ELBASAN

Policia e Elbasanit ka arrestuar një person të gjashtë në kuadër të operacionit “Domosdova” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, finalizuar një muaj më parë.

Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga 5 shtetas dhe u sekuestruan 28.5 kg kanabis, ndërsa operacioni ka vijuar me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i hetimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me DVP Berat, pas një pune të mirorganizuar, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit R. M., 30 vjeç, banues në fshatin Salce, Kuçovë, bashkautor në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb