Dega e OMONIA-s dhe e PBDNJ-së Himarë deklaron se komuniteti helen në Himarë po diskriminohet dhe se nëpërmjet projekteve për rikualifikim urban po kërkohet çrrënjosja e tyre. Në një deklaratë për mediat, OMONIA dhe PBDNJ thonë se ‘pas këtyre studimeve amatoreske fshihet vetëm një qëllim, dëmtimi dhe çrrënjosja e komunitetit Helen të Himarës dhe ndryshimi demografik i saj’.

Për këtë arsye, dy partitë i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të marri masa të menjëhershme për frenimin e veprimeve të cilat penalizojnë nga pikëpamja urbane komunitetin helen në Himarë.

DEKLARATA E PLOTË
Dega e OMONIA-s dhe e PBDNJ-së Himarë denoncon në mënyre të përsëritur padrejtësitë ndaj komunitetit Helen në Himarë. Me mospërfillje, pa etike dhe profesionalizëm është provokuar përsëri ky komunitet.

Shqetësimi është paraqitur për të disatën herë në datë 16/06/2016 prej 5 të rinjve të cilët përfaqësonin studion e cila ka fituar tenderin e Rikualifikimit Urban të qendrës së qytetit të Himarës.

Në Shtator të vitit 2015, PBDNJ dhe organizata OMONIA i është drejtuar Kryeministrit Edi Rama me një shkrese ku theksonte se studime të tilla nuk kanë asnjë qellim tjetër, përveç se shkatërrimin e biznesit të komunitetit tonë dhe ndryshimin demografik të tij.

Konkretisht investimi në fjale çrrënjosi përfundimisht dhe pa dëmshpërblim shtatë bizneset e familjeve: Kristo Beno, Mihal Guma, Marika Beno, Edmond Beno, Jorgo Gjoka, Mihal Gjicali, Fotaq Gjicali, kështu këto familje janë shpërngulur nga Himara. Zgjerimi i papranueshëm mbi plazhin, duke zënë një pjesë të madhe të rërës përmes betonizimit nxorën jashtë tregut mbi 40 biznese të përhershme të Spilese.

Ndërkohë, në paraqitjen e lotit te dyte te investimit për rikonfirmimin e qendrës folën se si do të çrrënjosin edhe 12 familje të tjera të cilat banojnë në godinat e tyre 250-vjeçare. Familjet janë: Andrea Konomi, Jani Konomi, Kasjani Gjini (Konomi), Ila Neranxi, Paksino Neranxi, Periklo Neranxi, Manol Zoto, Andon Milo, Aleksandra Milo, Zaho Kacelano, Sokrat Milo etj.

Njëkohësisht me ndërtimet e parashikuara mendohet të zaptohet ambienti sportiv dhe oborri funksional i shkollës 9-vjeçare, ndërtesa e Kopshtit, Qendra Shëndetësore, shkolla Fillore, dhe grupit te pallateve do t’u merren ambientet kreative.

Ne dëshirojmë të theksojmë se pas këtyre studimeve amatoreske fshihet vetëm një qellim, dëmtimi dhe çrrënjosja e komunitetit Helen të Himarës dhe ndryshimi demografik i saj.

I bëjmë thirrje z. Edi Rama të marri masa të menjëhershme për frenimin e veprimeve të cilat penalizojnë nga pikëpamja urbane komunitetin tonë. Të rifilloje nga e para diskutimi për studimin në fjale, duke marrë masat për hipotekimin e pronarëve të zonës që do të kryhet studimi.

Njëkohësisht kërkojmë ndërhyrjen e Organizmave Ndërkombëtare, të cilat mbështesin Shqipërinë, të ushtrojnë të gjithë autoritetin e tyre për sa u lejohet pranë qeverisë Shqiptare, në mënyrë që të frenohen veprime të cilat nuk janë në mbarëvajtje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe në vlerësim të vlerave kulturore dhe të mjedisit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: