Pasuria e familjes ‘Çapja’ do të kalojë në ‘sitën’ e verifikimeve nga Operacioni Forca e Ligjit.

Burime për ‘BalkanWeb’ bënë me dije se OFL i ka kërkuar Ardian Çapjas, i akuzuar si organizator i disa vrasjeve dhe ngjarjeve kriminale në Elbasan, një deklaratë pasurie për të verifikuar pasuritë e vëna, pasi dyshohet se vijnë nga aktivitete kriminale.

Ky fakt është bërë i ditur ditën e sotme përmes një deklaratë për mediat nga OFL, ndërkohë që afati i vënë në dispozicion është 48 orë, ku do të deklarohet pasuria. Çapja, i cili akuzohet se ka kryer vrasje me pagesë, duhet të plotësojë në këtë rast një formular, ku duhet të japë të dhëna në lidhje me të ardhurat familjare, nga pagat apo dhe nga bizneset që zotërojnë.

“A. Ç., 52 vjeç, i arrestuar në flagrancë për veprat penale “Vrasja e punonjësve të policisë, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas dyshohet si organizator i një sërë vrasjesh të ndodhura në qytetin e Elbasanit për motive hakmarrjeje. Dyshohet se ky shtetas, së bashku me të afërm të tij ka kryer vrasje me pagesë, në periudhën 2009-2016. Si subjekt i Ligjit Special, këta individë duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.”, thuhet në njoftimin e OFL-së.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: