Qytetarët janë mbledhur sërish përpara godinës së Kryeministrisë në protestën e 73-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij. Gjatë fjalimeve nga sheshi, protestuesit i janë përgjigjur edhe reagimeve të mazhorancës lidhur me thirrjet e përdorura gjatë tubimeve.
Një nga të moshuarit e pranishëm në protestë ka marrë fjalën për të sqaruar konceptin e qëndresës qytetare, duke hedhur poshtë pretendimet e eksponentëve të pushtetit dhe duke i bërë një paralele ngjarjeve historike në vend:
“Patronazhistët e forcave që nuk duan protestën thonë se përdoret fjala revolucion. Fjala përdoret, por jo si revolucioni që bëri PS ku Gramoz Ruçi thoshte se pushteti merret me plumb! Jo si viti 1997 dhe hapja e depove ushtarake.”
Më tej, i moshuari nënvizoi se qëllimi i kësaj lëvizjeje është ndërgjegjësimi dhe emancipation i shoqërisë përmes dijes dhe kulturës, e jo përmes dhunës:
“Ne duam të bëjmë revolucion që të zgjohet populli, revolucion ideologjik e kulturor, sepse me kulturë ecën vendi përpara, me njerëz të edukuar dhe të emancipuar, jo me plumba. Ta marrin vesh patronazhistët që mblidhen dhe na thonë se kërkojmë revolucion: jo revolucion të armatosur, por ideologjik e kulturor! Të zgjohet populli!” deklaroi ai para godinës së Kryeministrisë.
