TIRANË- Partia Demokratike ka hapur sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e pushtetit vendor që do të mbahen më 21 qershor. Në pallatin e Kongreseve mes qindra mbështetësish Partia Demokratike ka nisur prezantimin e kandidatëve për 61 bashkitë e vendit. Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka nisur me një batutë fjalimin e tij para kandidatëve, krerëve të partive të koalicionit të djathtë dhe qindra qytetarëve.

“Halim Kosovës i thashë tek shkallët, ‘kësaj radhe flas unë pas teje, më 21 qershor ti pas meje kryebashkiak i Tiranës'”.

Kryedemokrati kërkoi nga qytetarët që me votë të ndalin marshimin e së keqes, të flakin papunësinë dhe varfërinë dhe të kthejnë shpresën, për të shpëtuar pushtetin vendor.

“Drejtues dhe përfaqësues të Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet. Jemi bashkuar në këtë hapje të mrekullueshme të fushatës për startin final. Të ndalim me votë marshimin e së keqes, të flakim papunësinë dhe varfërinë, që kanë gjunjëzuar shumicën e shqiptarëve. Të kthejmë me votë shpresën. Të fitojmë me votë dhe të fillojmë me votë një histori të re, pranë qytetarëve dhe për qytetarët. Nisemi sot me problemet e mëdha që ka vendi dhe shoqëria shqiptare duke i ndjerë thellë në shpirt si një përkushtim. Ka rrugëdalje dhe rrugëdalje propozojmë, ka zgjidhje dhe zgjidhje do të japim”, tha Basha.

Sipas kreut të PD-së, “Papunësia, varfëria, pasiguria, përkeqësimi i pandërprerë, eksodi masiv i qytetarëve, të gjitha këto nuk janë fatalitet, por damka e qeverisë Rama-Meta”. “E kemi treguar dhe do të tregojmë se dimë ti japim vendit mirëqenie. Me përtëritjen tonë që vazhdon, me bashkimin tonë. Ne demokratët nisemi sot me zgjidhjen dhe për zgjidhjen që meritojnë shqiptarët. Punë, mirëqenie dhe dinjitet. Me votë, me votë, me votë. Kjo është thirrja jonë. Me votë ti ndalim, me votë ti kthejmë reston e gënjeshtrave dhe mashtrimeve. Me votë tua shfryjmë arrogancën dhe arbitraritetin. Me votë vendosim ekuilibrin jetik. Me votë të krijojmë një pol fuqie qytetare që do të diktojë menjëherë, uljen e çmimit të energjisë, faljen e kamatëvonesave, ulje taksash dhe mbështetje për bizneset; ulje të tarifave për studentët, rihapjen e filialeve të universiteteve publike, heqjen e TVSH-së për mallrat e shportës. Me votë të shpëtojmë pushtetin vendor, nga rreziku i aneksimit. Të rrisim me përgjegjësi dhe profesionalizëm, burimet në bashkitë që do të drejtojmë. Në detyrën tonë fisnike si opozita e vendit, kemi denoncuar zinxhirin e skandaleve qeveritare”, theksoi kreu i PD-së.

Basha deklaroi se më 21 qershor qytetarët do të vendosin për të ardhmen e tyre dhe zgjedhjet janë vendimi suprem, janë shpëtimi. Ai bëri thirrje për votimin e kandidatëve të opozitës, ndërsa vuri në dukje si dy nga problemet më të mprehta sot për sot në vend, varfërinë dhe pasigurinë.

“Më 21 qershor është radha juaj, zgjedhjet janë vendimi suprem, janë zgjidhja juaj, janë shpëtimi. Unë jam i bindur se qytetarët shqiptarë janë të opërgatitur të bëjnë një zgjedhje të mençur dhe të drejtë. Ti japim një shans jetës sonë. Të votojmë masivisht kandidatët e PD-së, kandidatët e opozitës. Kudo në Shqipëri, hallet mbizotërojnë kudo. Nëse duhet të vëmë gishtin dhe të zgjedhim dy prej halleve më të mëdha, ato janë pasiguria dhe varfëria. Pasiguria përgjon si bisha, jetën e qytetarëve”, tha Basha.

FJALA E PLOTË E LULZIM BASHËS
Të dashur demokratë dhe demokrate, zonja dhe zotërinj, bashkëqytetarë të mi kudo ku jeni,
Të nderuar kandidatë të Partisë Demokratike,
Të nderuar deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike,
Të nderuar drejtues dhe përfaqesues të Alencës Popullore për Punë dhe Dinjitet,
Motra dhe vellëzër,
Zonja dhe zotërinj,

Jemi bashkuar sot në këtë hapje të mrekullueshme të fushatës për startin final të maratonës tonë politike, e cila është ne fakt maratona e çdo qytetari të këtij vendi që kërkon shpresë, punë dhe dinjitet.
Nisemi sot drejt zgjedhjeve të 21 qershorit plot me besim dhe bindje për një punë të madhe:
Të ndalim me votë marshimin e të keqes, të flakim me votë pasigurinë, varfërinë dhe papunësinë që kanë pllakosur dhe ulur në gjunjë shumicën dërmuese të shqiptarëve.
Të kthejmë në jetë, me votë të lirë, shpresën e tyre të plagosur rëndë.
Të çelim me votë një përpektivë të re të ringritjes dhe përmirësimit ekonomik dhe shoqëror për çdo familje dhe individ.
Të fitojmë me votë dhe të fillojmë me votë një histori të re të demokracicë së re, të qeverisjes me qyetarët, pranë qytetarëve dhe për qytetarët.
Nisemi sot me problemet e mëdha që ka vendi dhe shoqëria shqiptare, duke i parë drejt në sy, duke i ndjerë thellë në shpirt si një kushtrim detyre.
Ndajmë sot bindjen tonë me të gjithë bashkëqytetarët tanë: ka shpëtim dhe shpëtim ofrojmë, ka rrugëdalje dhe rrugëdalje propozojmë, ka zgjidhje dhe zgjidhje do të japim.
Papunësia, varfëria, pasiguria, përkeqësimi i panderprerë, eksodi dramatik i njerezve, largimi i investimeve dhe kapitalit si të ketë rënë zia e luftës, të gjitha këto nuk janë fatalitet, por janë produkti, marka, damka e qeverisë Rama-Meta.
E kemi treguar dhe prapë do të tregojmë se dimë t’i japim vendit zhvillim dhe mirëqenie. Me këtë bindje të thellë, me historinë tonë më të mirë, me reflektimet tona të vërteta, me përtëritjen tonë që vazhdon, me bashkimin dhe ribashkimin tonë që forcohet e zgjerohet çdo ditë, ne demokratët nisemi sot për zgjidhjen dhe me zgjidhjen që duan dhe meritojnë qytetarët: punë, dinjitet, mirëqenie dhe respekt!
Me votë, me votë, me votë! Kjo është thirrja e ditës për demokratët, për opozitarët, për të gjithë shqiptarët, të djathtë e të majtë, që ndajnë me ne shqetësimet dhe alarmin për paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë flagrante të qeverisë Rama-Meta, për kursin e saj të gabuar, për bilancin e saj të dështuar, për orekset e saj të shfrenuara për të sunduar kudo dhe mbi çdo gjë.
Me votë t’i ndalim, me votë t’u kthejmë reston e gënjeshtrave dhe mashtrimeve, me votë t’u japim hakun e merituar që tjetër premtuan e krejt tjetër gjë bënë. Me votë t’jua shfryjmë arrogancën dhe arbitraritetin që ua ka sjellë njerëzve në majë të hundës.
Me votë të vendosim ekuilibrin jetik të pushtetit qendror me pushtetin vendor. Me votë të krijojmë një pol fuqie, të opozitës dhe qytetarëve pa dallime politike, një pol fuqie qytetare që do të diktojë menjëherë me forcën e shumicës uljen e çmimit të energjisë elektrike, faljen e kamatvonesave për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm, uljen e çmimit të karburantëve, uljen e taksave për familjarët dhe sipërmarrjen, ulje taksash dhe mbeshtetje për biznese që punësojnë të rinjtë, mbeshtetje për biznese qe hapen nga gratë, uljen e tarifave për studentët dhe rihapje te filialeve te universitetve publike, rritjen e rrogave dhe të pensioneve, subvencione për bujqesinë, rikthimin në listën e ndihmës ekonomike të të gjithë atyre që janë hequr me pa të drejtë apo që kanë nevojë për të, heqjen e tvsh për mallrat e shportës dhe orientimin e parave publike drejt investimeve që krijojnë punë dhe zhvillim.
Me votë të shpëtojmë pushtetin vendor nga rreziku evident i aneksimit dhe asgjësimit të plotë. Me votë t’u japim autoritetin të zgjedhurve vendorë, të mos rrinë duke pritur me sytë përpjetë lëmoshën e qeverisë që nuk do të vijë kurrë për shkak të rënies marramendese të ardhurave në arkën e shtetit, por të rrisin dhe menaxhojnë me profesionalizëm e përgjegjësi të lartë burimet e mëdha në bashkitë që do të drejtojnë.
Të dashur qytetarë shqiptarë,
Në detyrën tonë fisnike si opozita e vendit, ne kemi denoncuar zinxhirin e skandaleve qeveritare, kemi qarë hallet, kemi shkëmbyer mendime dhe propozime me ju në një bashkëbisedim të hapur e të pandërprerë.
Ne kemi thirrur protesta dhe marshime popullore, ju kemi prirë atyre, për t’i kërkuar qeverisë të zbrapsej nga rritja e taksave dhe e çmimeve që kanë thelluar papunësinë, varfërinë dhe pasigurinë në vend. Por ne kemi ofruar edhe alternativën tonë duke sjellë në parlament për votim amendamentet tona për të ulur çmimin e energjisë dhe të naftës, për të hequr tvsh mbi mallrat e shportës që do të ndihmonin mijëra familje që mezi mbyllin muajin, për të rritur rrogat dhe pensionet, për të mbështetur shtresat në nevojë, për të ulur taksat e sipërmarrjes që të hapë më shumë vende pune në vend që t’i mbyllë ato. Kemi vazhduar dhe do të vazhdojmë përballjen tonë, misonin tonë si opozitë, por edhe si alternativa juaj.
Më 21 qershor është radha juaj. Më 21 qershor fjalën dhe fuqinë e keni ju. Zgjedhjet janë gjykimi suprem i qytetarëve, zgjedhjet janë zgjidhja, janë vendimi që marrin qytetarët për veten e tyre, janë shpëtimi nga morsa e të keqes që po ju merr frymën, janë frymëmarja e demokracisë.
Unë jam i bindur, se qytetarët shqiptarë janë përgatitur të marrin një vendim të mençur e të drejtë në zgjedhjet e 21 qershorit: të ngrenë zërin, të dëgjohen, të reagojnë, t’i japim një mesazh të madh e të bashkuar, një mësim për tu mbajtur mend dyshes Rama-Meta.
T’i japim një shans ofertës tonë të re, t’i japim jetë alternativës tonë, të votojnë masivisht kandidatët e Partisë Demokratike, kandidatët e opozitës.
Kudo halle-halle, gjithkush hallin e tij, askush pa halle që vetëm shtohen. Nëse do të duhet të vemë gishtin apo të zgjedhim dy prej halleve më të mëdha të shqiptarëve në qeverisjen e dyshes Rama-Meta, ato janë, pasiguria dhe varfëria.
Pasiguria përgjon si “bisha” ditën dhe natën e shqiptarëve. Pasiguria i ka bërë me hije njerëzit. Pasiguri për punën, për rrogën, për jetën, për familjen, për pronën, për pensionin, për shëndetin, për bukën e fëmijëve, për shkollimin e tyre, për të nesërmen.
Të pasigurtë janë sipërmarrësit e shtrënguar në darën e katërfishtë të taksave të larta, të kredive me probleme dhe interesave të larta bankare, të konkurencës së pandershme dhe arbitraritetit qeveritar, që vetem merr dhe nuk jep asgjë në shkëmbim, që vetëm shtrëngon, vetëm bllokon, vetëm ndalon, siç është rasti i ndalimit kolektiv të industrisë së ndërtimit për teka dhe interesa korruptive dhe klienteliste të dyshes Rama-Meta, duke hedhur në rrugë mijëra punëtorë dhe profesionistë të sektorit.
Mijëra sipërmarrje kanë falimentuar. Ata që nuk janë rrëzuar akoma mezi e shtyjnë. Frika e falimentimit i ndjek si hije, ndërsa e dinë se duhet të luftojnë orë e çast betejën e egër të mbijetesës me qeverinë që punon kundër tyre.
Të pasigurtë janë fermerët, blegtorët, tregëtarët, prodhuesit e vegjël e të mesëm, bizneset e shërbimeve, të artizanatit të cilët përveçse nga taksat e larta dhe konkurenca e pandershme, janë goditur nga rënia e pandalshme e konsumit.
Reaksionit zinxhir të përkeqësimit nga rënia e konsumit nuk i ka shpëtuar askush. “16 milion lekë humba sivjet, siç nuk më ka ndodhur kurrë gjatë njëzet viteve”, me shkroi pak ditë pas vitit të Ri Maksi, një rritës i gjelave të detit. “Shitjet ranë përtokë, njerëzit nuk kishin lekë. Para dy vjetësh shisja dy viça në ditë”, më tha një kasap në Korçë. “Tani mezi shes një në javë”. Pak ditë më parë hyra në lokalin e një këpucari në Shkodër. Ty së paku nuk të ka prekur kriza, i thashë, pasi njerëzit që nuk blejnë më këpucë vijnë për t’i riparuar. “Jo prekur, por rrënuar”, m’u përgjigj, duke më treguar raftin plot me këpucë të riparuara. “I lënë me muaj e me muaj pa i marrë sepse nuk kanë për të paguar”. “Familja ime emigroi,- më tha një zonjë në Kukës, sepse nuk na jepnin më as veresie se e dinin se nuk kishim me çfarë t’i paguanim”. Shembuj të tillë të mëdhenj dhe të vegjël krizës dhe përkeqësimit janë më mijëra çdo ditë, në çdo qytet dhe fshat të vendit, në çdo sektor.
Të pashpresë dhe të dorëzuar janë ata që nuk kanë punë.
Pasiguria iu rri si çekan mbi kokë edhe atyre që kanë një punë në sektorin privat, tek presin me zemër të ngrirë mos do t’i kapë gërshëra e shkurtimeve për shkak të taksave të larta. Njëlloj edhe atyre në sektorin publik që nuk kanë asgjë të garantuar në sistemin klientelist të dyshes Rama-Meta e cila i rrëzoi standartet europiane të nëpunësit civil.
Pasiguria është kthyer në ankthin kolektiv të shqiptarëve. Të pakët janë ata që kanë një pronë, një status, një biznes, një punë apo një aktivitet për të cilin nuk kanë pasiguri se do t’u zhvlerësohet, do t’u pakësohet, do t’u rrudhet, do ta humbin apo do t’u merret fare në kandarin spekulativ të qeverisjes Rama-Meta.
Shqipëria demokratike ka ardhur nga rregjimi i varfërisë proverbiale. Lufta kundër varfërisë ka qenë dhe mbetet një nga sfidat më të mëdha që duhet të përballojë çdo qeveri.
Po çfarë bënë këta që erdhën me tam tame të mëdha dy vjet më parë? Çfarë guri vunë, çfarë shenjë lanë këta në këtë sfidë të madhe?
Këta po e kthejnë vendin dekada prapa, në mos më keq. Këta e shndërruan varfërinë në epidemi. Varfëria është epidemia e ditëve tona, siç nuk ka qenë ndonjëherë gjatë dy dekadave të fundit.
Pasqyra e saj tronditëse janë listat e dyfishuara në dyqanet ushqimore, është rripi i shtrënguar për qindra mijëra familje që nuk mbyllin dot muajin, janë sytë e ulur përdhe të prindërve para fëmijëve, janë eksodet e reja të shqiptarëve në kërkim të bukës së gojës.
Çfarë ndodhi? Cili është shkaku? Qeverisja e dyshes Rama-Meta. Ky është shkaku.
Taksa të larta në kohë krize- këta i vunë.
Rritje të çmimit të energjisë elektrike në kohë krize- këta e bënë.
Mbifaturime dhe kamatvonesa në kohë krize- këta i sollën.
Dajakun e shtetit në kohë krize – këta e ngriten.
Shpenzime luksi, investime luksi dhe korrupsioni në kohë krize – këta po bëjnë.
Pasurimin në kohë krize – këta po venë si oligarkë të vërtetë.
E kam uruar me zemër dhe publikisht që qeveria të krijonte 300 mijë vende pune, të sillte shëndetësi falas, të ulte taksat, të ulte çmimin e energjisë, të ndikonte në uljen e çmimit të ushqimeve bazë, të bënte legalizimet falas.
Pra të mbante premtimet, të respektonte kontratën me të cilën erdhi në pushtet, si i vetmi burim morali e legjitimiteti që mban në këmbë një qeveri.
Por në të vërtetë, ekonomia u përkeqësua në çdo drejtim. Papunësia është rritur me 7 përqind. Çmimi i energjisë është më i shtrenjtë. Tarifat e arsimit janë shtuar. Çmimet e larta të ushqimeve po torturojnë sot qytetarët. Nafta është më e shtrenjta në rajon. Biznesi i vogël është drejt falimentimit. Shëndetësia në ditën më të keqe. Borxhi kombëtar u rrit me 700 milionë dollar.
Pagat e pensionet nuk janë ngritur asnjë qindarkë.
Fatkeqësisht, ky është realiteti klithës, që e shohim sot tek çdo i ri që ka humbur shpresën, tek çdo kryefamiljar që shkon kokëulur në shtëpi se nuk ka çfarë tu japë fëmijëve, tek çdo i moshuar i këtij vendi që nuk shlyen dot më faturat.
I mbani mend listat e borxheve që Edi Rama rrëmonte nëpër dyqane për t’i gjetur e nxjerrë para kamerave? Sot janë dyfishuar.
E mbani mend kur u thoshte të rinjve që do u jepte mundësi për punë e do i largonte nga bastet? Sot nuk kane lekë as për baste.
A ju kujtohet kur u thoshte fermerëve, do të rri në fushë me ju, derisa të prodhoni e shisni. Prej dy vitesh s’ka më asnjë subvencion, i marrin një dorë miqsh të lidhur me qeverinë. Po naftën që ua premtoi se do ta ulte, çfarë bëri? Sot është më e shtrenjtë se kurrë më parë.
Nuk është kjo një kronikë e një zone, e një qyteti apo një fshati ku ka rënë një mallkim. Eshtë ajo çfarë po ndodh nga Shkodra në Vlorë, nga Durrësi në Dibër. Kudo në çdo cep të Shqipërisë.
4 kokrra vezë në këmbim të një kile sheqer për fëmijën e sëmurë. E keni parë dhe e keni dëgjuar të gjithë këtë rast.
E keni degjuar për atë nënën në Korçë që i ra të fikët se kishte tre ditë pa ngrënë e kishte vetëm 200 leke te vjetra e nuk dinte c’tju blinte fëmijëve të saj.
Kjo është një dramë e përditshme dhe e përnatshme në jetët e njerëzve. Por qeveria nuk ndalet asnjë ditë të vetme. Nuk reflekton. Dhe në vend të punës, i shpenzon energjitë duke sulmuar opozitën.
Do të ishte tjetër Shqipëria, do të ishte ndryshe gjendja në vend, nëse Edi Rama do të luftonte varfërinë, me të njejtin zell që më lufton mua.
Do të uroja që me të njëjtin pasion që sulmon opozitën, të sulmonte papunësinë.
Që me të njëjtën forcë që sulmon e përbalt e fajëson këdo përveç vetes së tij, të ofronte zgjidhje për ju, për të ulur çmimet, për të ulur taksat, për të rritur rrogat dhe pensionet.
Do të uroja shumë që me atë inat që i sulet opozitës, ti sulej korrupsionit dhe abuzimit qeveritar.
Me lejoni të tërheq vemendjen tuaj tek një fakt i muajve të fundit: të ardhurat doganore dhe tatimore në Shqiperi janë në rënie pikiatë nga një muaj në tjetrin. Marsi më keq se shkurti, prilli më keq se marsi, maji do të jetë më keq se prilli. Taksat dhe akcizat i kanë rritur në qiell, e prapëseprapë mbledhin më pak. Mbi 100 milion dollarë i mungojnë arkës së shtetit vetëm këto katër muaj.
Çfarë ndodh, ku shkojnë këto para që i mungojnë ekonomisë, u mungojnë rrogave dhe pensioneve, i mungojnë ndihmës sociale, u mungojnë detyrimeve që ka shteti ndaj shtresave që presin kompensim, i mungojnë shkollës dhe shëndetesisë.
Miliardat e munguara në arkën e shtetit i vjedhin oligarkët. Kjo është oligarkia Rama-Meta që pasurohet me paratë e qytetarëve, që kërkon të kontrollojë në çdo gjë, në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo familje.
Po ta lëmë ne.. Por ne nuk do ta lemë, rinia nuk do ta lerë, demokratët nuk do ta lënë, opozita nuk do ta lerë, qytetarët e lirë nuk do ta lënë. Doganat e Shqipërisë nuk janë trarë kaçakësh por janë pasuri e gjithë shqiptarëve, territori kombëtar është pasuri e gjithë shqiptarëve, financat publike janë pasuri e gjithë shqiptarëve, pavarësisht se në to kanë futur duart e rënda e të gjata.
Rama-Meta janë kokë e këmbë brenda në këtë megavjedhje. Për të mbushur këtë gropë të zezë, për të kompensuar grabitjen e miliarda lekëve nga oligarkët e qeverisë, ata kanë ngritur kërbaçin kundër qytetarëve të thjeshtë, po u kruajnë xhepat qytetarëve të thjeshtë, kanë mbushur burgjet me qytetarë të thjeshtë për t’u marrë kacidhen e fundit.
Me varfërimin e popullit mbulojnë miliardat e vjedhura. Ky është thelbi i tyre. Ky është shpjegimi pse nuk kanë me se blejnë qytetarët, pse ka rënë konsumi, pse Shqipëria e qeverisë Rama-Meta shtyn ditët duke marrë borxh dhe duke ngrënë veten e saj. Haka e popullit do t’i zerë. Jo kjo haka e fjalës, jo haka e mallkimit. Haka e votës, sepse vota zë tamam, vota bën drejtësi, vota jep zgjidhje.
Zonja dhe zotërinj,
Ne, opozita, kemi ngritur zërin, kemi denoncuar, kemi thirrur protesta dhe marshime popullore. Por nuk jemi mjaftuar me kaq. Ne kemi ofruar alternativën tonë. Kemi bashkëbiseduar me qytetarët, jemi ulur me grupet e interesit, kemi propozuar zgjidhje.
Kemi propozuar në Parlament 36 amendamente, për uljen e taksave, për heqjen e akcizës së naftës për bujqësinë, për heqjen e TVSH për produktet e shportës, për uljen e çmimit të naftës dhe energjisë, për mosrritje taksash, për rritje të investimeve në sektorët e zhvillimit, për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Kemi insistuar në këto amendamente, edhe pse përballë kishim një mur të pandjeshëm, të verbër e të shurdhër ndaj qytetarëve. Për fat të keq, Rama dhe Meta refuzuan. Per fat të keq, ata zgjodhen të votojnë kundër. Në fakt është refuzuar qytetari. Sepse refuzim i qytetarit është, kur nuk pranon ti gjendesh në krah të përmirësosh jetën e tij.
Për fatin e keq të sipërmarrjes, për fatin e keq të mijëra e mijëra të papunëve që do të kishin përfituar vende pune nga paketa jonë e taksave të ulta, për fatin e keq të tetëdhjetë përqind të shqiptarëve që do të kishin përfituar nga ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe e karburanteve të gjitha këto amendamente janë refuzuar nga qeveria me kokëfortësi, me egoizëm, pa asnjë agument.
