TIRANË

Paketë sociale e ka quajtur ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj paketën fiskale të vitit 2019. Ahmetaj u shpreh “me krenari” se është pastërtisht politikë e majtë. Ministri tha se numri i bizneseve të reja në Shqipëri është 10691, duke folur për rritje neto.

Sipas tij 91% e sipërmarrjeve në Shqipëri taksohen ose zero ose 5%. Ahmetaj theksoi se Shqipëria ka lënë pas gropën e thellë, piramidën e dytë në historinë e Shqipërisë, gropën e vitit 2012.

“Një lajm tjetër i mirë. Numri i bizneseve të reja në Republikën e Shqipërisë është 10691 dhe jemi duke folur për rritjen neto. Pra çregjistrime janë 6 mijë dhe kompani të reja mbi 17 mijë. Neto mbi 10 mijë biznese të reja që qëndrojnë në themel të rritjes ekonomike. E filluam 2013 me 0.3%. Kemi bërë një udhëtim të gjatë e të mundimshëm por sot mund të themi që me gjithë vështirësitë që ka Shqipëria kemi lënë pas gropën e thellë, piramidën e dytë në historinë e Shqipërisë, gropën e vitit 2012.
Dua të sjell në vëmendjen tuaj disa nga elementet e paketës fiskale. Hoqëm taksimin e sëmundjes. Opozita e sotme taksonte sëmundjen. Hoqëm TVSH-në e barnave. Efekti që atë vit i taksës progresive shkoi brenda vitit rreth 7 mld. Vazhduam me uljen e rentës minerare, me uljen e tarifave doganore, me TVSH-në për sigurimet e detyrueshme dhe me autofaturimin e fermerëve. Vazhduam me zerimin e taksës së biznesit të vogël. Nga 0 deri në 5 mln paguajnë zero tatim fitimi që nga viti 2016. Sipërmarrjet nga 5 deri në 8 mln paguajnë 5%. në paketën e vitit 2017 vazhduam me uljen e rentës minerare. Reduktuam akcizën për duhanin vendas. Bëmë përmirësim të gati 30 procedurave tatimore”, deklaroi ministri.

Ai tha se tek paketa fiskale që merr jetë më 1 janar të vitit 2019 kemi uljen e normës së tatimit mbi fitimin.
“Ndërkohë dua të ndaloj tek paketa e vitit 2018. 91% e sipërmarrjeve shqiptare sot taksohen o zero o 5%. Nuk ka precedentë të kësaj natyre në rajon, nuk ka. Kjo nuk është thjesht paketë fiskale por paketë sociale që me krenari e themi është pastërtisht politikë e majtë. Iniciativë e kryeministrit. 5% për fermerët për të korrektuar atë problem që ka bujqësia. Tek agroturizmi ulëm fitimin korporativ në 5%. Tek paketa fiskale që merr jetë më 1 janar të vitit 2019 kemi uljen e normës së tatimit mbi fitimin, përfitojnë mbi 11 mijë biznese ose 50% e bizneseve që taksoheshin 15%. 91 % e ndërmarrjeve në Republikës e Shqipërisë sot taksohen ose zero ose 5%”, u shpreh Ahmetaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb