TIRANË

Paketa fiskale dhe buxheti për prodhuesit ka qenë sot temë e diskutimit në “Real Story” në News24. Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici tha se për politikën fiskale nuk mund të flitet vetëm për përqindjen, duke shtuar se duhet të shihet politika dhe objektivi final. Sipas tij, në qoftë se ne problem kryesor kemi rritjen e prodhimit vendas kështu duhet ta shikojmë diskutimin e pjesës fiskale.
Nga ana tjetër Kreu i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka tha se sektori i bujqësisë është ndër më të rëndësishmit që ka çdo vend dhe nuk mund të lihet pas dore. Ai theksoi se sot asnjë vend i BE-së nuk ka hequr dorë nga skema kombëtare për produktin vendor.
Civici: Kur flasim për politikën fiskale, mendoj se duhet të shkojmë pak më tej. Në qoftë se shikojmë vetëm përqindjen shpeshherë mund të mos bëjmë analizën e duhur.
Edhe po t’i referohemi eksperiencës së BE, politikës së përbashkët bujqësore edhe ata kanë kaluar nga thjesht përqindje në politika më afatgjata.
Në rastin e bujqësisë dhe konkretisht në rastin e qumështit duhet ta shikojmë më gjerë, çfarë duhet të arrijmë me këtë politikë, cili është synimi final. Çdo lloj përdorimi duhet parë në sensin çfarë politike nënkupton. Nëse duam të krahasohemi me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk duhet të krahasohemi me përqindjen, qoftë me TVSH-në apo elementë të tjerë, sepse qëllimet janë të ndryshme. Në qoftë se ne problem kryesor kemi rritjen e prodhimit vendas kështu duhet ta shikojmë diskutimin e pjesës fiskale. Çfarë kërkon Nikolini, kërkon të ketë sasi më të madhe qumështi, atëherë politika fiskale duhet të shkojë në atë drejtim çfarë elementësh duhet për të rritur prodhimin.

Vetëm djathi jonë dhe i prodhuar vetëm me qumështin tonë nuk e përmbush kërkesën e tregut. Politika fiskale stimulues, duhet të jetë pikërisht tek rritja e prodhimit vendas. Organizimi i fermave të mëdha, shtimi i krerëve e të gjithë elementët e tjerë. Kur diskutojmë për elementë të paketës fiskale duhet ta shikojmë si një objektiv që duhet të realizojmë.
A ka buxheti jonë linja të qarta të politikave? Më duket një debat i ndarë, shumica e diskutimeve për buxhetin nuk lidhet me politikat që duhen bërë. Po nuk u institucionalizua politika dhe objektivi mbetet vetëm diskutim. T’i shikojmë politikat si objektiva dhe pastaj të shikojmë që kjo politikë fiskale po shkon në përputhje me këtë objektiv?
Jaka: Është më se normale që çdo politikë hartohet duke pasur në mendje një strategji minimalisht afatmesme. Sektori i bujqësisë është ndër më të rëndësishmit që ka çdo vend. Nuk mund ta injorojmë me mungesën e avantazheve krahasuese për ta lënë pas dore.
Sot Shqipëria ka çmimet më të larta të qumështit. Një produkt i thjeshtë në Kosovë shitet me 99 cent, në rastin më të mirë 1 euro sepse produkti vendor është 0.7 cent.
Civici: Sa përqind e atij produkti vendor në Serbi vjen nga fermat apo nga fermerët individualë.
Jaka: Aktualisht jemi 11 % formalë dhe 89% informalë. Ne vuajmë nga statistikat. Nga ana tjetër është shumë e thjeshtë dhe e lehtë për gjënë e gjallë sepse ka matrikullimin. Në momentin që fermeri deklaron 5 krerë lopë, 30 krerë dhi e dele automatikisht futet në skemë.
Civici: Kemi 25 vjet që rrimë në këtë nivel. Objektivi kryesor i Maqedonisë së Veriut, Serbisë e Greqisë ishte zmadhimi i fermave blegtorale. Një nga defektet që ne kemi është strukturor. Sa përqind e prodhimit vendas mund të përpunohet nga industria. Nëse nuk kemi kapacitet të mjaftueshëm detyrohesh ta konsumosh brenda sezonit dhe më pas të marrësh produkte të importuara.
Jaka: Sot asnjë vend i BE-së nuk ka hequr dorë nga skema kombëtare për produktin vendor. Austria dhe Gjermania e kanë stimuluar me incentiva nga qeveria për t’i kaluar në produkte bio dhe organike sepse produktiviteti i tyre ishte në pamundësi. Çfarë strukture kemi ne.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb