TIRANE – Opozita e akuzon qeverinë Rama se i fali CEZ-it 600 milionë euro ditën që firmosi marrëveshjen për largimin e kompanisë nga Shqipëria. Dje, negociatori i paktit me çekët zbuloi një tjetër presion të bërë ndaj qeverisë shqiptare. Dhe këtë radhë çekët nuk kërcënonin me gjyqin e arbitrazhit, ku kërkonin 300 milionë euro. Shantazhi ishte diplomatik dhe unik për një vend të Bashkimit Europian, i cili ka përdorur votën e tij në BE.

Gazeta “Panorama” shkruan sot se Janes Kopac, kreu i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, zbuloi se Çekia ka vendosur veton për dhënien e status të vendit kandidat në BE për Shqipërinë.
“Arritja e një marrëveshjeje ishte e nevojshme, sepse Çekia vendosi veton për Shqipërinë. Vetëm dy orë pas nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën time, vetoja u hoq”, theksoi negociatori Kopac.

Kjo deklaratë e tij në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese në Kuvend duket se i vë kapakun të paktën njërës prej akuzave ndaj qeverisë Rama. Për para, siç e akuzon opozita, apo për votën e Çekisë në BE, siç pohon negociatori, Shqipëria ka humbur nga pakti me CEZ-in në vitin 2014. Kuptohet qartë që pranimi i marrëveshjes në kushtet e një shantazhi, nuk mbron interesat e Shqipërisë. Në të kundërt, s’do kishte veto. Por negociatori slloven, më pas e ka mbrojtur marrëveshjen.

“Kjo çështje u zgjidh në mënyrë të kënaqshme, mendoj. Duhet të jeni të lumtur që kjo çështje u zgjidh në këtë mënyrë. Në politikë dikush duhet të vendosë dhe qeveria pati kurajë. Ndonjëherë është më e rehatshme të mos bësh gjë dhe nuk fajësohesh për asgjë, por më pas je fajtor që nuk ke parë drejt së ardhmes”, theksoi Kopac.

Por për Genc Rulin, i gjithë ky zbulim i rrit dyshimet për marrëveshjen.
“Nuk kemi pasur asnjë njoftim zyrtar se Çekia do të vendoste veton. Kanë qenë vetëm në kuadrin e fjalëve. Zgjidhjen e kuptojmë që ishte e domosdoshme për situatën ku ndodhej gjithë sektori energjetik, por nuk duhet të harrojmë që humbëm shumë. Shqipëria kontraktoi një nga studiot më të mira të avokatisë për pretendimet e saj se CEZ na detyrohej 1.2 miliardë euro. Në analizën e saj, pala avokatore kishte garanci për të paktën 600 milionë euro pretendime ndaj CEZ-it. Vërtet do të duheshin vite të arriheshin këto, por kjo do të evitonte që të paguanim siç paguam në vend që të merrnim atë që na takonte”.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat, ish¬-kreu i Ministrisë së Ekonomisë, nënvizoi se nuk ka marrëveshje që të parashikojë përjashtim të përgjegjësisë apo procedimit penal të ish¬zyrtarëve apo personave që mund të kenë ndikuar në nënshkrimin e keq të marrëveshjes”. Reagimi i kreut të sekretariatit të Vjenës, ishte shumë domethënës. “Kjo marrëveshje është publike”. I pyetur për hetimin ndërkombëtar, Kopac ishte pro. Sipas tij, në momentin kur situata është mjaft komplekse, edhe një hetim ndërkombëtar do të ishte i pranueshëm.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb