhe para 1944, për të treguar që Shqipëria ka një periudhë demokratike, por e vërteta është që Shqipëria ka një traditë jo shumë të lartë demokratike, dhe jo shumë të lartë pluraliste, dhe kjo shpjegon se pse edhe në periudhën e këtyre 30 vjetëve ka një konflikt të lartë politik dhe një debat të ashpër, që është theksuar edhe në momente kthesash të rëndësishme, siç është ajo e 1991, që shënoi një moment tranzicioni të vërtetë”, tha Islami, ndërsa komentoi edhe parlamentin e sotëm për të cilin tha se nuk gëzon të njëjtin besim te njerëzit.

“Po të krahasojmë situatat tani me më parë, duhet të biem dakord që ka një progres, por në disa aspekte ka edhe regres. Unë mendoj që regresi kryesor, vjen në atë që quhet cilësi e parlamentit, përbërja e parlamentit, që lidhet me parimin e meritës. Shqiptarët nuk kanë kontribuar shumë që edhe gradualisht të respektojnë parimin e meritës, pra që njerëzit të njohin rregullat e lojës se si duhet ecur. Sot jemi në një situatë që, edhe sipas disa sondazheve, njerëzit kishin më shumë besim te parlamenti, ndërsa sot njerëzit duan të ikin. Sot modeli i të keqes është kthyer në model suksesi. Edhe ato që rrinë në Shqipëri, mendojnë se rruga më e mirë është duke ndjekur një model të së keqes, si korrupsioni, lidhja me krimin etj. dhe kjo ka bërë që në sy të publikut ky parlament të ketë një cilësi të dobët, me njerëz që nuk kanë përgjegjshmërinë që duhet të kenë. Njerëzit mendojnë se politikanët janë mashtrues, janë të lidhur me interesa korruptive, me kriminelë për të garantuar vota dhe e ka bërë parlamentin një parlament që nuk krijon shpresë e perspektivë për të ardhmen. Po të analizohet mirë, nuk po largohen vetëm të varfër, por po largohen edhe njerëz me arsim të mire, nivel të mirë ekonomik, sepse nuk kanë perspektivë për fëmijët e tyre”, u shpreh Islami.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb