Nga: Marsela Karapanço*

TIRANE- Shqiptarët e Preshevës do të duhet të presin ende për të përfituar nga marrëveshja e njohjes së diplomave, që kryeministri Edi Rama deklaroi se firmosi në Beograd.

Kryeministri Rama deklaroi në atë kohë se, “Ajo që dëshirova ta lë për ta njoftuar këtu, në këtë takim, është se pas një diskutimi intensiv me Kryeministrin e Serbisë dhe me ekipin qeveritar serb, ne, në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve, por çka për ne është me një rëndësi të veçantë, edhe për njohjen reciproke të diplomave. Çka do të thotë se kësisoj kemi hapur një faqe të re për të gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do të duan të ushtrojnë profesionin e tyre dhe të realizojmë ambicien e tyre. Diploma e Republikës së Shqipërisë nuk do të jetë më, një letër e panjohshme, por një dokument i njohur dhe i barasvlershëm me diplomën e marrë këtu në Republikën e Serbisë.”

Por sot, rreth 5 muaj më pas, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Sokol Gjoka ka deklaruar se Serbia nuk i është përgjigjur marrëveshjes. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Aldo Bumci, i cili akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka gënjyer publikisht shqiptarët e Preshevës.

“Ne kemi qenë prej kohësh për realizimin e një marrëveshjeje të tillë. Ajo ka qenë në dosjen tonë, por pala serbe nuk është përgjigjur. Edhe vijon sot e gjithë ditën që pala serbe mos të na pergjigjet për realizimin e kësaj marrëveshjeje”,- u shpreh Gjoka.

“Kjo do të thotë që kryeministri ka gënjyer publikisht. Marrëveshjet janë klasike. Rama tha që e ka firmosur marrëveshjen, por sot pas kaq shumë kohesh, nuk paska marrëveshje”,-deklaroi Bumçi.

Por Gjoka sqaroi më tej, se marrëveshja po punohet për ta konkretizuar sa më shpejt.

“Deklarata ka qenë publike dhe ka pasur një vullnet politik nga të dyja palët. Ne po punojmë për realizimin e kësaj marrëveshjeje, duke iu imponuar edhe palës serbe. Ne jemi në këtë fazë për realizimin e një marrëveshjeje të tillë. Shumë shpejt do të ketë edhe takime në nivel ekspertësh”,- tha ai.

Deklaratat u bënë sot në Komisionin e Punëve të Jashtme, ku ishte thirrur zv.ministrja e Punëve të jashtme Odeta Barbullushi ku raportoi për rezultatet e dy mbledhjeve të qeverive Shqipëri-Kosovë.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb