TIRANË- Megjithëse gjithë vendi është nën pushtetin e ujit, furnizimi me energji nuk ka munguar. Këtë e ka pohuar Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, i cili tha se janë mbi 1800 punonjës në terren dhe se nga 1200 fidra që janë në total, vetëm 30 janë të stakuar, disa për arsye sigurie për të garantuar jetën e qytetarëve për shkak se kabinat janë nën ujë.

“OSHEE po ndjek me përparësi situatën e furnizimit me energji. Kemi ngritur shtabin qendror të gatishmërisë, kemi ngritur edhe në drejtoritë rajonale që komunikojnë çdo 1 orë me shtabin qendror për planin e masave. Në territor janë 1867 punonjës që ndodhen në terren. Aktualisht furnizimi me energji elektrik është i kënaqshëm, përveç rasteve kur është ndërprerë për arsye sigurie si në Divjakë e Çermë për shkak të shpërthimit të lumit Shkumbin që ka mbuluar kabinat. Në të gjithë vendin hidrovoret punojnë. Nga 1200 fidra kanë probleme më pak se 30 fidra, ku pjesa më e madhe janë stakuar për arsye sigurie, si në rastin e lumit Erzen për të garantuar jetën e qytetarëve dhe punonjësve. Stakimi është bërë edhe në zonat rurale, ku edhe investimi ka qenë i vogël. Nuk kemi situatë alarmante nga ana e furnizimit me energji elektrike. Jemi në gatishmëri për çdo defekt”, deklaroi Çela për Neës24.

Ndërkohë ai ka nxjerrë edhe një efekt pozitiv të reshjeve siç është rritja e nivelit të ujit në HEC-e, çka sjell reduktim të humbjeve dhe përmirësim të situatës hidrike. “Reshjet kanë rritur prurjet dhe është rritur niveli në HEC-e. Është ulur me 10% niveli i humbjeve. Ka përmirësim të situatës hidrike dhe këto reshje garantojnë përmirësimin e situatës hidrike edhe në pjesën tjetër të vitit”, tha Çela.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb