TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas incidentit të ndodhur dy ditë më parë në Kavajë, ku ish-futbollisti i Kombëtares Andi Lila u përzu nga fusha e sportit nga autoritetet lokale teksa jepte një intervistë për News24.

Basha e cilëson veprimin ndaj Lilës të turpshëm dhe kriminal teksa tregon se ka komunikuar me futbollistin i cili është pjesë e listave të kandidatëve të PD për deputetë.

Kreu i PD thekson më tej se kjo duhet të marrë fund dhe se “nuk do lejojmë që Shqipëria të kthehet sërish në diktaturë”.

Basha Fb
Basha Fb

“Kjo është e turpshme dhe kriminale!
Sapo përfundova një telefonatë me Andi Lilën, një nga yjet e futbollit shqiptar, të cilit policia i kërkoi të largohej nga fusha e futbollit në qytetin e tij të lindjes në Kavajë, ndërkohë që jepte një intervistë për media. Kjo vetëm për faktin se Lila është një nga kandidatët për deputetë propozuar nga PD Kavajë!
Kjo duhet të marrë fund! Askush nuk do të na mbyllë gojën! Në demokraci çdokush ka të drejtë të thotë çfarë të dojë. Ne do ta mbrojmë me forcë këtë të drejtë të fituar me sakrifica dhe nuk do lejojmë që Shqipëria të kthehet sërish në diktaturë”, deklaron Basha.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb