Shkon në katër numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit “Tjetërsimi i Lagunës”. Këtë herë në pranga ka rënë kryeplaku i fshatit Grykë Lumi në Tale të Lezhës, shtetasi Pjetër Luka.

Ky i fundit akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërkohë që gjykata për të ka caktuar masën ‘arrest me burg’.

NJOFTIMI I POLICISE
Zgjerohet sipërfaqja e zonave të mbrojtura të verifikuara, rritet numri i funksionarëve publikë të implikuar në veprimtaritë e paligjshme që kryhen në këto zona.

Vihet në pranga një tjetër shtetas i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Shkon në 4 numri i personave të ndaluar në kuadër të këtij operacioni.

Sekuestrohen dokumente të dyshuara të falsifikuara.

Në vijim të operacionit “Tjetërsimi i Lagunës”, i zhvilluar rreth 1 muaj më parë, për goditjen e veprimtarive të paligjshme që po zhvilloheshin në zonën e mbrojtur të Kune Vain, në të cilat u përfshinë 4 funksionarë publikë, 3 prej të cilëve u ndaluan, ndërsa 1 tjetër u shpall në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, kanë vijuar hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie. Në kuadër të hetimeve është zgjeruar sipërfaqja e zonave të mbrojtura të verifikuara për veprimtaritë e paligjshme që kryhen në to.

Si rezultat i këtyre hetimeve është vënë në pranga edhe një tjetër funksionar publik, i cili dyshohet se është përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Shërbimet e Policisë kanë ndaluar shtetasin P. L., 62 vjeç, banues në Grykë Lumi, Tale, me detyrë kryetar i këtij fshati, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ky shtetas, dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, ka përpiluar dhe lëshuar dokumente të falsifikuara, me qëllim tjetërsimin e kësaj prone, në favor të të tretëve.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara (me të dhëna të rreme).

Vijon operacioni, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: