Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka deklaruar se mazhoranca nuk do të njohë asnjë dokument që mban firmën e Sali Berishës. Sipas tij, kjo për shkakun se Berisha është shpallur “non grata” nga SHBA.

“Pra kudo që do të rezultojë e përfshirë firma e zotërisë, dokumenti nuk vlen”, tha ndër të tjera Balla. Ai theksoi se nëse Berisha voton për një kandidat të caktuar për president atëherë do i cilësohet votë e pavlefshme.

Taulant Balla: Ka një gjë që ta dini sot se mund të më bjerë të vij prapë në këtë studio. Ai nuk ekziston për mua.

Blendi Fevziu: Nuk ekziston për ty, por ekziston për të tjerët. Nuk e përcakton ti a ekziston njeriu.

Taulant Balla: Ia kam thënë sot atje e kisha përballë. Sa herë në këtë legjislaturë të vijë një propozim që mban firmën e Sali Berishës nuk hyn në Kuvend.

Blendi Fevziu: Për çdo gjë?

Taulant Balla: Për çdo gjë…

Blendi Fevziu: Po nëse Sali Berisha voton kandidatin tuaj për President do e shkarkoni presidentin?

Taulant Balla: Është votim i fshehtë, nuk e di…

Blendi Fevziu: Nëse e deklaron votën?

Taulant Balla: Është e pavlefshme vota. Për mua ai është i vdekur.

Blendi Fevziu: Kjo është deklaratë zyrtare?

Taulant Balla: Shumë zyrtare. Pra kudo që do të rezultojë e përfshirë firma e zotërisë, dokumenti nuk vlen. Fare. Për një “non grata” të shpallur nga SHBA që firmos një dokument të Kuvendi të Shqipërisë, nuk ka vlerë. Më 11 Korrik mund të më ftoni në darkë ku Kuvendi i Shqipërisë do të ketë organizuar siç i ka hije Kuvendit të Shqipërisë pa axhenda politike për protagonizma të askujt, seancën e posaçme përkujtimore për Srebrenicës. I gjithë ky diskutim që zhvillohet sot është turpi i atij.

Blendi Fevziu: Sali Berisha është “non grata” nuk pranoni asnjë shkresë të tij?

Taulant Balla: Asnjë letër!

Blendi Fevziu: Dodik është “non grata”, por është në krah të Kryeministrit të Shqipërisë!

Taulant Balla: Ka një gjë, letra është dokument zyrtar. Po ju them që Shqipëria nuk e zgjedh dot përfaqësuesin e një vendi tjetër, por brenda vetes e zgjedh me kë do bashkëpunojë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb