Futbolli në Shqipëri mbetet pezull, nuk përfshihet as në fazën e dytë të sektorëve që do të kenë lehtësira, grumbullimet me më shumë se 5 persona konsiderohet me rrezikshmëri të lartë. Në këtë betejë, futbolli në Shqipëri, ndryshe nga çdo vend tjetër në Europë, nuk është përfshirë deri më tani në asnjë paketë ndihme nga qeveria shqiptare, e vetmja ndihmë nga klubet, ka qenë një minimum jetik nga ana e FSHF-ës, gjithsesi jo e mjaftueshme për pjesën më të madhe të klubeve. Impakti që Covid-19 ka pasur dhe pritet të ketë në futbollin shqiptar është shumë i madh. pasi pjesa më e madhe e presidentëve që financojnë në futboll përfitimet e tyre i sigurojnë nga biznese që në të shumtën e raste janë prekur drejt për drejtë nga kjo pandemi. Bekim Halilaj, presidenti i Luftëtarit shprehet për News24, se situata ekonomike ka qenë e vështirë edhe përpara Covid-19, në një kohë kur ligji i sportit, pjesa e sponsorizonit nuk i vjen aspak në ndihmë:

“Situata e klubeve në Shqipëri ka qenë e ndërlikuar dhe e rënduar edhe më herët pasi ende nuk ka kaluar ligji i sportive, ky virus e ka rënduar më shumë. Ne si klube, si presidentë klubesh, i jemi drejtuar me një letër qeverisë, shpresojmë që pavarësisht problemeve që ka qeveria të diskutoj edhe problemin tonë.”

Përballë një fature të lartë ekonomike, pa një ide të qartë nëse do të luajnë apo jo, të detyruar të paguajnë lojtarë dhe stafet gjatë kësaj periudhe, problemet për Luftëtarin dhe pjesën më të madhe të klubeve sa vijnë e shtohen. Pavarësisht këtij momenti shumë të vështirë, presidenti i Luftëtarit nuk heq dorë, mbetet në pritje të një përgjigje nga qeveria shqiptare dhe FSHF për të vendosur më pas në një moment të dytë, së bashku më të gjithë aktorët e tjerë:

“Është ende shumë herët për të parashikuar se si do të shkoj kjo situatë. Askush nuk e di ta parashikoj, e rëndësishme është që kaloj me sa më pak humbje njerëzish dhe me sa më pak dhimbje. Besoj që në një moment të dytë, autoritetet përkatëse, FSHF dhe ne si drejtues klubesh do të marrim vendimin e duhur në kohën e duhur për të gjithë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb