Vjen ndihma e tretë për Kosovën sa i takon situatës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i dorëzoi të premten Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë dhjetë auto-ambulanca, 100 shtretër spitalorë dhe pajisje të tjera mjekësore, të cilat përfshijnë 150 pompa infuzioni, 127 monitorues të pacientëve dhe 7,000 litra substancë dezinfektuese të duarve.

“Vlera totale e këtij donacioni është 1.17 milion euro dhe është pjesë e ndihmës së BE-së për Kosovën, për t’u marrë me pandeminë e [sëmundjes që shkakton koronavirusi] COVID-19”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së BE-së. Në prill dhe maj, Bashkimi Evropian ka dërguar edhe disa furnizime të tjera në Kosovë, përfshirë: doreza, maska, syze, dezinfektues e të tjera.

“Jam e lumtur që kemi një shpërndarje tjetër të pajisjeve mjekësore në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, të cilat jemi të sigurt se do t’iu shërbejnë qytetarëve në Kosovë si gjatë pandemisë COVID-19, ashtu edhe në vitet në vazhdim. Brenda disa javëve të ardhshme, ne gjithashtu presim të ofrojmë 30 ventilatorë të njësisë së kujdesit intensiv, pajisje shtesë mjekësore, më shumë shtretër spitalorë dhe 6,000 teste për COVID-19, me të cilat do të përmbyllen dërgesat e planifikuara të pajisjeve mjekësore, në vlerë prej 5 milionë eurosh, të dhuruara nga Bashkimi Evropian”, tha Apostolova.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb