SHIJAK

Operacioni Forca e Ligjit është rikthyer në Shijak ku kësaj radhe ka shënjestruar Astrit Keçin dhe Astrit Avdylin (Balliun). I pari është dënuar nga Gjykata e Pisas në Itali për trafik të lëndëve narkotike.

Si anëtar i bandës ”Keçi”, ai u arrestua në 2018 bashkë me Shkëlqim Sufjen pasi kishte prej 20 vitesh në kërkim. Deri në vitin 2006 jetonte në Itali më pas fshihej në Shqipëri për t’i shpëtuar autoriteteve italiane. Më pas në 2019 për shkak se dënimin e kishte nga Gjykata e Pisas Shqipëria vendosi ekstradimin e tij drejt Italisë.

Kurse Astrit Avdylaj, një personazh i njohur tashmë mediatikisht është dënuar nga Gjykata e Durrësit për vrasje me paramendim. Avdylaj është kreu i bandës kriminale të ‘”Avdylajve” në Shijak si dhe i njohur për lidhjet që ka ai në Durrës.

Ky person u arrestua gjatë operacionit të koduar policor Vol- Vo 4 bashkë me disa anëtarë të tjerë të grupit të tij. Ata u arrestuan pasi në Brenogë të Hasit u zbulua një laborator heroine, e cila vinte nga Irani në Kosovë dhe përpunohej në Shqipëri ku të implikuar ishin dhe grypi Avdyli.

Por jo vetëm Astrit Avdyli është pjesë e përgjimeve të publikuara nga media gjermane Bild, pjesë të dosjes 339/1 ku dilte se Avdyli komunikonte me ish- kryebashkiakun e Durrësit, që më pas do shpallej non- grata nga SHBA, Vangjush Dakon. Po jo vetëm, edhe me Arjan Ndrazhin, vëllain e deputetit socialist Ilir Ndrazhi. Me Elton Arbanën, në kohën e bisedës kryetar i PS-së në Shijak dhe aktualisht kryebashkiak i Shijakut. Me Ivo Doçin, drejtorin e Ujësjellësit të Shijakut, apo dhe me votues dhe bëhej fjalë përpara vitit 2017 por në shumicën e bisedave dukej se Astrit Avdyli kërkonte vota për Partinë Socialiste.

 

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË

OFL, 26 shkurt Vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, personave që janë subjekt i këtij ligji. Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve: A.B., banues në Shijak, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vrasja me paramendim”; A. K., banues në Shijak, dënuar nga Gjykata e Pisas, Itali, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”; Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. Me qëllim evidentimin dhe dërgimin në SPAK, të të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse. Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb