Vera duket ende larg, por klubet e mëdha kanë filluar të mendojnë për merkaton. Protagonist i madh padyshim që do të jetë Mbappe, gjithsesi ka edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm për të cilët tashmë kanë filluar të bien sirenat. Një prej tyre është Alphonso Davies, një tjetër objektiv i madh i Real Madridit.

Në rast se kampionët e Gjermanisë humbasin shërbimet e anësorit kanadez, kontrata e të cilit skadon në 2025, Bayern Munich do të duhet ta zëvendësojë atë me një lojtar të nivelit të lartë. Në fakt, Theo Hernandez, lideri i Milanit, është në “lupën” e bavarezëve. Vlen të theksojmë se mbrojtësi i majtë francez kohët e fundit festoi 200 ndeshje për kuqezinjtë.

Në orët e fundit ka ardhur konfirmimi nga Gjermania për interesimin e Bayernit dhe besohet se shuma e mjaftueshme për ta “rrëmbyer” futbollistin nga Milani është nga 60 deri në 70 milionë euro. Vendimtare do të jetë vetë dëshira e futbollistit, me emrin e klubit gjigand që është mjaft tërheqës.

Duke marrë parasysh që verën e kaluar Newcastle-it iu desh të paguante rreth 80 milionë euro për të afruar Tonalin nga “Djalli”, ideja është që për të bërë të njëjtën gjë me Theo Hernandez-in të duhet të paktën një shumë e përafërt.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: