Prej disa kohësh banorët e Bërxullës janë në protestë për shkak se banesat e tyre preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar. Kryeplaku i fshatit, Muharrem Koni tha në emisionin “Panorama e mëngjesit” në Panorama TV se ata janë të shqetësuar, pasi pronat e tyre shteti po ja merr me vlera shumë qesharake. Por ai u shpreh i vendosur se nuk do të tërhiqen nga protestat.

Sipas tij qeveria nuk ka bërë asnjë konsultim publik, ndërsa thekson se është miratuar vetëm leja zhvëllimore dhe nuk ka asnjë vendim shpronësimi.

“Janë 22 familje që preken dhe kjo është çmenduria më e madhe. Duhet të ishin marrë masat, duhet të ishin sistemuar banorët. Pjesa më e keqe e kësaj është që segmenti i rrugës është linja e interkonjeksionit. Janë 6 shtylla që janë në shtratin e rrugës. Ku do të shkojnë këto shtylla?”, tha ndër të tjera Koni.

Koni nuk ka asnjë shpresë që qeveria të tërhiqet, por e vetmja zgjidhja tha ai është negociata mes palëve, e cila iu ofrua live në studion e “Panorama e mëngjesit” nga avokatja Drita Avdyli.

Ndërkohë një nga banoret, e cila ka tentuar edhe të vetëflijohet duke hipur në shyllë tha se asaj i preket edhe toka edhe shtëpia, ndërsa paralajmëroi edhe akte te tjera të rënda nëse shteti nuk merr masa.
PJESE NGA INTERVISTA

Banorja e Berxullës: Mua më preket edhe toka edhe shtëpia. Në protestojmë sepse kemi toka, kemi shtëpia, jemi fshatarë. Tokat i punojmë ne. Mua më ngelen 7 dynym tokë.

Si është që mos kesh aftësi të mbrosh pronën tënde?

Muharrem Koni: Kjo është për shkak të neglizhencës së shtetit dhe paligjshmërisë. Në kushtetutë përcaktohet qartë që pronar i tokës është ai që e gëzon me certifikatë. Sot toka po na merret në mënyrë abuzive. Çudia më e madhe është që merret për investim të përkohshëm. Po si mund të jetë e përkohshme kur rruga do të jetë e përhershme? Unë jam autokton i asaj zone. Unë habitem me këtë term, investim publik i përkohshëm. Por ky investim është i përhershëm.

Keni pasur paralajmërime më parë?

Muharrem Koni: Unë të paktën kam që në 2019 që kam qenë kryeplak i fshatit dhe në dijeninë time dhe dijeninë e njësisë administrative nuk është bërë asnjë konsultim publik.

Konsultimin publik e kanë bërë fiktiv?

Muharrem Koni: Patjetër. Unë jam detyruar që në moshën 60 vjecare të mësoj ligjet për të mbrojtur këta banorë. Institucionet e shtetit janë ata që bien brenda kësaj katrahure. Gjykata e Apelit i ka dhene te drejte firmes qe te vazhdoje punimet, sepse e ka pasur edhe njehere te fituar me PPP. I ka vene edhe gjobe qeverise per prishjen e kontrates se pare, qeveria është detyruar t’ja japë pa garë.

Jam betuar që ditën e parë që i kam hyrë kësaj rrugë. Pa zgjidhje dhe pa marrëveshje nuk mund ta përvetësoj, sikur unë nesër të vdes edhe për bukë me gjithë fëmijët e mi. Kam 6 fëmijë, I kam shkolluar dhe vuajtjet i di unë.

Sot të fal tokën për 4 euro është çmenduri, me ato prona jetojmë të gjithë. Ja kam bërë një kërkesë zonjës Krifca, nëse ne si banorë na preken 40 ha tokë, mbi 200 të tjera dalin jashtë funksionit, sepse nuk ka rrugë dytësore. Nga dita që ka filluar punimet nuk ka akoma projekt rruge. Këshilli i Ministrave ka miratuar vetëm lejen zhvillimore, pra nuk ka vendim shpronësimi.

Janë 22 familje që preken dhe kjo është çmenduria më e madhe. Duhet të ishin marrë masat, duhet të ishin sistemuar banorët. Pjesa më e keqe e kësaj është që segmenti i rrugës është linja e interkonjeksionit. Janë 6 shtylla që janë në shtratin e rrugës. Ku do të shkojnë këto shtylla?

Si morët vendimin për të hipur në shtyllë?

Banorja e Bërxullës: Duke qenë se ne nuk po na jepnin zgjidhje vendosa të hip në shtyllë. Thashë do vetëflijohem.

Në rast se shteti nuk do veprojë unë do bëj edhe gjëra më të këqija. Ka 5 muaj, dal me një dëshmi invalidi dhe unë i kam thënë policisë pse nuk kapni firmën që ushtron aktivitet në mënyrë të paligjshme po vini këtu tek ne./Panorama Tv

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb