TIRANË- Bashkimi Europian do të japë mbështetje për zbatimin e një projekti të ndërmarrë nga Shërbimi Social Shtetëror, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me shkollat, për parandalimin e krimeve tek të rinjtë. Këtë fakt e bëri të ditur vetë ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Gjatë fjalës së saj, Vlahutin theksoi se parandalimi i këtij fenomeni mund të bëhet në institucionet arsimore.

“Janë zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe në Tiranë struktura ka 99 anëtarë. Parandalimi I krimit duhet të parandalohet që në shkolla. Ky sistem nuk mund të ndaloj krimin dhe duhet të bëjmë shumë që të rrisim në mënyrë të ndërgjegjshme të rinjtë. Jam e kënaqur që ekspertë nga Danimarka kanë ardhur të japin përvojën e tyre. Ju uroj një konferencë të suksesshme. Do vazhdojmë të mbështesin zhvillimin dhe konsolidimin e kësaj organizata në Tiranë dhe zbatimin e këtij parimi në Shqipëri”, -pohoi Vlahutin.

I pranishëm në këtë takim ishte dhe ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri. Gjatë fjalës së tij, Tahiri lëshoi mesazhe të forta për rastet kriminale dhe korruptive në vend. Teksa pranoi se këto raste ndodhin dhe se pjesë e saj janë dhe njerëz me poste të larta shtetërore, Tahiri deklaroi se kjo nuk e pengon të vazhdohet me luftën kundër krimit.

Ministri i Brendshëm ka akuzuar Gjykatat për vendimet e tyre, që në shumë raste kanë qenë të padrejta. Kështu, Tahiri përmendi një rast, siç është ai i zyrtarëve të Tatimeve, të cilët sipas tij vodhën 6 milionë euro.

“Mendoj se është gjithmonë momenti, për të punuar me të rinjtë. Doja të falenderoja PAMECA dhe Komision Europian për mbështetjen. Kjo është mënyra që të rinjtë të jenë kontribuues për veten. Unë besoj se kjo është mënyra më e mirë që të bëjmë të kuptojnë të rinjtë që ky është misioni më i mirë. Kjo nuk bëhet as vetëm, e as duke u ankuar. Pyetja e parë që më vjen është pyetja se a jemi gati ta lëvizim gishtin? Dhe ta bëjmë vendin më të drejta. Pastaj sa prej të rinjve janë gati ta bëjnë këtë? Ajo që ka ndodhur këto ditë, dhe unë i kam ndjekur komentet mbi disa vendime gjykatash, ndaj secili prej jush mund të pyes, se pse dënohet ai që suvaton pa leje dhe nuk dënohen zyrtarë të lartë të shtetit? Nga çfarë duhet të ndodh se po paska njerëz të pandëshkueshëm, apo se dënimi qenka sipas xhepit! Nuk e ka gabim, por as plotësisht të drejtë nuk e ka. Kjo është arrogance e sistemit. Sa prej të rinjve e pranojnë një shok apo shoqe që të dal në ‘FB’ me fotot me armë? Asnjë. Në ndonjë rast ku lloj model respektohet më shumë.”, bëri të ditur Tahiri.

Sipas ministrit, shoqëria jonë nuk duhet të pranojë këto standarde. “Modeli i punëtorit dhe i dinjitetit, i atij që respekton ligjin e rregullat. Ndaj duket fare normale që të ketë njerëz me të shkuar kriminale, që i shohim jo radhë në pozicione të mira të shoqërisë. Dhe ai që mendon se nuk duhet të flas dhe të mendoj se duhet ta bëjë qeveria, sapo ka hapur mundësitë që jo vetëm të mos ndreqet gjë, por dhe ata rrezikojnë të kthehen pjesë e të njëjtin sistem.”, -tha Tahiri.

Nga ana tjetër, ministri Tahiri deklaroi se ‘këto shembuj e bëjnë këtë vend të duket i padrejtë’. “Me padrejtësinë masive, të korruptuarit janë gjithmonë më të zotë, gjithmonë ja dalin. Këto shembuj e bëjnë këtë vend të duket më i padrejtë, dhe ndonjëherë të bën ta mendosh. Kur shoqëritë kanë vuajtur më shumë, kur shpresa ka qenë më e largët, atëherë ka pasur qytetarë dhe shoqëri të tëra, janë ngritur në këmbë dhe kanë garantuar drejtësi. Tani besoj se duhet të jemi ne, që të punojmë me të rinjtë, me nxënës, të mos e pranojmë kurrë këtë standard.”, -pohoi Tahiri.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb