Gazmend Oketa hyri në politikë si një individ i plotësuar profesionalisht. Në politikë provoi se ka integritet dhe personalitet duke dhënë maksimumin e tij. Shumë shpejt u shndërrua në një politikan me mendime të drejta, thirrje për mirëkuptim, porositë e logjikshme, këshillat për përmirësim… Dhe atëherë kur mendoi se ia doli, mjedisi politik u bë edhe më i ashpër. Në politikë u futën edhe ish-të dënuar, trafikantë droge, kriminelë… Dhe Gazmend Oketa nuk mund të rrinte me ta në një sallë si “koleg” i tyre… Nuk mundi të përshtatej, ndaj ai vendosi largimin nga politika, të cilën nuk e pa asnjëherë si një “stacion” të fundit, por si një angazhim të radhës.

Gazmend Oketa thotë për “Gazeta Shqiptare” se aktualisht është aty ku ndjehet më i lirë, duke iu rikthyer profesionit të inxhinierit. Por, z.Oketa nuk i ka ndërprerë lidhjet me ish-kolegët politikanë, ndaj nuk nguron të flasë për aktualitetin politik, me vlerësimet dhe kritikat e veta për opozitën e djathtë, pjesë e së cilës ishte për vite me radhë. Sepse ai ka një moto në jetë: “Shiko gjithmonë anën e ndritshme të jetës” dhe për këtë arsye, Gazmend Oketa nuk ka pse “ankohet”… “Disa miq dashamirës insistojnë se nuk duhet të tërhiqem nga politika. Në mbrëmje kur ti mendon se mund të çlodhesh para ekranit të televizionit, politika apo më saktë, propaganda politike mbush ekranin e pothuajse çdo medie vizive. Në këtë kuptim, ti asnjëherë nuk ndodhesh larg politikës”, shprehet ish-ministri i Mbrojtjes dhe ish-sekretari i përgjithshëm i FRD-së.

Z.Oketa, prej disa kohësh ju jeni tërhequr nga jeta politike. Për cilat arsye?
Ka disa arsye dhe ndoshta e kam të pamundur t’i rendis apo t’i përmbledh brenda kësaj përgjigjeje. Megjithatë po rendis dy më kryesoret. Sistemi politik që është krijuar në Shqipëri, që pas kalimit nga sistemi zgjedhor mazhoritar, në atë proporcional mbylli dhe ato pak hapësira që sistemi parademokratik shqiptar kishte për politikanë, të cilët e perceptojnë politikën angazhim dhe jo biznes. Që të ecësh sot në politikë ke dy mundësi. Njëra është që të mos interesohesh shumë të mbrosh interesin publik, por të kërkosh ta kesh mirë me kryetarin e njërës prej dy partive kryesore. Dhe që ta kesh mirë me ta, kushti kryesor është të mos dish të thuash ‘jo’. Unë këtë nuk “di” ta bëj. Partitë shqiptare i duan njerëzit me integritet dhe personalitet kur janë në opozitë. Kur marrin pushtetin, raporti me këta individë ndryshon. Mundësia tjetër lidhet me faktin se politika sot është bërë një fushë, ku gjithnjë e më shumë po gjejnë hapësirë njerëz, të cilët kanë ndërruar dy apo tri herë emrin ose mbiemrin; njerëz të cilët janë dënuar nga gjykatat e një nga vendeve fqinje për trafik droge apo trafiqe të tjera. Edhe këtë kusht unë personalisht nuk e plotësoj dhe për më tepër, nuk kam asnjë nevojë apo arsye të rri në një sallë e të quhem “koleg” i tyre. Besoj se mjaftojnë këto dy arsye për të kuptuar se është më mirë të kthehesh atje ku t’i je vetvetja dhe jep më shumë, sesa të “varfërohesh” mendërisht e shpirtërisht me të tillë “kolegë”.

Kujt i jeni përkushtuar pas ikjes nga politika? Me çfarë po merreni aktualisht?
Në rastin tim, aty ku ndjehem më i lirë dhe marr kënaqësi nga ajo që bëj është profesioni im i inxhinierit. I jam përkushtuar profesionit tim dhe jam rikthyer në studion time të projektimit. E kam thënë shpeshherë kur jam pyetur për angazhimin tim në politikë. Unë kam hyrë në politikë, pasi kisha arritur shumë nga objektivat e mi si në profesion, ashtu edhe në familje. Politikën nuk e kam parë asnjëherë si një “stacion” timin të fundit. E kam parë si një angazhim të radhës, i cili në një moment të caktuar do t’i linte vendin krejt normalisht një angazhimi tjetër. Pas tërheqjes nga jeta politike, kam më shumë kohë për familjen dhe miqtë e mi. Dhe të kesh kohë të rrish më shumë me familjen tënde e miqtë e tu, të bësh punën të cilën e bën me pasion, është ajo që unë kam dashur gjithmonë në jetë.
Meqenëse u përmend profesioni i inxhinierit, do doja të dija opinionin tuaj lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar…

Interviten e plote e lexoni ne: Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: