MALI I ZI- Ministri malazez i Punëve të Jashtme, Igor Lukshiç, ka deklaruar se kufiri ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës do të përcaktohet sipas dëshmive kadastrale dhe jo me rezolutë.

Lukshiç, siç transmeton gazeta “Blic” e Beogradit, transmeton Koha.net, lidhur me Rezolutën e Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi miratuar në Kuvendin e Kosovës gjatë qershorit, ka thënë se për demarkacion në Malin e Zi është e ngarkuar Ministria e Punëve të Brendshme e këtij vendi dhe se kjo punë po ecën “me rrjedhë të planifikuar”, shkruan “koha.net”.

Duke folur për Rezolutën e Kosovës, Lukshiç ka thënë se edhe në Bosnjë e Hercegovinë ka qenë e propozuar Rezoluta e ngjashme me këtë të Kosovës, por, tha ai, “ekspertët dëshmuan se për këtë nuk ka problem”.

Për demarkacionin e kufirit me Kosovën u debatua në Këshillin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Malit të Zi. Deputeti i partisë opozitare Fronti Demokratik Milan Knezheviç (në foto) ka thënë se “po mendon seriozisht të propozojë rezolutë sipas të cilës kufiri i Malit të Zi dhe i Kosovës të jetë ai i vitit 1913 kur Metohia (Dukagjini) ka qenë në përbërje të Mbretërisë së Malit të Zi.

Knezheviçi e pyeti Lukshiçin nëse shteti po bën ndonjë gjë pas miratimit të Rezolutës së Parlamentit të Kosovës, me të cilën kërkohet që kufiri të përcaktohet sipas Kushtetutës së vitit 1974 duke vlerësuar se kjo Rezolutë është sulm në sovranitetin e Malit të Zi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb