Palestinezët në Bregun Perëndimor nën okupim, protestuan kundër Deklaratës së Balfourit në 103-vjetorin e saj e cila ka shkaktuar krijimin e shtetit të Izraelit mbi territoret e Palestinës.

Në protestën që u zhvillua në Ramallah me thirrjen e Komitetit të Forcave Kombëtare dhe Islame të Palestinës e cila përfshin brenda saj një pjesë të madhe të grupeve palestineze, u mbajtën flamuj të Palestinës dhe parulla në reagim kundër Deklaratës së Balfourit.

Protestuesit kërkuan që Britania e Madhe të njohë shtetin e Palestinës dhe të kërkojë falje për shkak të gabimit historik që ka bërë lidhur me të drejtat e popullit të Palestinës.

Kryeministri palestinez, Muhammad Shtayyeh në një deklaratë sot i bëri thirrje Britanisë të njohë shtetin e pavarur të Palestinës me kryeqytet Kudsin Lindor në kufijtë e vitit 1967. Ai vuri theksin se ky hap duhet të hidhet si një dëmshpërblim për koston që populli i Palestinë ka paguar për shkak të Deklaratës së Balfourit.

Deklarata e Balfourit

Deklarata e Balfourit ishte një letër të cilën më 2 nëntor të vitit 1917 sekretari i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Britanisë, Arthur James Balfour ia shkroi Lordit Walter Rothschild, njërit prej figurave të shquara të lëvizjes cioniste dhe e cila u premtonte hebrenjve krijimin e një “atdheu” në territoret palestineze.

Letra e cila në histori njihet si “Deklarata e Balfourit” shihet si një pikë e rëndësishme në procesin drejt themelimit të shtetit izraelit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb