Myslim Murrizi, deputeti i Partisë Demokratike që nuk ka firmosur për djegien e mandatit sqaroi në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 arsyen pse e mori këtë vendim, kundër Partisë Demokratike.

“Kam qënë konstant në vendimin tim. Nuk jam i bindur si një ish-student dhjetori që ky është vendim i përkrahur nga aleatët tanë që bënë të mundur rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, pra nga Amerika”.

Deputeti i qarkut të Fierit, sqaroi ndër të tjera se: “Nuk gjykoj që është vendim i konsultuar me Amerikën që e sollën PD në pushtet në 92. Shpresoj që ata t’i vënë fre këtij pushteti arrogant”,- tha Murrizi më tej.

Ai tha se njësoj si ai mendonin edhe deputetë të tjerë brenda grupit parlamentar, 7 apo 8, emrat e të cilëve nuk i bëri të ditur.

“Po në mbledhje i thashë fjalë për fjalë të gjitha këto që po them këtu . Unë kam qënë 28 vite në PD nuk vij nga hiçi, nuk më, se kam përdorur si kartë bankomati. Pati edhe të tjerë deputetë që kishin të njejtin mendim si unë, por unë nuk jam i parimit që kur delet shkojnë tek kasapi nuk flasin për njëra-tjetrën. Kishte zëra që mendonin si unë në mbledhje nga Shkodra, Tirana, Korça, ishin 7 po 8 të rinj dhe deputetë karriere që ishin skeptikë për vendimin”,- u shpreh Murrizi.

Ajo që nuk dihet tha Murrizi është hapi tjetër që vjen pas djegies së mandatit. Ai shtoi se askush nga ata që e kanë djegur tashmë mandatin nuk e dinë se çfarë do ndodhë, se kush është hapi i radhës.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb