Një nga drejtuesit e dyshuar të fraksionit rebel Frente 28, një grup disident i dalë nga ish-FARC, është vrarë gjatë një operacioni ushtarak në një zonë rurale të provincës Meta, njoftuan autoritetet kolumbiane.
Bëhet fjalë për Hernando Forero Mosquera, i njohur me nofkën “El Ruso”, i cili sipas inteligjencës ushtarake drejtonte grupin dhe ishte ekspert i eksplozivëve. Në të njëjtin operacion u vranë edhe tre persona të tjerë të dyshuar si pjesëtarë të fraksionit.
Presidenti i ri i Kolumbisë, Abelardo de la Espriella, e cilësoi operacionin si një goditje të rëndësishme ndaj grupeve të armatosura dhe deklaroi se vrasja e Foreros dhe e pesë personave të tjerë gjatë fundjavës dërgon “një mesazh të qartë dhe të fuqishëm” për grupet kriminale.
Në një tjetër operacion në provincën Antioquia, forcat kolumbiane vranë edhe dy anëtarë të dyshuar të Klanit të Gjirit, një prej organizatave më të fuqishme kriminale në vend.
Ofensiva vjen vetëm pak ditë pasi de la Espriella mori detyrën e presidentit dhe pasi gjatë fushatës premtoi një qasje shumë më agresive kundër “narkoterrorizmit”, përfshirë edhe përdorimin e sulmeve ajrore.
Tensionet u rritën menjëherë pas betimit të tij. Të shtunën, një makinë-bombë shpërtheu në një pikë pagese në Cauca, duke plagosur dy roje sigurie, ndërsa në Cesar një oficer policie u vra nga eksplozivë të hedhur nga një dron.
Frente 28 është një prej fraksioneve që u shkëputën nga FARC pas marrëveshjes së paqes të vitit 2016. Grupet disidente janë përfshirë kryesisht në trafikun e kokainës, minierat ilegale dhe aktivitete të tjera kriminale, duke kontribuar në rikthimin e dhunës së armatosur në Kolumbi.
Ndryshe nga paraardhësi i tij, Gustavo Petro, i cili ndoqi strategjinë e “paqes totale” dhe kërkoi negociata me grupet e armatosura, de la Espriella ka zgjedhur një politikë të drejtpërdrejtë ushtarake ndaj tyre.
Presidenti i ri gëzon edhe mbështetjen e administratës së Donald Trump, ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar një paketë prej rreth 1 miliard dollarësh ndihmë për sigurinë e Kolumbisë.
