Edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se është kërcënuar përmes një letre nga bashkëshorti i presidentes, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu.
“Para disa ditësh në postën time në Kuvend më kishte ardhur një zarf, ku shkruhej se ishte dërguar nga presidentja Vjosa Osmani. Pasi e hapa për çudi brenda nuk ishte shkresa nga presidentja, por një letër e pa nënshkruar e Prindon Sadriut. Letra që ma kishte dërguar me emër të presidentes përmbante një kërcënim për padi civile. Arsyeja e përmendur ishte se unë në një prej televizioneve paskam deklaruar se ai ishte ambasador me korrespodencë dhe se nuk rrinte në Shkup dhe udhëton çdo ditë dhe se atë ambasador e bëri bashkëshortja e tij”, ka thënë Musliu.
Ajo ka shtuar se në letrën që Sadriu i kishte dërguar i kishte caktuar edhe afatet se kur do t’i kërkojë falje. “Nëse kjo nuk ndodh atëherë do të pasojë padia ndaj meje”, tha Musliu.
Më herët edhe deputetja tjetër e PDK-së, Floretë Zejnullahu tha se është kërcënuar nga bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu.