TIRANË

I renditur i treti në listën e PS-së në Shkodër, ish-kreu i KESH, Benet Beci komentoi sot në studion e emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën pse vendosi të kandidojë më 25 prill. Ai tha se ftesa i është bërë drejtpërdrejtë nga kryeministri Rama dhe ndërsa theksoi se nuk ka qenë një vendim i lehtë për t’u marrë.

“Po është e vërtetë që kam shumë vite në sektorin e investimeve publike dhe njëkohësisht në sektorin e administrimit publik. Për 13 vjet si drejtues Fondit Shqiptar të Zhvillimit kam pas mundësi të jem pjesë e shumë projekteve të rëndësishme me donarët dhe të qeverisë shqiptare. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme por edhe shumë prurje për zhvillimin urban dhe rural të vendit, dhe eksperienca me donarët me thithjen e fondeve ka qenë po ashtu një kontribut i jashtëzakonshëm në këto vite.

Edhe më tej, eksperiencat në KESH, kanë qenë eksperienca të marrëdhënieve dhe të koordinimeve edhe me sektorë të tjerë publikë, sic kemi pas mundësi të operojmë. Po besoj se kjo vjen natyrshëm, për të përdorur eksperiencat e tua profesionale në sektorë të tjerë ose më tej edhe në politikë. Kështu që, nuk ka qenë një vendim i lehtë, por është një rrjedhë e natyrshme në vijueshmërinë e rritjes profesionale.

“Ftesën e kam marrë drejtpërdrejtë nga kryeministri Rama, të cilin e falënderoj shumë për këtë detyrë. Kemi diskutuar, biseduar, analizuar dhe shkëmbyem argumenta, them ka qenë një vendim i pjekur pas një diskutimi të gjatë.” -u shpreh Beci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb