Aktori dhe regjisori i njohur, Artan Imami ishte i ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola”, ku ndër të tjera foli edhe për jetën e tij profesionale.
Aktori rrugëtoi nëpër kujtime duke u kthyer në fillimet e karrierës dhe kujtoi se si u përzgjodh për të hyrë në Teatrin Kombëtar. “Ishte përgjegjësi e madhe të hyje në Tetarin Kombëtar, merreshin studentët më të mirë”, tha ai.

Teksa po kujtonte shfaqjet e shumta ndër vite, aktori u ndal te rolet që ka luajtur përkrah aktorit të mirënjohur Robert Ndrenika për të cilin shprehu vlerësimet maksimale. “Për mua është shumë bukur kur luan me Bertin, nuk është më punë por është qejf”, tha ai.

Gjatë bisedës aktori tregoi edhe për projektin që së bashku me Indrit Çobanin kanë ndërmarrë për ngritjen e një skenë teatri në ‘qiell të hapur’. Ai tregoi se në këtë skenë të ngritur pas Teatrit të Kukullave kanë vendosur dy premiera “Gratë e Kazanovës dhe “Shtëpiakë të dëshpëruara”, shfaqje të cilat i kanë vendosur edhe në Teatrin e Operës.
Ai tregoi se skenën tashmë e kanë mbledhur dhe presin që të vijë vera, ndërkohë që aktori tha se uron që pas rikonstruktimit të Teatrit të Kukullave vendi për skenën të mbetet dhe t’i lejojnë për ta ngritur, në të kundërtën do të gjejnë një vend tjetër.
Artan Imami mori dy videomesazhe shumë të bukura nga dy kolegët e tij Indrit Çobani dhe nga Gent Zenelaj, të cilët i dedikuan fjalë zemre por nuk mungoi as humori.
“Është një gur i rëndësishëm i skenës shqiptare”, tha Indrit Çobani, ndërkohë që Gent Zenelaj veçoi durimin që aktorin e karakterizon, “Je shumë i duruar, ndaj emrin duhet ta kesh Durim”, tha ai me humor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb