Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar një video përmbledhëse nga ditët e para të debatit të Përgjithshëm të Asamblesë së 81-të, ku janë përfshirë pamje të dhjetëra liderëve botërorë. Pas Trump, Macron dhe Erdogan, mes tyre shfaqen edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama mungon plotësisht në material, pavarësisht se ishte i pranishëm në Nju Jork dhe mbajti fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme.
Në videon e publikuar nga OKB-ja shfaqen liderë nga vende të ndryshme, të cilët përcjellin mesazhet e tyre përpara komunitetit ndërkombëtar. Megjithatë, në asnjë moment nuk përfshihet Rama, duke bërë që mungesa e tij të bjerë në sy, veçanërisht përballë pranisë së dy liderëve të tjerë nga rajoni.
Rama mbajti fjalimin e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme më 25 shtator, por pamjet e tij nuk janë përfshirë në këtë material promovues të publikuar nga OKB-ja. Në fjalimin e tij Rama ishte shumë i ashpër, ku shigjetoi vendet e mëdha. Rama u shpreh se ndotësit më të mëdhenj marrin racionet më të mëdha të parave për të ndihmuar vendet e vogla që të përballen me ndryshimin e klimës.