Por ne nuk heqim dorë, ne do të vazhdojmë të punojmë për ju, alternativa për ne është vetë arsyeja pse ekzistojmë si forcë politike.
Ulja e taksave; kjo është kryefjala e ofertës tonë të re për zgjedhjet vendore. Të gjithë kandidatët tanë janë zotuar solemnisht për uljen e taksave për biznesin e vogël në maksimumin që e lejon ligji, deri në 30 përqind, si një mundësi reale për t’i dhënë frymëmarrje biznesit, për nxitjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të punës në nivel vendor.
Oferta jonë është kujdesi me përparësi për qytetarët dhe familjet në nevojë, per ata qe jo vetëm janë harruar por edhe janë goditur më rendë, më egërsisht dhe arbitrarisht me gjoba, taksa, fatura, prishje te shtëpive e bizneseve të vogla nga dyshja Rama-Meta e që sot po marrin të pashpresë arratinë nga Shqipëria. Oferta jonë është përdorimi i fondeve publike për investime prioritare në rrugë, ujësjellësa, shkolla, qendra shëndetësore dhe shërbime të tjera bazë që përmirësojnë jetën, nxisin sipërmarrjen dhe rrisin punësimin.
Partia Demokratike ka qenë, është dhe do të mbetet partia e investimeve publike dhe shpenzimeve në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarëve, sipërmarrjes dhe punësimit.
Perballë janë kandidatët e dyshes Rama-Meta që, njësoj si padronët e tyre sot, do të shpërdorojnë nesër fondet publike për fasada, palma, zyra, makina e luks; asgjë për qytetarët, asgjë për sipërmarrjen, më shumë papunësi, më shumë varfëri, më pak shërbime.
Oferta jonë është demokracia pjesëmarrëse, qeverisja me qytetarët, me komunitetet dhe për komunitetet përbërese të bashkive të zgjeruara.
Oferta jonë është frenimi i centralizimit të mëtejshëm, rikthimi dhe thellimi i decentralizimit, i vendimmarrjes transparente dhe perfshirëse të komuniteteve dhe qytetarëve, pasi vetëm kështu qeverisja mund të jetë demokratike dhe jo oligarkike, e ndershme dhe jo e korruptuar a kriminale, zhvilluese dhe jo varfëruese, përfshirese dhe jo përjashtuese.
Oferta jonë janë kandidatët më të mirë, burra dhe gra me integritet të lartë që vijnë nga politika, nga bota universitare, nga shoqëria civile, nga sipërmarrja e lirë, individë të suksesshëm në punët, profesionet dhe detyrat që kanë ushtruar, njerëz të respektuar nga qytetarët për vlerat e tyre intelektuale, morale dhe njerëzore, menaxherë të aftë, të përkushtuar dhe me përvojë të madhe, drejtues të spikatur dhe të sprovuar në shërbim të publikut, të gjithë të gatshëm për të marrë përgjegjësi dhe për të vënë në zbatim në bashkitë e tyre ofertën tonë të punësimit, mirëqënies dhe dinjitetit.
Kandidatët tanë zotohen se do të jenë 24 orë në shërbim të njerëzve, se do degjojnë zërin e çdo qytetari, hallin dhe problemin e kujtdo, pa dalllim politik apo lokalist.
Unë e di që të jesh kryebashkiak është përgjegjësi e madhe, por dhe një nga detyrat publike më të bukura. Të jep mundësinë të bësh një ndryshim në jetën e qytetarëve. Këtë jam munduar të bëj çdo ditë në Tiranë. Kam ulur taksat dhe kam reduktuar tarifat. Kam ngritur fonde për kreditimin dhe punësimin e të rinjve, kam ofruar mijëra stazhe pune dhe bursa për ta. Të gjitha këto masa sollën një klimë pozitive për sipërmarrjen që hapi mbi 25 mijë vende të reja pune në Tiranë.
Tirana ka sot një plan urbanistik të konsultuar me banorët e saj, çka fshiu një herë e mirë paradhomën e pazareve të kryebashkiakut. Tirana ka sot 49 kilometra rrugë dhe 98 km2 trotuare më shumë, 120 mijë metra katrore gjelbërim dhe 16 mijë pemë më shumë se 4 vite më parë. Tirana ka sot projektet e transformimit rrënjësor me Bulevardin e Ri, rehabilitimin e Lumit të Tiranës dhe ndërtimin e stacionit multimodal, që do të sjellin mijëra vende pune dhe do ta bëjnë Tiranën tonë më moderne, më të zhvilluar, më europiane.
Prioriteti im i vetëm ka qenë dhe është puna, veprat, rezultatet konkrete për njerëzit. Është e lehtë të flasësh kur prioritet ke propagandën, demagogjinë, shfaqjet, dhe fasadat. Është e veshtirë t’u çosh ujë 50 mijë familjeve, të ndërtosh e rindërtosh 30 shkolla, kopshte e çerdhe, 50 kënde lojrash për fëmijë, Të modernizosh sistemin e kontrollit të trafikut dhe të sigurosh ngrohje për të gjitha kopshtet dhe cerdhet dhe 95 përqind të shkollave, të projektosh zgjidhje të mëdha dhe aftgjatë dhe të gjesh dhjetëra miliona euro financime të huaja në kohë krize.
Kjo kërkon përkushtim, kërkon devocion, kërkon dashuri të madhe për qytetarët e Tiranës. Dhe në nderim të qytetarëve të Tiranës, në respekt të tyre dhe shërbimeve më të mira për ta, në shërbim të mbarimit të projekteve, larg betejave politike në funksion vetëm të interesave të tyre, oferta jonë për Tiranën është Halim Kosova, njeriu i punës, rezultateve dhe dinjetit.
Ekipi i kandiatëve tanë shkëlqen në shumë aspekte, por unë dua të veçoj një element përbashkues, një cilësi që ka tërhequr e po tërheq më masë simpatinë e shqiptarëve: vertëtësinë. Kandiatët tanë janë të vërtëtë në çdo gjë që thonë e premtojnë, janë të vërtetët në takimet solemne dhe në biseda të lira, janë të vërtëtë sepse të tillë janë formuar në jëten e tyre dhe, veç kësaj, janë të vërtëtë sepse e vërtetë është oferta jonë, qasja jonë, lidhja jonë me zgjedhësit.
Vërtetësia e Halim Kosovës e ka nxjerrë në pah në gjithë përmasën e vet falsitetin e Edi Ramës dhe kukullës së tij në Tiranë. Dardha bie nën dardhë, falsiteti falsitet prodhon, këtë histori e shohim në Tiranë dhe në mbarë vendin.
Por Tirana nuk është e vetme në ofertën tonë, respektin tonë, përkushtimin tonë ndaj qytetarëve. Korçarët do të kenë një kryebashkiak që do të punojë me ta dhe për ta dhe nuk do t’i shpenzojë lekët për kulla korrupsioni që mbushin xhepat e shefave në Tiranë. Po keshtu Elbasani, Lezha, Berati, Dibra, Pogradeci, Gjirokastra, do të kenë kryebashkiakë të aftë dhe me përvojë dhe që porositë i marrin vetëm nga qytetarët e tyre. Shkodranët, durresakët dhe himariotët do të kenë zonja të nderuara në drejtim të bashkive të cilat do të jenë 24 orë në shërbim te tyre duke punuar për të përmirësuar cilesinë e jetës së banorëve. Fierakët, vlonjatët, kukësianët, lushnjarët, do kenë në shërbim të tyre energjinë rinore të kryebashkiakëve të ardhshëm. Në çdo bashki ne kemi sjell modelin e kryebashkiakëve me integritet, me pervojë dhe të përkushtuar për t’iu shërbyer qytetarëve.
Zonja dhe zoterinj,
Të dashur bashkëqytetarë,
21 qershori është dita e gjykimit të madh të kësaj qeverie. Do të pranohet apo do të refuzohet me votë të lirë modeli i mashtrimit. Do të pranohet apo do të refuzohet me votë të lirë modeli i papunësisë, taksave dhe çmimeve të larta, modeli i burgut dhe i varfërisë. Do të pranohet apo do të refuzohet me votë të lirë ngritja e krimit në system. Do të pranohet apo do të refuzohet me votë të lirë kapja e pushtetit vendor nga oligarkët. Kemi bindjen e thellë se qytetarët nuk mund ta bekojnë me votë këtë model të se keqes, por do ta ndalojnë, do ta delegjitimojnë në kutitë e votimit.
Me votë! Me votë!
Bashkë me ju, kam ardhur në këtë nisje kaq entuziaste nga një udhëtim i gjatë nepër Shqipëri. Kam takuar mijera e mijëra burra dhe gra, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar, kam parë padurimin në vuajtjen, në shpërthimin apo edhe në heshtjen e tyre të rëndë: padurimin për të votuar; kam lexuar në sytë e tyre një kërkesë, një lutje, një porosi, për t’u prirë, për t’i drejtuar, për të mos i zhgënjyer.
Për ketë zotohem, për ketë zotohemi sot të gjithë bashkë:
Për një punë të madhe, Për një detyrë të madhe para qytetarëve shqiptarë: Të ndalim të keqen, të çelim perspektiven e re.
Të nisemi dhe të mos ndalemi për fitoren e kandidatëve të Partisë Demokratike dhe opozitës, pë fitoren e qytetarëve të lirë.
Për një të nesërme të sigurtë.
Për ju.
Për Punë dhe Dinjitet.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!

KOSOVA: DUA TË DREJTOJ BASHKINË PËR T’U SHËRBYER QYTETARËVE, TOLERANCË 0 NDAJ KORRUPSIONIT
“Kam shprehur gatishmërinë për të marrë përsipër detyrën e nderuar e shumë sfida të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Asnjë arsye e lidhur me interesa personale nuk më ka shtyrë për këtë. E vetja shtysë ka qenë dëshira për t’iu shërbyer qytetarëve. Kam lindur e punuar me qytetarët në Tiranë. Kam bindjen se do t’u shërbej juve më mirë se kushdo tjetër që ka shprehur të njëjtën dëshirë. Garoj sepse e dua këtë qytet. Dua të përmirësoj higjienën në qytetin tojë, por edhe frymëmarrjen e qytetit. Dua të përmirësoj edukimin e fëmijëve. Dua të ndërtoj e të rregulloj trotuaret tona. Dua të marr në mbrojtje e të ndihmoj njerëzit e varfër. Do të ndihmojmë fëmijët jetimë, komunitetin rom dhe atë egjiptian. Dua të ul papunësinë, të ul taksat e të krijoj lehtësira për biznesin e për familjet. Të gjithë sot jemi lodhur nga disa politikanë që dinë vetëm të fajësojnë njëri tjetrin, e nuk marrin përgjegjësi mbi veten. Ka ardhur koha për të zgjidhur problemeve tona. Ka ardhur koha për t’i thënë mjaft majtistëve. Mjaft djathtistë të shtirur. S’kam dashur asnjëherë të fus duart në xhepin e të tjerëve, por është zgjedhja ime t’u ndihmojë qytetarëve.

Marr përsipër t’u ofroj qytetarëve marrjen e shërbimit të nevojshëm, pa qenë nevoja ta blerë atë. jam i ashpër për interesat e publikut, negocioj deri në fund për interesat e tij. Kam tolerancë 0 për atë që vjedh. Nuk ka shans askush të jetë më mua nëse dëmton qytetarin, nëse i kërkon diçka në këmbim të shërbimit të ofruar. Oferta ime është integriteti, shërbim, transparencë, punë e shërbim ndaj çdo qytetari të Tiranës. Do të jem i devotshëm për të përligjur besimin tuaj.

Kur isha në krye të maternitetit t’i Tiranës, kontrolloja me kujdes mënyrën e ofrimit të shërbimeve aty. kemi realizuar tenderime për medikamente me një kosto 30 % më të ulët se në vitet me parë. kriter i punësimit u bë meritokracia. vendosëm së bashku me stafin objektiva, vendosëm tolerancë 0 ndaj korrupsionit. Nuk jam në këtë garë për të bërë karrierë politike.

Kosova tha se sot Tirana ka shumë varfëri dhe papunësi. Por sipas tij Tirana ka pasuri të shumta. Kandidati i së djathtës në Tiranë shprehu besimin se qytetarët do dinë të zgjedhin kandidatin më të mirë, siç tha ai për punë dhe jo për llafe.

“Ka shumë varfëri në Tiranë dhe në zonat përreth, papunësia është vrastare. Nuk ka gjë më të trishtë se sa profesionistët, ata që kanë mbaruar shkollën, nuk kanë punë. Jam i ndjeshëm për të rinjtë. Tirana pasuri të shumta. Kam besim se qytetarët e Tiranës, do të zgjedhin kandidatin më të mirë, për familjet e tyre. Do ta zgjedhin për punë dhe jo për llafe, për punë dhe jo politikën, për punë dhe për dinjitet”, tha Kosova.

RISTANI: KANDIDATËT TANË NUK KANË REKORDE KRIMINALE
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani tha se “kandidatët tanë nuk kanë rekorde kriminale dhe zotohen se nuk do të rrisin taksat por do t’i ulin në kufijtë më të ulët ligjorë. “Kandidatët tanë zotohen se dera e tyre do të jetë e hapur 24 orë për qytetarët.  Votoni më 21 qershor për punë dhe dinjitet”, deklaroi Ristani.

MEDIU: OPOZITA ËSHTË NË BETEJË ME MARRËZINË DHE HAJNINË E SOTME
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu tha se opozita dhe qytetarët shqiptarë po përballen sot me një qeveri që do të kontrollojë gjithçka, me dhunë. Ai theksoi se qëllimi i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet nuk është pushteti por ndërtimi i shtetit.

“Po përballemi me një qeveri që do të kontrollojë gjithçka. Sot Shqipëria është më e varfër, njerëzit janë të papunë dhe të pashpresë, ata nuk gjejnë asnjë shpresë tek qeveria Rama, por vetëm dhunë. Jemi sot këtu se si shqiptarë refuzojmë të pranojmë se nuk mund të ndryshojmë këtë gjendje. Jemi këtu për të ndryshuar Shqipërinë për të bërë më të mirën për këtë komb që e ka falur Zoti. Rama harron se republikanët, demokratët e kanë thyer frikën që në vitin 1990. Dhe nëse ai kërkon të vendosë shqiptarët nën këmbë përmes varfërisë, ai duhet të ketë frikë nga çdo shqiptar. Ka filluar të kërcënojë qytetarët se po zgjodhët kandidatët e opozitës, nuk do ketë ujë, punë etj, kjo është e padëgjuar në 24 vjet, është lufta që i bëhet pluralizmit politik. Të kujt janë këto para, të Ramës, të Metës, janë tuajat qytetarë shqiptare. Ai përpiqet të flasë kundër kandidatëve të opozitës, kandidatëve të shqiptarëve, por kjo nuk i bën asnjë nder, përkundrazi se shqiptarët e njohin. Njerëzit mjaftojnë të kujtojnë fjalët dhe sharjet e pista për shqiptarët, për ortakun e tij Meta”, tha Mediu.

Kreu i PR-së, një nga aleatët historikë të PD-së, theksoi se opozita është një rrugë e vështirë, në betejë me marrëzinë dhe hajninë e sotme.

“Opozita është një rrugë e vështirë por është rruga e drejtë për të ndërtuar shtetin. Opozita është prova e karakterit të çdo gruaje dhe çdo burri për të mos pranuar të bëjë kompromis. Është betejë me marrëzinë dhe hajninë e sotme. Unë dua t’iu falënderoj jo thjesht në emër të PR-së, por të gjithë shqiptarëve për sfidën që keni marrë për të bashkuar shqiptarët. Duhet të trokasim fort dhe dhimbshëm në derën dhe zemrën e çdo qytetari se qëllimi ynë nuk është pushteti por ndërtimi i shtetit. Ne duhet të bashkohemi të gjithë kundër vjedhjes së LSI-së dhe PS-së. Ne do të punojmë se shqiptarët meritojnë më shumë”, tha Mediu.

ADEMI: NE DUHET TË BËJMË MË SHUMË PËR SHKODRËN
Kandidatja e Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet për kryetare të Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi tha se në vitet e fundit, qytetit të Shkodrës i është ndryshuar imazhi por sërish duhet bërë më shumë, duke përmendur disa nga sektorët më të rëndësishëm.

“Në vitet e fundit, Shkodrës i është ndryshuar imazhi, por ne duhet të bëjmë më shumë për Shkodrën. Ne duhet të bëjmë më shumë për zhvillimin zonës urbane, integrimin e zonave rurale. Ne duhet të bëjmë më shumë për turizmin malor dhe detar. Ne projektojmë dhe do të zhvillojmë Shkodrën rajonale”, tha Ademi.

ALIBEAJ: ZGJEDHJET E 21 QERSHORIT, FILLIM I NJË ERE TË RE POLITIKE
Kandidati i PD-së për bashkinë e Fierit, Enkelejd Alibeaj i cilësoi zgjedhjet e 21 qershorit, si fillim i një ere të re politike.

“Zgjedhjet e 21 qershorit, janë fillim i një ere të re politike. Erë e re e PD-së. Ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar të kandidoj për Fierin, është qyteti im, është shtëpia ime. Ndihem akoma më shumë i obliguar të kandidoj për Fierin, sepse më është dhënë mundësia të bëj diçka për qytetin tim. Sot fierakët të pasigurt, kanë humbur besimin. Është koha ta kthejmë Bashkinë e Fierit në anën e qytetarit. Është koha për tu fokusuar tek prioritetet tona. Është koha të çlirojmë qytetin. Është koha të votojmë për punë dhe dinjitet”, tha Alibeaj.

MERO: DO FOKUSOHEMI TEK PRIORITETET
Kandidati për kryetar të Bashkisë së Korçës, Gjergji Mero, pasi u prezantua premtoi se do të fokusohet tek prioritetet. “Prioritetet, Korça e varfërisë, e periferisë, e korçarëve të papunë. Dera e bashkisë do të jetë gjithmonë e hapur. Faleminderit dhe fitore”, tha Mero.

SHEHU: DO RIKTHEJMË SHPRESËN TEK BANORËT
Ndërsa kandidati për kryetar i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu tha se do të punojë për rikthimin e shpresës tek banorët.

“E kam parë dita-ditës se si po fundoset Kukësi, jo për shkak të liqenit, si dikur por për shkak të humbjes së shpresës. Rruga e Kukësit, duhet ta lidhte Kuësin me zhvillimin, por çdo ditë Kukësi vjen duke u zvogëluar”, tha Shehu

DUMA: DO TË FITOJMË NË GJITHË SHQIPËRINË
Kandidatja e PD-së për Durrësin, Grida Duma paralajmëroi një fitore në të gjithë Shqipërinë të opozitës. “Do ti çojmë Durrësit fitoren dhe të përgatiten mirë sepse do jemi fituesit e mbarë Shqipërisë. Sot realiteti i dhimbshëm, por kurrsesi pa shpresë”, u shpreh ajo, duke renditur disa nga prioritetet e saj për bashkinë e Durrësit.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: