Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja që ndodhi sot në Sarandë, ku një përmbarues privat ka mbetur i plagosur me thikë. Ngjarja ndodhi në lagjen nr.1 në qytetin bregdetar.

Dyshohet se Baftjar Nela u plagos me thikë nga Aleksandër Camandioti teksa kishte shkuar në banesën e këtij të fundit për të dorëzuar njoftimin për masë sigurie për këtë ndërtesë.

Bashkëshortja Vjollca Camandioti ka rrëfyer për gazetaren Shpresa Dine se çfarë ndodhi mëngjesin e sotëm, kur në derë i trokiti përmbaruesi Nela, i shoqëruar edhe nga Ladimir Bino, administrator i kompanisë së ndërtimit. Ajo tha se gjithçka nisi kur përmbaruesi i kërkoi burrit që sot të largohej nga shtëpia, ndërsa ata u kapën me fjalë. Mes të tjerash ajo tha se nuk kishte parë skenën kur burri i saj kishte goditur me thikë përmbaruesin.

“Ishe ora 07:30, ne flinim gjumë, që binte porta, i binin me shkelma se nuk kemi zile. U çua burri dhe më pas unë. I tha burri; çfarë doni?! “Firmosni këtu se sot do ikni nga shtëpia”, tha përmbaruesi. Ndërkohë burri i tha se; ‘Ne jemi në apel, të premten kemi apeluar. Si mund të dal sot, kur ju nuk më keni njoftuar?!’. Kaq ishte, nisën të kapeshin me fjalë. Na provokuan. Ai ndërtuesi tha; Pabuksa do ikni nga shtëpia ime”. Burri im i thotë; “Kjo është shtëpia ime, s’më keni borxh e as nuk ju kam”. Ata i thoshin burrit; “ik o pabuks”. Më pas u nevrikosën dhe burri më tha; “ik në dhomë”. Nuk pash më ça ndodhi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb