TIRANE

Një godinë 5 katëshe e ndërtuar prej disa vitesh në krah të Stadiumit ‘Arena Kombëtare’ do të prishet nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit pranë bashkisë së Tiranës. Prishja e këtij objekti sipas shkresës që IKMT i ka dërguar pronarëve vjen për shkak të realizimit të projektit ‘Rikualifikimi I sheshit Italia’.
Pronarët e kësaj ndërtese thonë se IKMT e Bashkisë së Tiranës i ka lënë vetëm 5 ditë afat për të çmontuar objektin, kohë që sipas tyre nuk është e mjaftueshme.

“Duam kohë për cmontim aktiviteti plus objekti. Për 5 ditë që kanë dhënë afat këto nuk është e mundur teknikisht të cmontohet objekti.”

Një tjetër shqetësim i ngritur nga pronarët e objektit 5 katësh në krah të stadiumit ‘Arena Kombëtare’ është edhe dëmshpërblimi që ato do të marrin nga shteti. Sipas tyre qeveria i ka përcaktuar një dëmshpërblim qesharak 300 euro për metër katror ndërkohë që sipas tyre në këtë zonë cmimi shkon deri në 5000 euro metri katror. Për këtë arsye ata kërkojnë dëmshpërblim me vlerë tregu.

“Objekti është 2000 metra katrorë dhe vlera e shtetit është qesharake është 300 euro metri katrorë është blerë sipas ligjit të 2016 ku realisht duhet të vlerësohet sipas tregut dhe tregu nëse marrim si pikë referimi Sheraton dhe ndërtesën 24 katëshes është minimalja 5000 euro. Nuk ka problem mund ti fitojmë dhe me gjykate por ne duhet të respektohemi nga ana ligjore.”

Qeveria me vendim të kryeministrit Edi Rama vendosi në datën 26 Qershor 2019 shpronësimin e këtij objekti me vlerë 107 milionë lek. Sipas pronarëve leja e ndërtimit është dhënë në 2003 nga kryeministri Edi Rama i cili në atë kohë drejtonte Bashkinë e Tiranës.

“Vetë e ka dhënë leje e ndërtimit vetë e na la me ndërtu tani do ta shembi. Unë e kam me hipotekë atëherë kur e prishin me hipotekë cfarë dokumenti duhet tjetër. Ndërtimi ka filluar kur ka qënë kryetar bashkie dhe kur ka qënë kryeministër.e ka dhënë lejen e ndërtimit.”

Prej 5 vitesh pronarët e ndërtesës 5 katëshe kishin aplikuar për legalizimin e një pjese të objektit dhe vetëm në muajin Prill të 2019 kanë marr legalizimin e plotë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb