Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi për rrezikun e shpërthimeve të sëmundjeve të shkaktuara nga uji në Republikën e Kongos pas javësh përmbytjesh të shkaktuara nga reshjet jashtëzakonisht të mëdha.

Ndërsa përmbytjet kanë lënë më shumë se 336,000 njerëz në nevojë për ndihmë urgjente humanitare, vendi tani përballet me rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve, të tilla si kolera, malaria, dengoja dhe fruthi, tha Zyra Rajonale e OBSH-së për Afrikën, me qendër në Brazaville.

Nëntë nga 12 departamentet e vendit janë prekur, veçanërisht ato në kufi me lumin Kongo.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve të cituar nga OBSH, reshjet aktuale janë dyfishi i mesatares së regjistruar në sezonin 2022-2023. Niveli i ujit në lumin Ubangi, dega më e madhe në bregun e djathtë të lumit Kongo, ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.

“OBSH është e përkushtuar të mbështesë qeverinë për të rritur reagimin e urgjencës për të shpëtuar jetë dhe për të siguruar akses në shërbimet bazë kritike,” thotë Lucien Manga, përfaqësues i OBSH-së në Republikën e Kongos. “Ne po punojmë me organizatat partnere për të forcuar përgjigjen e ndihmës, për të mbështetur mjetet e jetesës dhe për të kufizuar kërcënimin e shpërthimit të sëmundjeve.”

Përmbytjet kanë shkatërruar ose dëmtuar 34 objekte shëndetësore, 120 shkolla dhe më shumë se 64,000 shtëpi në zonat e prekura. Nevojat humanitare parashikohet të rriten, duke përkeqësuar më tej gjendjen e popullatës së prekur, veçanërisht të komuniteteve vulnerabël, tha OBSH.

Në një deklaratë për shtyp të botuar në fund të dhjetorit 2023, kryeministri kongolez Anatole Collinet Makosso tha se numri i njerëzve të prekur nga përmbytjet e tejkaloi shumë atë të viteve të mëparshme.

Niveli i ujit të lumit Kongo, që ndan Brazzaville dhe Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos (DRC), ka arritur 6.2 metra mbi nivelin e detit, pak më poshtë rekordin e vitit 1961 prej 6.26 metrash, raportojnë mediat lokale, duke cituar autoritetet e DRC.

Në DRC, të paktën 300 njerëz u vranë në përmbytjet e fundit të shkaktuara nga shirat e dendur, tha qeveria e DRC më 5 janar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb