TIRANE– Gjyqtari Tom Ndreca nuk ka mundur të kalojë procesin e Vettingut. Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Firdes Shuli, pas analizimit të kritereve të vlerësimit, vendosi të shkarkojë nga detyra anëtarin e Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca.

Ndreca është një emër i njohur i drejtësisë për opinionin publik dhe mediat. Ai ka qenë relator i çështjes “Tahiri” për bllokimin e pasaportës.

Po ashtu, ka qenë edhe gjykatësi që kryesoi në Kolegjin Zgjedhor çështjen e numërimit të votave në Tiranë, duke rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së për numërimin e votave hedhur në kutitë e gabuara. Një vendim që shpalli fitues në garën për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashën.

Ndreca është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike në degën e Drejtësisë në vitin 1980. Për një periudhë 4-vjeçare, ai ka punuar si prokuror gjyqësor dhe prokuror rrethi në Mirditë.

Në fund të vitit 2017, pasuria e subjektit rezulton e rritur me 4 herë duke kapur vlerën e rreth 22.8 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtshme zënë pjesën kryesore të pasurisë familjare të gjyqtarit Ndreca me një vlerë totale prej 15.4 milionë lekësh. Nga dy apartamente që deklaronte në vitin 2003, në fund të vitit 2017 ai zotëron familjarisht 4 apartamente të blera kryesisht me kursime.

Ai zotëron gjithashtu 6.9 milionë lekë llogari bankare, 300 mijë lekë kursime në cash dhe një automjet me vlerë 200 mijë lekë. Të ardhurat familjare të zotit Ndreca për të gjithë periudhën deklaruese përbëhen nga paga e tij dhe ajo e familjarëve. Në fund të vitit 2017, të ardhurat kapin vlerën e 39.1 milionë lekëve në total.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit nga ana e subjektit, nga të cilat njëra rezulton me probleme me një shumë të pambuluar prej 250 mijë lekësh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: