Seanca plenare e Kuvendit e kësaj të enjteje, 23 korrik, u mbyll mes tensionesh të forta, debatesh dhe përplasjesh mes opozitës dhe mazhorancës. Deputetët e opozitës bllokuan për disa orë foltoren e Kuvendit, duke penguar zhvillimin normal të diskutimeve. Për shkak të situatës, mazhoranca vijoi me votimin e pikave të rendit të ditës pa diskutime, duke miratuar me procedurë të përshpejtuar të 31 çështjet e parashikuara.
Mes tyre ishin rezolutat për raportimet e institucioneve të pavarura, përfshirë SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme, Avokatin e Popullit, KLP dhe KLGJ, disa projektligje e amendamente, si dhe emërime të anëtarëve të komisioneve të prokurimit.
Gjatë votimit, seanca u ndërpre dy herë për shkak të tensioneve në sallë. Me 84 vota u miratua edhe raporti për Reformën Territoriale, ndërsa opozita kishte kërkuar shtyrjen e afatit me tre muaj.
Përplasjet nisën që në fillim të seancës, ku deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, tentoi të hidhte ujë drejt kryeministrit Edi Rama, por ndërhyrja e Gardës shmangu përplasjen.
Tensionet vijuan edhe në fund të procesit të votimit. Teksa kryeministri Rama po largohej nga salla, deputetë të opozitës hodhën drejt tij dosje, fleta dhe kartonë votimi. Objekte u hodhën edhe në drejtim të ministrit të Financave, Petrit Malaj.
Pas këtyre incidenteve, deputetët e Partisë Demokratike braktisën sallën, duke mos marrë pjesë në pjesën e mbetur të votimeve. Gjatë kohës që qëndruan në Kuvend, deputetët e opozitës vijuan të qëndronin në foltore, ndërsa protestuan duke goditur tavolinat. Kjo ishte edhe seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar.
