Ende asnjë e dhënë mbi autorët e dhunimit të kancelarit të Gjykatës së Elbasanit, Ledio Sulkuqi.

Edhe pse Policia e Elbasanit ka dyshime se sulmi ndaj zyrtarit ka ndodhur për shkak të detyrës, ai nuk ka zgjedhur të bashkëpunojë me uniformat blu. Refuzimi nga Sulkuqi, ka shtuar dyshimet e Policisë se ai i njeh dy autorët e sulmit.

Gjithsesi policia e Elbasanit nuk përjashton pistën që kancelari të jetë qëlluar edhe për arsye personale ndaj është duke vijuar hetimet mbi ngjarjen. Fillimisht grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, ndonëse ndriçimi me led në lagjen muzeale e bën të vështirë identifikimin e dy agresorëve. Disa persona janë shoqëruar deri tani, por pasi janë pyetur mbi ngjarjen ata janë lënë të lirë.

Burime bëjnë të ditur se dy personat, kanë parkuar mjetin në hyje ë rrugës “Egnatia” dhe me shpejtësi kanë arritur te 51-vjeçari e kanë nisur ta godasin me sende të forta. Më pas, ata janë larguar në drejtim të paditur.

Në këto momente Sulkuqi është dëgjuar të rënkojë “ Oh moj nëna ime”. Duke dashur t’i shpëtojë kalimtarëve pasi është banues në lagjen “Kala” i gjakosur është ngritur në këmbë dhe është fshehur në rrugicën më të afërt ku duken ende të freskëta njollat e gjakut.

Gjendja e rëndë shëndetësore ka bërë që ai ti drejtohet spitalit të Elbasanit për mjekim, ku raportohet se pas marrjes së ndihmës parë është jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë spitali i Elbasanit i cili ka njoftuar policinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb