TIRANË

Nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi deklaroi sot se Edi Paloka dhe Bujar Leskaj nuk ishin të dehur dje në parlament, por të zemëruar.

Boçi ka reaguar pas debatit dje në parlament mes Palokës, Leskaj dhe kryeministrit Edi Rama, teksa dy deputetët e PD i shkuan pranë vendit ku ishte ulur kryeministri.

Boçi shkruan më tej se ata ishin deri në fyt të mbushur me zemërim e shfrynë dufin e reagimit të ligjshëm dhe jo vetëm te tyrin, ndaj një Kryeministri gojëndotës, të pacipë dhe arrogant të neveritshëm.

Shkaktar sipas tij ishte Rama dhe mori përgjigjen që meritonte pas fyerjeve ndaj opozitës.

POSTIMI I PLOTË
Nuk ishin të dehur, ishin të zemëruar

Paloka dhe Leskaj nuk ishin të dehur siç mërmërit Rama.
Aspak!
Ishin deri në fyt të mbushur me zemërim e shfrynë dufin e reagimit të ligjshëm dhe jo vetëm te tyrin, ndaj një Kryeministri gojëndotës, të pacipë dhe arrogant të neveritshëm.
Ata nuk u poqën me Ramën rastësisht si të panjohur në rrugë që të akuzohen paturpësisht se kishin marrë alkool.
Ballafaqimi me të ishte ngjarje që do ndodhte dhe pritja u shkaktua nga sjellja e Ramës.
Shkaktari i zemërimit të tyre ishte vetë Kryeministri banal, i cili nuk ndalet të përdorë fjalor linçues ndaj opozitës.
Pse habitet Rama?
A e di ai se çfarë urrejtje vlon për të në ambientet përtej parlamentit, në të cilat reagimi i Palokës dhe Leskajt do dukej si përkëdhelje?!!!!
Dhe pse shan kaq shumë Rama?
Shan, se i shari të shan – thotë populli!
Shan, sepse kërkon, pa pasur turp nga turpi, të mbulojë ngjarjet korruptive!
Shan, sepse brenda tij ka një dëshirë perverse të shahet nga të tjerët!
Shan, sepse sharjen e ka aleaten e vetë më besnike.
Por përgjigjen e mori siç e meritonte,
Me të njëjtën monedhë!
E mori në proporcion të drejtë me ato që kishte vjellë nga goja një ditë më parë, ditë të tëra më parë, muaj e vite me radhë.
E meritonte dhe me ashpër madje, por le t’i shërbejë si mësim për t’i vënë gishtin kokës e për të mos cenuar opozitën, qytetarët, madje dhe të tijtë.
Zemërimi i Palokës dhe Leskajt nuk ishte zemërim i çastit dhe as i vetes së tyre.
Ai është shprehje në një formë ndryshe e zemërimit mbarëpopullor që do derdhet nesër shesheve të Tiranës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb