Ky nëntë mars, shënoi një vjetorin e prezencës së pandemisë COVID-19 në vendin tonë. Gazetari Erjon Skëndaj, raportoi për “BalkanWeb”, një tablo të përgjithshme të situatës së COVID, në harkun kohorë të një viti.

Gazetari shpjegoi se më 9 mars 2020, u shënuan rastet e para të sëmundjes, ku rikujtoi infektimet e babë e birë, ndërsa shtoi se dyshohet se sëmundja mund të ketë qenë më herët në vendin tonë.

Skëndaj, duke iu referuar ekspertëve, tha se aktualisht ndodhemi në pikën më kulminante të kurbës së pandemisë në Shqipëri. Qytetet me më shumë të infektuar dhe që paraqesin situatën më problematike, janë Tirana, Fieri, Shkodra dhe Gjirokastra. Shqetësuese sipas gazetarit është fakti se COVID-i është shpërndarë në periferitë e vendit, pra ka ndodhur një kalim nga zonat urbane në ato më rurale.

Gjithashtu ai shtoi se numri i vdekjeve deri më tani, sipas bilancit zyrtar është diku tek 2000, pa shtuar këtu sipas gazetarit vdekjet e personave që janë negativizuar, ata që ndërrojnë jetë në spitalet rajonale, private apo dhe në shtëpi.

Gjithashtu ai shtoi se ekspertët thonë se katër muajt e fundit kanë qenë muajt më intensiv ku sëmundja ka gjetur shumë terren në popullsi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb