Fqinji i familjes Çobaj në Dukas, Patos ka treguar minutat e tmerrit të 50-vjeçares Donika Çobaj, e cila u plagos sot me thikë nga djali i saj 30-vjeçar Klajdi Çobaj.

Dëshmitar i ngjarjes së rëndë, ai thotë se e ka parë si djali e ka qëlluar nënën me thikë dhe e ka ndjekur nga pasdhe në ballkon dhe poshtë pallatit, pasi gruaja ishte hedhur për t’i shpëtuar.

Sipas tij, familja është shumë e mirë dhe nuk kanë pasur probleme më parë. Gjithashtu për djalin, fqinji tregon se nuk pinte as alkool dhe as drogë dhe se nuk e di se cila ka qenë arsyeja që çoi në këtë ngjarje të rëndë.

“Ne dëgjuam zhurma. O Klajdi ça bërë, se jemi komshi përballë, kati i dytë, dola në ballkon bashkë me nipin dhe pamë atë të gjakosur që po dilte nga dera e ballkonit nga brenda shtëpisë dhe në ballkon ai duke e goditur, vazhdoi e shkreta. Ajo u hodh nga kati i dytë, zbriti poshtë, ai vazhdoi. Unë i bërtita o Klajdi çfarë bën, se jemi komshinj, jemi rritur, janë një familje shumë e mirë. Çuni as problematik, as alkool, as drogë, as cigare nuk pinte, shumë djalë i mirë. Edhe ajo si grua, se jemi rritur, kemi 30 vjet këtu, shumë njerëz të mirë dhe ajo u hodh nga ballkoni për t’i shpëtuar. ‘Ça më bëre’, ai e ndoqi, doli prapë. Ai doli jashtë, filloi ta qëllonte prapë aty, i bërtita prapë, zbrita poshtë dhe në atë kohë e la. I thashë lërë ça bën, më dëgjoi, më pa në sy dhe hodhi thikën poshtë. I bërtita fortë, lërë mos. Erdhën familjarë të tij, nuk e di kush e lajmëroi dhëndri, e kapën me nja dy gra të lagjes dhe e hipën në makinë e çuan në spital. Nuk kemi dëgjuar debate më parë. Familje shumë e mirë, ajo zonjë, i ka rritur me sakrifica. E jashtëzakonshme për atë djalë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb