Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, foli për paketën “Anti-KÇK”, që ka nisur prej disa ditësh operacionin për goditjen e pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal.

Kryediplomati i BE tha se për zbatimin e këtij ligji janë me rëndësi jetike dy kushte bazë, së pari, sipas tij, duhen respektuar të drejtat e subjekteve të këtij ligji, dhe së dyti, të gjitha veprimet e policisë shqiptare duhet të konfirmohen nga SPAK.

“Mendoj që qasja të ndjekësh paratë është mënyra më e mirë për të luftuar krimin e organizuar. Mendoj se ky është drejtimi i ligjit KCK dhe mendoj se ky ligj tregon gatishmërinë politike për të adresuar problemin. Por, më e rëndësishme është zbatimi i këtij ligji, është kyç. Shohim dy kushte kryesore, që e drejta themelore e palëve të respektohen plotësisht, pra të subjekteve a personave që janë nën hetim, të drejtat e tyre duhet të respektohen, ky është një parakusht. Edhe asetet të sekuestrohen e konfiskohen, por duhet respektuar procesi i duhur ligjor. Do ta monitorojmë këtë, po i shohim nga afër këto hapa. Do flas edhe me SPAK.

Kushti i dytë ka të bëjë me drejtimin e këtij operacioni. SPAK duhet të konfirmojë të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia dhe duhet t’ia kalojë dosjet gjykatës për të marrë më pas vendimet. Ne monitorojmë informacionin që ekziston për të kuptuar nëse, psh të drejtat e personave të përfshirë në këto çështje, psh të ankimuar, të respektohen të drejtat e tyre. Ky është një ligj i rëndësishëm, i cili duhet të vihet në zbatim në përputhje me të gjitha kriteret e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës”, deklaroi ambasadori Soreca.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb