Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Ministria e Arsimit dhe Sportit, nëpërmjet një shkrese e cila mban datën 10 nëntor 2015, urdhëron Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore, që të regjistrojnë të gjithë nxënësit e kthyer nga emigracioni dhe për secilin prej tyre të punohet me plane individuale mësimore, në mënyrë që të plotësohen mangësitë në programet lëndore. Në shkresën zyrtare që MAS u ka dërguar DAR/ZA-ve, “Për regjistrimin dhe trajtimin e nxënësve që kthehen nga emigracioni”, parashikohet se, për çdo nxënës që vlerësohet se ka nevojë për kurse për mangësitë në gjuhën shqipe, ato do të ofrohen falas në shkollë.

Po ashtu, mësohet se drejtoritë arsimore në mbarë vendin janë urdhëruar që të hartojnë një plan të posaçëm pune nga njësia e shërbimit psiko-social të DAR/ZA, për ofrimin e shërbimeve që ndihmojnë në zhvillimin arsimor, social dhe personal të nxënësve që kthehen nga emigracioni. Ndërkohë që mësuesve, pak ditë më parë u është komunikuar nga drejtuesit e shkollave, që nxënësve të kthyer, por edhe atyre që vijojnë të jenë ende në emigracion, të mos u pasqyrohen mungesat në regjistër.

MASAT & TRAJTIMI
“Lidhur me nxënësit, të cilët kthehen nga emigracioni dhe kërkojnë të regjistrohen në institucionet arsimore parauniversitare, njësitë arsimore vendore (DAR/ZA), të marrin të gjitha masat për: Ngritjen e Komisionit të pranimit të nxënësve që kthehen nga emigracioni. Komisioni, mbështetur në vetëdeklarimin e prindërve, në dokumentacionin shkollor që disponojnë nxënësit, vlerësojnë dhe caktojnë klasën ku nxënësit i përket të regjistrohet. Caktimin e institucionit arsimor ku do të regjistrohet nxënësi, duke u mbështetur në vendimin e Komisionit të pranimit dhe në bashkëpunim me prindërit dhe/ose kujdestarin e nxënësit”, shkruhet në shkresën e Ministrisë së Arsimit. Për këta nxënës MAS ka parashikuar edhe një ‘paketë’ trajtimi, duke nisur nga shërbimi psiko-social, kurset falas të gjuhës shqipe, deri te planet individuale për nxënësit në çdo lëndë, për të plotësuar mangësitë që ata kanë për shkak të mungesës në shkollë për një kohë të gjatë.

“Hartimin e një plani të posaçëm pune nga njësia e shërbimit psiko-social të DAR/ZA, për ofrimin e shërbimeve që ndihmojnë në zhvillimin arsimor, social dhe personal të nxënësve që kthehen nga emigracioni. Ofrimin e kurseve falas të gjuhës shqipe për nxënësit që kthehen nga emigracioni. Kurset mund të ofrohen kur kjo vlerësohet nga institucioni shkollor ose kur kërkohet nga vetë prindi/kujdestari i nxënësit. Institucionet arsimore të trajtojnë me plane individuale mësimore, nxënësit e regjistruar, me qëllim që të plotësohen detyrimet e programeve lëndore për periudhën kohore të munguar prej tyre. Gjithashtu, brenda 30 ditëve nga paraqitja e nxënësve në shkollë, t’i vlerësojnë ata për çdo lëndë, për pjesën e munguar. Institucionet arsimore të mundësojnë pajisjen e nxënësve të regjistruar me tekstet shkollore”, përcaktohet në shkresën zyrtare të MAS drejtuar DAR/ZA-ve.

Regjistrimi & Dokumentacioni
Njësitë arsimore vendore duhet të pranojnë kërkesat e prindërve për regjistrimin e nxënësve të kthyer nga emigracioni, dhe në bazë të dokumentacionit shkollor që ata disponojnë të bëjnë regjistrimin e nxënësve në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar.

Kërkesa për regjistrim të shoqërohet me: certifikatën e lindjes së nxënësit, dokumentet e shkollimit; fotokopje të pasaportës, që pasqyron datën e rikthimit në atdhe të nxënësit. Ndërkohë që, DAR/ZA-të duhet të bëjnë hartimin e evidencës për pranimin e nxënësve të kthyer nga emigracioni, e cila të përmbajë: emrin, atësinë dhe mbiemrin e nxënësit; datën, muajin dhe vitin e lindjes; shkollën që ka ndjekur në Shqipëri; vendin/shtetin ku ka emigruar; shkollën që ka ndjekur gjatë periudhës së emigracionit (nëse ka ndjekur); shkollën ku do të kthehet pas kthimit në atdhe); dhe klasën mësimore që do të ndjekë.
Regjistrimi i nxënësve, dokumentet që duhen
DAR/ZA-të duhet të bëjnë:
1. Pranimin dhe administrimin e kërkesave të prindërve dhe/ose kujdestarëve të nxënësve dhe të dokumentacionit shkollor që ata disponojnë për regjistrimin e nxënësve në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar.
Kërkesa për regjistrim të shoqërohet me:
a) certifikatën e lindjes së nxënësit,
b) dokumentet e shkollimit,
c) fotokopje të pasaportës, që pasqyron datën e rikthimit në atdhe të nxënësit
2. Ngritjen e Komisionit të pranimit të nxënësve që kthehen nga emigracioni. Komisioni, mbështetur në vetëdeklarimin e prindërve, në dokumentacionin shkollor që disponojnë nxënësit, vlerësojnë dhe caktojnë klasën ku nxënësit i përket të regjistrohet.
3. Hartimin e evidencës për pranimin e nxënësve të kthyer nga emigracioni, e cila të përmbajë:
a) emrin, atësinë dhe mbiemrin e nxënësit,
b) datën, muajin dhe vitin e lindjes,
c) shkollën që ka ndjekur në Shqipëri,
d) vendin/shtetin ku ka emigruar,
e) shkollën që ka ndjekur gjatë periudhës së emigracionit (nëse ka ndjekur),
f) shkollën ku do të kthehet pas kthimit në atdhe,
g) klasën mësimore që do të ndjekë (kopsht, arsim fillor, arsim i mesëm i ulët, arsim i mesëm i lartë).
4. Caktimin e institucionit arsimor ku do të regjistrohet nxënësi, duke u mbështetur në vendimin e Komisionit të pranimit dhe në bashkëpunim me prindërit dhe/ose kujdestarin e nxënësit.
5. Hartimin e një plani të posaçëm pune nga njësia e shërbimit psiko-social të DAR/ZA, për ofrimin e shërbimeve që ndihmojnë në zhvillimin arsimor, social dhe personal të nxënësve që kthehen nga emigracioni.
6. Ofrimin e kurseve falas të gjuhës shqipe për nxënësit që kthehen nga emigracioni. Kurset mund të ofrohen kur kjo vlerësohet nga institucioni shkollor ose kur kërkohet nga vetë prindi/kujdestari i nxënësit.
7. Institucionet arsimore të trajtojnë me plane individuale mësimore, nxënësit e regjistruar, me qëllim që të plotësohen detyrimet e programeve lëndore për periudhën kohore të munguar prej tyre. Gjithashtu, brenda 30 ditëve nga paraqitja e nxënësve në shkollë t’i vlerësojnë ata për çdo lëndë, për pjesën e munguar.
8. Institucionet arsimore të mundësojnë pajisjen e nxënësve të regjistruar me tekstet shkollore.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: